Nëpërmes dokumenteve të panjohura më parë dhe një interpretimi historik shkencor, Butka jep të vërtetën tronditëse mbi këtë masakër: shkaqet, synimet, projekti për zhdukjen në masë të shqiptarëve nga Kosova, pjesëmarrjen e shtetit jugosllav me gjithë strukturat e veta politike dhe ushtarake dhe bashkëpunimin me qeverinë komuniste dhe ushtrinë shqiptare, për realizimin e masakrës.
Butka thekson se platforma politike dhe ushtarake e këtij veprimi antishqiptar ishte projekti famëkeq i Çubriloviçit i 7 marsit 1937 dhe i 3 nëntorit 1944, që u bënë, për fat të keq, edhe platforma e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë: “Dy janë mënyrat për spastrimin etnik të shqiptarëve: t’i zhdukim ose t’i shpërngulim”. Për Çubriloviçin dhe ata që zbatuan masivisht gjenocidin kundër shqiptarëve, kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër, ishte kolonizimi i trojeve shqiptare të zbrazura, me kolonë serbë, hercegovinas, malazezë e maqedonas nëpërmjet ushtrisë dhe këshillave nacionalçlirimtare.
Në fillim të nëntorit 1944, komandave të Ushtrisë NÇJ iu dha, nga ana e organeve më të larta partiake dhe ushtarake të Serbisë, direktiva që të “vrisnin së paku 50% të banorëve shqiptarë”. Këtë luftë kundër shqiptarëve, PKJ e propagandonte si luftë kundër “reaksionit shqiptaro-madh”, kundër “bashkëpunëtorëve” të nazifashizmit etj. Kosova u konsiderua dhe u trajtua si reaksionare, kundërrevolucionare, irredentiste, që duhej nënshtruar dhe tjetërsuar etnikisht.
Butka mendon se në kushtet e Luftës së Dytë dhe menjëherë pas saj, ky nënshtrim e spastrim i plotë etnik, ishte tepër i vështirë për udhëheqjen politike dhe ushtarake të Jugosllavisë, sepse populli i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare ishte i gjithë më këmbë, i armatosur për të mbrojtur qenien shqiptare dhe kufijtë kombëtarë, përkundër politikave e praktikave antishqiptare e kriminale të PKJ dhe të Ushtrisë NÇJ. Titos dhe udhëheqësisë jugosllave nuk u interesonte edhe një luftë tjetër në Kosovë, për ripushtimin e dhunshëm të saj, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Këtë gjë mund ta arrinin më lehtë e më tinëzisht, me ndihmën e propagandës dhe të armëve të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë.
Këtë bashkëveprim ndërmjet Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë dhe Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë për të luftuar së bashku, për të nënshtruar reaksionin antiserb në Kosovë dhe për ta ripushtuar atë me ndihmën e forcave ushtarake të Shqipërisë, e kërkonte qysh në muajin mars 1944, komandanti i Korpusit II Sulmues të Jugosllavisë, gjeneral-leitnant Peko Dapçeviç.
Titoja, në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë NÇJ, i kërkonte E. Hoxhës kalimin e formacioneve të UNÇ të Shqipërisë në Kosovë e Jugosllavi, për të luftuar kundër “pushtuesve dhe reaksionit”. Kjo kërkesë e Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë NÇ Jugosllave u formulua në fund të muajit maj, u përsërit në korrik e gusht të vitit 1944. Misioni Ushtarak Jugosllav në Shqipëri prej shtatë ushtarakësh, me në krye kolonelin V.Stoiniç, i bashkërendonte veprimet e të dyja palëve. Kjo kërkesë u ribë edhe më 26 gusht 1944 nga Shtabi i UNÇJ për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit, firmosur nga komandanti i këtij shtabi, Fadil Hoxha dhe komisari Boshko Çakiç.
Pala shqiptare u tregua e gatshme. Më 12 shtator 1944 komandanti i përgjithshëm i UNÇSH, E. Hoxha, i dha urdhër Korparmatës I të përgatiste dhe të niste menjëherë dy brigada për në Kosovë. Po në këtë datë, mentari i E. Hoxhës, Miladin Popoviç, i shkruante Liri Gegës, e plotfuqishme e KQ të PKSH për Korpusin I: “Lajmëro Pavlen (Pavle Joviçeviç, shën. im UB) se dy brigadat shqiptare së shpejti do të marrin drejtim për Kosovë. Vetëm të mos dekonspirohet!”.
