EURO 2016 ose e pamundura nuk ekziston

EURO 2016 ose e pamundura nuk ekziston

YLLI AGA

ylli_agaNuk mund të kishte provë më të fortë të vlerave, të cilësisë dhe kapriciove që mbart futbolli, sesa kompeticioni më i rëndësishëm i kontinentit 2016. Rekord konkurrentësh, shikuesish, të ardhurash.

Festë nga dita e parë dhe deri në uljen e siparit. Thyerje e hegjemonisë së të mëdhenjve, konfirmuar me një kampione të re dhe mbi të gjitha një Europë e bashkuar më shumë se kurrë, në ditët më të vështira të saj.

Europa e vlerave

Nuk kujtoj asnjë kompeticion tjetër që të ishte i rrethuar me kaq shumë dyshime, sesa EURO 2016.

Mbi të gjitha, në aspektin e sigurisë. Terrorizmi, përveçse me gjuhën e propagandës, kishte folur me vepra në vigjilje të tij. Ajo çfarë ndodhi në nëntor të vitit të kaluar e kishte zhvendosur në plan të dytë futbollin, vlerat dhe misionin e tij. Kërcënimi i bombave dhe kamikazëve ishte më afër dhe më i frikshëm se kurrë.

Dyshimi se ky event mund të mos zhvillohej apo të luhej pa spektatorë u përmendën si alternativa. Por, për fat të mirë, gjithçka ndodhi shërbeu si mësim, pavarësisht se me një kosto të lartë, për të hartuar plane të detajuara sigurie dhe për kontrolle të imëta. Falë tyre dhe veçanërisht frymës dhe moralit të kësaj loje, EURO 2016 do të mbetet në memorien e të gjithëve si një festival i vërtetë, ku parakaluan me ngjyrat më të bukura, kombe, tifozëri, dhe sportiste.

Ku kryefjalë ishte respekti, vlerat dhe barazia. Nuk kishte asgjë më të bukur sesa të shikoje rrugë, sheshe, stadiume të mbushura me tifozë të të gjitha vendeve, teksa festonin apo shfaqnin pa droje krenarinë për vendin e tyre. Për një muaj, qytetet më të rëndësishme të Francës u shndërruan në kryeqendra të kontinentit, duke shpërndarë mesazhin më të qartë, më të plotë, më të drejtpërdrejtë, se si është dhe si duhet të jetë Europa e bashkuar.

Europiani i cilësisë së parë

Rritja e numrit të pjesëmarrësve kishte shtuar dyshimet se e gjitha kjo do të binte mbi kurriz të cilësisë. Besoj në sytë e të gjithëve argumentet janë të shumta në kahun e kundërt.

Mbi të gjitha se kemi një kampione të re, Portugalinë, e cila bëhet përfaqësuesja numër 10 që shkruan emrin në listën e ekipeve fituese në 15 edicionet e një Europiani. Ndërkohë që një nga debutueset si Uellsi shkon deri në ¼-at në finale, një tjetër me këtë status, si Islanda me lojërat dhe tifozërinë e saj fitoi zemrat e të gjithëve, apo Irlanda e Veriut, Sllovakia dhe Shqipëria u treguan të gjithëve se janë të aftë të përballen dhe të marrin rezultate, pavarësisht kundërshtarëve me më shumë traditë.

Përtej këtyre fakteve, ky Europian ishte një provë e fortë e ngushtimit në maksimum të diferencave që kanë ekzistuar prej vitesh mes ekipeve përfaqësuese. E gjitha kjo motivuar prej unifikimit të licencave të trajnerëve, duke e bërë këtë sport pararojë dhe simbol të globalizmit, si dhe faktit se futbollistët e të 24 ekipeve, në një përqindje shumë të lartë, luajnë në kampionatet më të mira të kontinentit, duke ndarë në këtë mënyrë vlera të përafërta, të njëjtën "pasaportë" për sa i takon profesionalizmit dhe kushteve të tij.

Në këtë pikë, eksperienca e fituar nga lojtarë që përfaqësojnë Kombëtare të konsideruara të vogla, mes tyre përfshirë edhe Shqipërinë, ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në përafrimin apo zvogëlimin e diferencave me të mëdhenjtë e kontinentit. EURO 2016 ishte konfirmimi më i mirë se rritja e numrit të skuadrave pjesëmarrëse ishte vendimi më i drejtë se diferencat mes ekipeve kombëtare janë minimale, se të gjitha luajnë një futboll modern, duke krijuar në këtë mënyrë një produkt të shkëlqyer në sytë e të gjithëve.

E pamundura nuk ekziston

Askund tjetër, më shumë se në sport, kjo tezë nuk merr kuptimin e saj më të vërtetë. EURO 2016 ishte konfirmimi më i mirë. Po të mos mbizotëronte kjo bindje, logjika, historia, emrat, fituesit do të ishin gjithmonë në krah të përfaqësuese të mëdha.

Një duel Angli- Islandë, Spanjë-Kroaci apo Francë- Portugali, si rastet më tipike, nuk do të kishin asnjë përfundim tjetër, sesa triumfi për favoritët. Por në sport dhe veçanërisht në futboll të gjithë elementët e sipërcituar kalojnë në plan të dytë sepse fituesi nuk shpallet në letër, por në fushë. 11 kundër 11.

Nëse dikush është i fiksuar pas statistikave, ato kanë pasur vlerën e tyre më të vogël këtë Europian. Shqipëria numëronte 68 vite pa fitore ndaj Rumanisë, por në mbrëmjen e 19 qershorit ishin kuqezinjtë fitimtarë. Spanja ishte kthyer në makth për Italinë, por nga ky Europian nuk do të jetë më kështu.

Ashtu si vetë italianët nuk do jenë për gjermanët. E këta të fundit për francezët. Dhe, për ta vulosur, shërbeu triumfi i portugezëve ndaj të zotëve të shtëpisë, pavarësisht se kishin 10 humbje radhazi.

Faktorët për të tilla verdikte mund të jenë të shumta dhe që meritojnë një analizë më të hollësishme dhe më të specializuar, por për shumëkënd rezultatet dhe ndeshjet e këtij Europiani do të mbeten gjatë në memorie, për shkak të cilësisë, protagonizmit, sakrificave dhe dëshirës për të rrëmbyer një vend në histori. E pamundura nuk ekziston, ishte një motiv më shumë.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama