Që prej ditës kur vetë Skënderbeu konfirmoi se klubi është pezulluar me një vit nga kompeticionet europiane, në mënyrë krejt absurde dhe të papërgjegjshme FSHF ka heshtur. Deri më tani askush nuk ka folur qoftë edhe një herë për këtë çështje në mënyrë publike. Kjo ka bërë që gjithçka të jetë në amulli të plotë, pasi vetë federata po tregon se nuk i intereson se çfarë bëhet me futbollin shqiptar. Situata sa vjen edhe rëndohet.
Vetëm dy ditë më parë Skënderbeu doli dhe deklaroi se është marrë parasysh kërkesa e tyre për rekurs, pra vendimi i Apelit momentalisht është i pezulluar, duke i dhënë të drejtën që të marrin pjesë në short. Partizanit konkretisht i është thënë nga federata jonë që të bëhet gati për Champions, ndërsa Tiranës për Ligën e Europës. Pas fjalës së marrë nga FSHF, drejtuesit e Partizanit e ndryshuan planin e merkatos, pasi dihet që përfaqësimi në Champions kërkon shpenzime më të mëdha se në Ligën e Europës. Gjithçka nisi me afrimin e një stafi profesionistësh nga Italia, si dhe akordet me disa lojtarë të ndryshëm.
Por, pas lajmit të fundit të publikuar nga Skënderbeu, i cili pasohet nga heshtja e FSHF-së dhe UEFA-s, Partizani ka menduar që të mbrojë të drejtat e veta duke bërë gati një dosje kundër UEFA-s dhe Federatës. Burime pranë të kuqve kanë bërë me dije për "Panorama Sport" se Partizani ka marrë një avokat me eksperiencë për të hapur një proces kundër qeverisë së futbollit europian dhe asaj shqiptare, e cila i ka dhënë urdhër që të nisë punën për Champions.
Kanë qenë indiciet e këtyre dy organizmave në fillim të qershorit që i bënë të kuqtë të hapnin "thesin" dhe të bëheshin gati për në turin e dytë eliminator të Ligës së Kampioneve. Me afrimin e datës së përfaqësimit, duke marrë pjesë në Ligën e Europës, Partizani, përveç shpenzimeve të kryera, nuk ndihet gati as për 30 qershorin, pasi planet stërvitore lidheshin me datën 12 korrik, kur luhen edhe ndeshjet e Champions-it. Nisur nga kjo situatë, Partizani ka pajtuar një studio ligjore për të kërkuar të drejtën e tij.
Ilir Cara