Dërgimi i brigadave partizane të Shqipërisë në Kosovë u mbajt në konspirativitet edhe për britanikët, ndonëse ata ishin aleatë dhe ndihmonin Luftën Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe Jugosllavi. Enver Hoxha porosiste Dali Ndreun, komandantin e Korparmatës I: “Të mos i tregohet Inglizëve objektivi i brigadave V dhe III, që do të shkojnë në Kosovë”.
Studiuesi Uran Butka i zbulon dhe i publikon për herë të parë këto dokumente të rëndësishme, që tregojnë prapaskenën dhe synimet e fshehta të të dyja palëve. Në këto kushte, Titoja thirri brigadat dhe divizionet e Ushtrisë NÇ të Shqipërisë “për të luftuar kundër armikut dhe reaksionit”, por i përdori kryesisht në luftën kundër “reaksionit shqiptar”.
E. Hoxha e dinte mirë pse thirreshin brigadat nacionalçlirimtare të Shqipërisë në Kosovë, ndaj si një vasal i bindur dhe i ndërgjegjshëm për çka bënte, urdhëronte brigadat e Divizionit I: “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve pa treguar as më të voglën tolerancë”.
Divizionet V dhe VI të Shqipërisë, me komisar Ramiz Alinë dhe komandant të shtabit Gjin Markun, u vunë nën urdhrat e Armatës V të Ushtrisë NÇ Jugosllave. Në URDHËRVEPRIMIN e Armatës V të Jugosllavisë përfshiheshin edhe divizionet e Shqipërisë:
“Të gjitha forcat reaksionare që do të takoni, të rrethohen dhe të shpartallohen me çdo kusht…Të çarmatosen njerëzit e dyshimtë dhe ata që nuk duan të mobilizohen me dëshirë, të digjen shtëpitë e tradhëtarëve që rezistojnë dhe bëjnë fortesë… Të sekuestroni mallin e kriminelëve të arratisur. T’u theksohet katundeve që përshkoni se ai katund që bëhet strehë i gjaktorëve, do të dënohet”.
Divizionet e UNÇ të Shqipërisë u bënë pjesë e vendosjes së regjimit ushtarak në Kosovë për shtypjen e rezistencës kosovare triumfin dhe forcimin e pushtetit jugosllav.
Ndihmesën më të madhe për rekrutimin e shqiptarëve, por edhe për dorëzimin e qindra dezertorëve, që iknin nga ushtria jugosllave dhe dorëzoheshin në mirëbesim tek brigadat e batalionet e Divizioneve V dhe VI të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, e dhanë komandat e këtyre divizioneve e brigadave të ushtrisë shqiptare, që ishin nën urdhrat e Komandës së Përgjithshme Jugosllave. Siç është zbuluar tanimë nga dokumentet arkivorë, Divizionet V dhe VI të Shqipërisë ndodheshin në Kosovë përgjatë muajve mars dhe prill të vitit 1945, kur u bë mobilizimi i dhunshëm i popullsisë shqiptare në Kosovë e trevat e tjera shqiptare dhe kur u nisën tri kolonat (eshalonet) me rekrutët shqiptarë për në Tivar më 24-27 mars 1945 dhe tri kolonat e tjera më 19-24 prill 1945. Bashkëpunimi i ngushtë dhe implikimi i divizioneve dhe brigadave të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë për mobilizimin e rekrutëve shqiptarë dhe dorëzimin e tyre tek ushtria jugosllave, është evident dhe i dokumentuar.
Studiuesi Butka na ka vënë në dorë radiogramet e shtabit të Divizionit V dhe VI dërguar Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë gjatë muajve mars-prill 1945 e në vazhdim si edhe listat emërore të të arratisurve dhe vullnetarëve shqiptarë të Kosovës, që dorëzoheshin nga shtabet e diviz. V dhe VI tek ushtria jugosllave.
Lista e parë përmban 190 vetë, kryesisht vullnetarë shqiptarë të dorëzuar nga prefekturat e Mitrovicës dhe të Pejës; Lista e dytë përmban 104 emra ushtarësh shqiptarë të ikur nga ushtria jugosllave, por dhe vullnetarësh shqiptarë të bashkuar me Divizionin V të Shqipërisë. Lista e tretë, e bashkëngjitur, ngërthen 131 shqiptarë vullnetarë, të dorëzuar.
Ja edhe përgjigjja e Enver Hoxhës:
“T’arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Serbisë”.
Si rezultat i këtij bashkëveprimi të ndërvarur ushtarak, vullnetarët dhe të mobilizuarit shqiptarë të Kosovës, përfundonin si robër lufte, me të cilët komanda e ushtrisë jugosllave mbushte kolonat ushtarake, që i dërgonte si mish për top në Srem apo në Tivar.
Ndërkohë, autori dokumenton rolin e Fadil Hoxhës në shtypjen e rezistencës kosovare, në mobilizimin e rekrutëve shqiptarë, por edhe në organizimin e masakrës së Tivarit.
Nga raporti i shtabit të Kolonës IV të Armatës së Jugosllavisë, datë 8 prill 1945, citojmë:
“Eshaloni shkoi mirë deri në Kukës. Në afërsi të Kukësit ndodhi një incident, kur njëri nga grupi i kolonës gjuajti një bombë mbi rojën tonë. Me ç’rast u shkaktua rrëmujë dhe, në këtë rëmujë, arriti të arratisej një grup prej 10 vetësh. Kështu, duke ikur, hasi në patrullën e ushtrisë shqiptare, e cila i ndaloi dhe iu bëri thirrje që të dorëzohen. Ndaj kësaj thirrjeje, ata nuk u përgjigjën, por vazhduan të iknin. Ushtarët shqiptarë hapën zjarr mbi ta dhe vranë në vend dy persona, dy të tjerë i plagosën, të cilët më vonë edhe ata vdiqën”. Siç shihet qartësisht nga ky dokument, asgjësimi i rekrutëve shqiptarë të Kosovës, u krye në bashkëveprim të forcave ushtarake të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, në këtë rast brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Në një dokument të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë lexojmë:
“Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-së. Në këto masakra të pashëmbullta ndaj popullsisë së Kosovës, ka marrë pjesë Koci Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq, në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm”.
Këtë masakër brenda kufijve të Shqipërisë, e konfirmon edhe Prokurori i Përgjithshëm ushtarak, Bedri Spahiu:
“Xhelatët e Rankoviçit, që janë shquar për krimet e tyre alla-fashiste kundër popullit të thjeshtë të Kosovës, i kanë vazhduar këto masakra kundra tyre nëpërmjet rrugës prej kufirit tonë në Kukës e deri në Ulqin, duke vrarë me qindra prej tyre. Ishte kjo një rrugë e përgjakshme e fshatarëve të thjeshtë kosovarë brenda dhe jashtë tokës sonë deri në Ulqin”.
Autorizimin për futjen e kolonave me rekrutët e Kosovës dhe asgjësimin e më se 1000 kosovarëve të pafajshëm, siç e cilësojnë dokumentet e mësipërme, e ka sigluar ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Haxhi Lleshi, por autoritetet e Shqipërisë ia faturuan Koci Xoxes, si një kokë turku, për t’ia ngarkuar atij gjithë përgjegjësitë e kësaj masakre.
Natyrisht, ky është akti më antikombëtar i qeverisë komuniste shqiptare, jo vetëm në atë kohë kur u krye kjo masakër, por edhe për gjysmë shekulli, kur u hesht plotësisht për shkak të bashkëfajësisë.
Sipas përllogaritjeve të autorit bazuar mbi të dhënat dokumentare, u mobilizuan dhe u dërguan për në Frontin e Adriatikut rreth 13.050 rekrutë shqiptarë, nga të cilët u vranë, u helmuan dhe u mbytën gjithsej 2947 deri 3447, nga të cilët, vetëm në territorin e Shqipërisë 1000 e ca shqiptarë të Kosovës. Ndërsa në bazë të dëshmive autentike të të mbijetuarve, viktimat e pafajshme të masakrës së Tivarit i kalojnë të 4000 vetët.
Botimi i Butkës “Masakra e Tivarit” nuk është vetëm historia katërcipërisht e dokumentuar e kësaj masakre me përmasa ballkanike, por edhe historia e vërtetë e vitit 1945, vitit të ripushtimit të Kosovës e viseve të tjera shqiptare, vitit të gjenocidit e pastrimit etnik të Kosovës dhe i dominancës së plotë jugosllave ndaj Shqipërisë, për ta tërhequr atë pas qerres së saj dhe për ta kthyer në republikë të 7-të të Jugosllavisë.