E verteta per azilkerkuesit kosovare ne France

E verteta per azilkerkuesit kosovare ne France

Lajmi se Franca e njeh automatikisht të drejtën për azil për qytetarët e Kosovës nuk është i saktë dhe nuk përputhet fare me realitetin. Kjo u komunikua pas një takimi që zhvilloi ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe ambasadorja e Francës në Kosovë, Maryse Daviet.

"Zëri" shkruan se qeveria franceze ndodhet në proces të ndryshimeve të legjislacionit për azilin dhe do të favorizojë veçanërisht procedurat e përshpejtuara të shqyrtimit të aplikimeve të pabazuara, si ato që kanë bërë qytetarët e Kosovës. Po ashtu, Franca po shqyrton edhe mundësinë që me rastin e refuzimit, kthimi të jetë më i shpejtë.

Në takim u ra dakord që qytetarët e Kosovës duhet të evitojnë të bien viktimë e grupeve që organizojnë trafikimin e migracionit të paligjshëm dhe të paguajnë atyre shuma të mëdha parash.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka arrestuar një numër të konsiderueshëm personazh që merren me krim të organizuar dhe kontrabandim me emigrantë. Migrimi i paligjshëm i qytetarëve të Republikës së Kosovës në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian ka ndikim negativ të drejtpërdrejtë në procesin e liberalizimit të vizave dhe të procesit të integrimit evropian të vendit.

Gjatë muajit të fundit, mijëra kosovarë kanë ikur ilegalisht në vendet e Bashkimit Evropian për një jetë më të mirë. Rreth 900 kosovarë janë raportuar se arrestuar nga policia e Hungarisë dhe po mbahen në kampe, ndërsa shumica e kanë pikësynim Francën, e cila Kosovën e ka ,klasifikuar si vend i pasigurt i origjinës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama