Procesi i Bolonjës, megjithë arritjet e tij, duket se po rezulton jo aq dashamir për gjuhët e ashtuquajtura ‘të vogla’. Dhe, vërtetë, pak ditë më parë, një apel drejt medias shqiptare ka bërë me dije se rrezikohet të mbyllet një nga katedrat më prestigjioze të albanologjisë, ajo që ndodhet në Munih. Si për ironi të fatit, LMU, si njihet shkurtimisht Dega e albanologjisë në Universitetin Ludwig-Maximilian të Munihut, këtë vit kremton 50 vjetorin e zhvillimit të saj. E themeluar nga Martin Camaj, dega e albanologjisë është pjesë përbërëse e Institutit të Gjuhësisë Krahasuese-Indoevropiane si edhe e Albanologjisë në LMU. Ajo përgatit, diplomon dhe doktoron albanologë të rinj duke plotësuar formimin universitar dhe pasuniversitar të atyre studentëve që e përzgjedhin albanologjinë si degë plotësuese. E përfshirë në matriksin e sistemit universitar tradicional gjerman, kjo e bën këtë degë të jetë unike në gjithë atë pjesë të arealit shkencor albanologjik që shtrihet jashtë hapësirës kompakte shqipfolëse në Ballkan, sipas Prof. Demirajt, drejtuesit të saj. Duke qenë degë e vetme në Evropën Perëndimore, ajo ka shërbyer edhe si një pikë e cila ka thithur shumë studentë, bursistë dhe studiues (deri sot nga 15 vende të ndryshme të Evropës) për tu specializuar pranë saj. Në bashkëpunimin e saj me qendrat e tjera albanologjike në Itali (Cosenza, Palermo, Napoli), Kosovë (Prishtinë), Shqipëri (Shkodër, Tiranë, Elbasan), Rusi (St. Petersburg), Maqedoni (Tetovë), Bullgari (Sofie) etj., ajo ka dhënë frytet e veta në botimet cilësore, tubimet kulturore-shkencore dhe shkëmbimet e studiuesve. Prof. dr. Bardhyl Demiraj, drejtuesi i saj, që bëri të dukshëm shqetësimin, ka sqaruar se: “Reformimi i sistemit universitar gjerman në kuadrin e procesit reformues të Bolonjës që ka të bëjë me kalimin nga sistemi me magjistraturë në atë me dy nivele: Bachelor dhe Master, po ndikon negativisht në mbarëvajtjen e aktivitetit të degës së albanologjisë... Në këtë kontekst të ri dega e albanologjisë pranë LMU është transformuar në nivelin e parë të sistemit universitar në një fushë studimi me drejtim thjesht gjuhësor, duke rrezikuar kështu seriozisht të humbasë njëherë e përgjithmonë fizionominë e fituar gjatë një pune të mundimshme prej më se pesë dekadash, pikërisht atë të një dege universitare rajonale, ku krahas gjuhës dhe kërkimit gjuhësor studiohet kultura dhe historia e popullit shqiptar në kohë dhe hapësirë. Fati i saj mbetet pasigurt edhe për nivelin e dytë të studimit universitar (Master), sa kohë që dega mbulohet vetëm me një vend profesure dhe pa një lektorat të rregullt, sikurse është rasti në degët e tjera universitare me karakter rajonal”, shprehet drejtuesi i saj, duke e lënë gjithçka të hapur tani për autoritetet që të ndërmarrin hapat e duhur.
“Ja si e shikoj unë ‘rrezikun’ ndaj albanologjisë”
Prof. Dr. Shaban Sinani thotë se apeli i bërë pak kohë më parë duhej t’u drejtohej dhe autoriteteve shqiptare, sepse në një situatë rreziku qendra e albanologjisë ...do të kishte nevojë për mbështetje nga Tirana, sikurse është vepruar qysh në periudhën e totalitarizmit
Konferenca që u zhvillua në Muenchen me pjesëmarrjen e mbi 30 dijetarëve të mirënjohur albanologë nga 12 vende të botës (mund të kishte dhe më shumë, për shembull munguan studiues nga Kosova), kishte për qëllim themelor të dëshmonte se bashkësia e kërkuesve nga kjo fushë nuk ishte dhe aq e vogël; se interesi për të nuk ishte vetëm shqiptar, por europian; se kjo shkencë nuk është një dije e mbyllur por gjithnjë ka probleme të reja për t’i diskutuar. Po ashtu qëllimi ishte dhe që të provohej se albanologjia nuk u duhej vetëm shqiptarëve dhe ca simpatizantëve të tyre, por disa disiplinave makro, si indoeuropianistika, romanistika, helenistika, sllavistika dhe doemos gjermanistika. Gjithashtu ra në sy dhe madje u theksua se shkolla austro-gjermane vazhdon të mbajë një peshë përparësore në studimet albanologjike. Kjo është shumë e rëndësishme. Sepse ndihet një rrezik jo vetëm për albanologjinë, por përgjithësisht për ato që shpesh quhen “shkenca lokale” (në kuadër të prirjeve të sotme mondializuese). Europa e pasur nuk e ka për turp ta pranojë se ka krizë, rënie të ritmit të prodhimit, bartje të problemeve prej zgjerimit, tronditje të autoritetit të euros. Dhe kur flitet për krizë menjëherë në mendje të vijnë shkurtimet. Nisur nga kjo situatë, pjesëmarrësit në konferencë, e cila është e katërta brenda disa vjetëve, organizuar nga Universiteti “Ludwig Maximilian”, me protagonist shefin e qendrës së albanologjisë prof. Bardhyl Demirajn, nënshkruan një memorandum drejtuar autoriteteve të universitetit për të sjellë në mendje se sa e rëndësishme është albanologjia dhe për ta theksuar perspektivën e saj të hapur. Mirë do të kishte qenë që ky memorandum t’u drejtohej dhe autoriteteve shqiptare, sepse në një situatë rreziku qendra e albanologjisë në LMU do të kishte nevojë për mbështetje nga Tirana, sikurse është vepruar qysh në periudhën e totalitarizmit, kur mbahej me buxhet shtetëror një pedagog në Paris apo në Pekin. Nuk është fjala për shuarjen e albanologjisë, por kufizime mund të ketë. Duke qenë se në LMU albanologjia ka arritur deri tek formimi i doktorëve të shkencave, gjë që nuk e bëjnë tani për tani dhe disa universitete publike këtu në Shqipëri; duke qenë se disa projekte botimesh albanologjia atje i ka realizuar me frytshmëri konkurruese, meriton të vlerësohet një situatë e mundshme reduktimesh dhe kjo qendër të mbështetet e të vazhdojë traditën e Martin Camajt, Wilfried Fiedler-it, Rexhep Smajlit dhe tani së fundmi, prej afro dy dekadash, të prof. Demirajt.
Duhet të krijojmë një mjedis sensibilizimi
Dr. Anila Omari shpjegon rëndësinë e Katedrës së Albanologjisë në Munih dhe si mund të punohet për të parë mundësitë e ndihmës të një institucioni kaq të rëndësishëm të rrezatimit të kulturës shqiptare në botë
Zhvillimet e sotme që kanë lidhje me sistemin arsimor gjerman kërcënojnë mbylljen e Katedrës së Albanologjisë në Mynih. Çfarë humbje paraqet mbyllja e një institucioni të tillë për disiplinën e Albanologjisë, sipas jush?
”Katedra e Albanologjisë në Mynih ka tashmë një jetë 50-vjeçare të suksesshme. Ajo u themelua nga personaliteti i njohur i filologjisë shqipe Martin Camaj në vitin 1961, i cili e drejtoi dhe i dha emër për rreth 30 vjet, u udhëhoq më pas nga gjuhëtarë me zë në albanologjinë botërore si Prof. W. Fiedler dhe Prof. R. Ismajli, dhe tashmë prej dhjetë vjetësh mbahet nga Prof. Bardhyl Demiraj, i cili, mendoj, e ka ngritur degën në nivelet më të larta. Këtë e përligj me faktin se, së pari, dega e albanologjisë aktualisht mbulon një numër të konsiderueshëm fushash shkencore universitare, që nga historia e gjuhës shqipe e filologjia e teksteve të vjetra shqipe, dialektologjia e shqipes, shqipja e sotme standarde, shqipja në kuadrin e gjuhësisë ballkanike, shqipja në kuadrin e gjuhësisë indoeuropiane e deri te letërsia shqipe, antropologjia e kultura popullore, përveç mësimit praktik të shqipes në katër nivele, të cilat i japin asaj karakter ndërdisiplinor; së dyti, dega e Albanologjisë e Mynihut përfshin të gjitha shkallët e shkollimit universitar e pasuniversitar, që nga diplomimi, masteri e prej disa vjetësh edhe doktoraturën në albanologji, çka e bën këtë degë të vetmen ndër katedrat homologe në Evropën Perëndimore që nxjerr doktorë në shkencat albanologjike; së treti, biblioteka e Albanologjisë në gjirin e asaj të Indoeuropianistikës së Universitetit Ludwig-Maximilian, falë një pune këmbëngulëse të drejtuesit të degës për gjurmimin e sigurimin e bibliografisë kryesore të re e të vjetër albanologjike, ka arritur shkallën më të lartë të pasurimit gjatë viteve të fundit, duke krijuar tërheqje për studentët e studiuesit. Dega e Albanologjisë në Mynih është edhe mjaft aktive në veprimtari shkencore ndërkombëtare: në një periudhë kohore prej rreth 8 vjetësh ajo ka organizuar katër konferenca të rëndësishme shkencore me pjesëmarrje të albanologëve të njohur nga vende të ndryshme të botës. Veprimtaritë shkencore finalizohen kurdoherë me botimin përkatës të akteve të tyre nga shtëpi botuese nga më prestigjiozet në Gjermani. Prandaj kur dëgjojmë për rrezikun e rrudhjes apo, edhe më keq, të mbylljes së degës së Albanologjisë në Mynih, përveç keqardhjes së thellë, ndiejmë një kambanë alarmi dhe një detyrë më së paku atdhetare të krijojmë një atmosferë sensibilizimi në të mirë të mbajtjes gjallë të studimeve shqiptare në këtë qendër të rëndësishme universitare botërore, siç është Universiteti i Mynihut.
A ka mundësi dhe eksperienca te njëjta nga vende të vogla si Shqipëria që kanë mundësuar rijetëzimin e të tilla katedrave në kushtet e reja? Mendoni se mundet Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia zyrtare të ndihmojnë bllokimin e këtij procesi?
“Procesi i Bolonjës, siç dihet tashmë, ka rezultuar fatal për gjuhët e ashtuquajtura ‘të vogla’. Për fat, të mirë natyrisht, shqipja nuk hyn as në gjuhët e rrezikuara të Evropës, për të cilat BE lëvron fonde të konsiderueshme. Në këto kushte mbetet që t’u bëhet thirrje qeverive ku ka shqiptarë në Ballkan, pra Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë, pse jo edhe Malit të Zi, për të kontribuar bashkarisht në këtë drejtim, ashtu siç janë bërë e po bëhen përpjekje të përbashkëta dy a tripalëshe, p.sh. për njësimin e abetareve apo për reformë drejtshkrimore. Për këtë do të duhej një marrëveshje në plan ndërministror, e pastaj të njoftohej po në rang ministrie rektorati i universitetit dhe ministria e arsimit, shkencës dhe kulturës së Landit të Bavarisë, se palët shqiptare janë të interesuara për ruajtjen e fizionomisë së degës, duke mundësuar edhe ngritjen e një lektorati shqip, i cili mund të mbahej me kontributin e përbashkët të të tria qeverive. Për mbarëvajtjen e degës së albanologjisë do të mjaftonte edhe një lektor, përveç titullarit, që ajo të funksionojë si degë më vete.
Përgjithësisht sot lektoratet e degëve filologjike realizohen nëpërmjet marrëveshjeve kulturore ndërshtetërore, ose është pala e interesuar që ndikon në ngritjen e tyre. Si shembull për këtë mund të merret vetë Gjermania që dërgon lektorët e saj në gjithë vendet shqipfolëse në Ballkan edhe pse mungon ende një marrëveshje kulturore ndërshtetërore e ratifikuar me Shqipërinë. Pra nëse ekziston dëshira e mirë, gjenden edhe mundësitë për të ndihmuar një institucion të rëndësishëm të rrezatimit të kulturës shqiptare në botë”.