EU hetime antimonopol per Google

EU, hetime antimonopol per 'Google'
Rregullatorët e Bashkimit Europian do të hetojnë në lidhje me akuzat për një abuzim të mundshëm të ““Google” Inc” në lidhje me pozicionin e saj dominant në tregun e kërkimit online. Sipas disa dyshimeve, thuhet se kompania në mënyrë të qëllimshme nuk ka favorizuar rivalët në motorët e saj të kërkimit.

Kjo lëvizje e Komisionit Europian, e njoftuar dje, është hetimi i parë formal nga ana e një autoriteti rregullator në lidhje me mundësinë e një manipulimi nga ana e ““Google”” për të shmangur konkurrencën. Nëse do të rezultojë që dyshimet janë të vërteta, ka mundësi që e gjithë kjo histori të rezultojë në miliarda euro gjobë siç ka qenë edhe rasti i fundit me “Microsoft” dhe “Intel”. Disa konkurrentë të ndryshëm, një prej të cilëve në pronësi të “Microsoft”, kanë bërë të ditur se “Google” ka ndërmarrë masa anashkalimi ndaj konkurrentëve në mënyrë të paramenduar dhe të paligjshme.

Komisioni Europian do të shohë edhe nëse “Google” ka bërë përpjekje për të ndaluar partnerët europianë nga postimi i reklamave nga ana e konkurrentëve të “Google” në sajtet e tyre dhe nëse ua ka vështirësuar klientëve lëvizjen e të dhënave nga kompanitë e tyre të reklamave nëpër platforma të tjera reklamash.

Kjo çështje mund të shndërrohet në “shpërthyese” nëse del e vërtetë pra nëse “Google” ka abuzuar me tregjet, apo jo. Një gjë është e qartë se shërbimet e “Google” në mënyrë të vazhdueshme janë klasifikuar si ndër më të kërkuarat në motorët e saj të kërkimit. Në disa raste ka një logjikë në këtë drejtim, sepse  disa nga pronat e “Google”, përfshi shërbimin e hartave apo YouTube konsiderohen si ndër më të mirat dhe ndër shërbimet me më shumë autoritet.

 Por shërbimet e tjera të “Google” të tilla si financa dhe shëndetësia që nuk përdoren gjerësisht apo nuk merren shumë në konsideratë gjithashtu dalin në krye të klasifikimeve në motorët e kërkimit të “Google”. Vetë kompania multimiliardere ka deklaruar se gjatë gjithë punës së saj është përpjekur që të shmangë të gjitha mundësitë e favorizimit të vetes në motorin e saj të kërkimit duke përdorur për këtë qëllim një formulë që është shumë efikase në raste të tilla. Por në raste të tjera  drejtuesit e “Google” e kanë fshehur preferencën që i kanë dhënë shërbimeve të tyre dhe kanë deklaruar për këtë se nëse klientët janë të pakënaqur nga shërbimet e saj, atëherë le të largohen dhe të zgjedhin një motor tjetër kërkimi si për shembull Bing.

“Google”, aktualisht zotëron 90% të tregut të kërkimit në Europë dhe nuk janë europianët të vetmit që janë ankuar për “Google”, por ka edhe kompani amerikane që ankohen për të njëjtën gjë dhe madje e kanë hedhur në gjyq “Google”.

Kështu, në lidhje me këtë po heton edhe Departamenti i Drejtësisë dhe ky hetim ka të ngjarë që të vazhdojë për disa muaj para se të arrihet në një konkluzion.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama