Nëse mendoni se jeni të çuditshëm, se sjellja juaj konsiderohet si absurde nga ata që ju rrethojnë, apo keni anomali të ndryshme, atëherë duhet të lexoni patjetër për këta njerëz. Dhjetë personat e listuar janë konsideruar si "të çuditshmit e më të çuditshmëve". Njerëz të tillë, rrallë gjen mbi tokë. Pasi të keni lexuar për secilin prej tyre, do të ndiheni shumë më mirë për veten dhe nuk do t‘ju bëjë përshtypje ajo që të tjerët mendojnë. Pjesa më e madhe e tyre e dinë që janë të ndryshëm, që konsiderohen si të sëmurë mendorë nga një kategori e caktuar, por nuk lejojnë që ky fakt t‘i dekurajojë. Ata e konsiderojnë çuditshmërinë e tyre si talent, dhunti. Për t‘u theksuar është se të gjithë këta janë meshkujt
Ngoc: Tri dekada pa gjumë
64-vjeçari Thai Ngoc vuan nga pagjumësia që nga mbrëmja e vitit 1973, kur kaloi ethe të forta. Ai ka numëruar një numër të pakufizuar delesh gjatë 11.700 netëve të njëpasnjëshme. "Nuk e di nëse pagjumësia ka ndikuar në shëndetin tim apo jo. Doktori thotë se jam për bukuri, me përjashtim të mëlçisë dhe punoj normalisht si të tjerët", thotë Ngoc. Ai mban në kurriz çdo ditë 50 kilogramë çanta me plehra, duke i transportuar për katër kilometra. Gruaja e tij thotë se gjatë ditës kujdeset për derrat dhe pulat, ndërsa natën punon si roje. Gjatë netëve të të tre muajve ka hapur liqene artificiale për të rritur peshq.
Bhgat: Mban vëllain binjak në stomak
Sanoju Shagat dikur ka pasur një stomak të fryrë, që dukej sikur ishte nëntë muajsh shtatzënë dhe merrte frymë me vështirësi. Indiani Shagat thotë se është ndjerë i ndërgjegjshëm gjatë gjithë jetës së tij se kishte bark jashtë normales. Por një mbrëmje, në qershor të vitit 1999, problemi i tij u përkeqësua edhe më shumë. Doktorëve iu desh të nxirrnin nga stomaku i tij trupin e vëllait binjak. Ai vuante nga një anomali ndër më të çuditshmet në botë, fetusi brenda fetusit. Një anomali e rrallë, ku fetusi i zënë kurth mbijeton dhe rritet derisa doktorët të ndërhyjnë
Hokoi: 28 vite i fshehur pas Luftës së Dytë Botërore
Shoichi Yokoi ishte një ushtar i ushtrisë perandorake japoneze më 1941-n dhe u dërgua në Guam menjëherë pas atij viti. Në vitin 1944, forcat amerikane ripushtuan ishullin dhe Yokoi u fsheh. Në janar të vitit 1972, ai u zbulua në një pjesë të largët të ishullit Guam nga dy banorë të ishullit. Për 28 vite ai qëndronte i fshehur në një shpellë në xhungël, pasi kishte frikë të dilte, edhe pse kishte gjetur broshura që shkruanin se Lufta e Dytë Botërore kishte mbaruar. "Më vjen shumë turp që jam kthyer i gjallë nga lufta", tha ai kur u kthye në Japoni, me pushkën ndryshkur ende mbi shpatulla.
Mehkan: Jeton në aeroport që në vitin 1988
Mehkan Karimi Nasseri, i njohur si Sur Alfred Mehkan, është një refugjat iranian, i cili po jeton në sallën e pritjes së terminalit të aeroportit "Sharl de Gol" që më 8 gusht të vitit 1988. Pasi u burgos, u torturua dhe u dëbua nga vendi i tij, ai kërkoi azil në shumë vende evropiane, por pa fat. Ai vendosi të shkojë në Mbretërinë e Bashkuar, por ata e kthyen në aeroportin "Sharl de Gol", pasi nuk kishte dokumentacionin e duhur. As në Francë nuk mund të vërtetonte statusin e refugjatit, prandaj u zhvendos në zonën e pritjes, aty ku rrinë udhëtarët pa dokumente.
Mitsuo: Jezus Krishti japonez
Matayoshi Mitsuo është një politikan japonez, i bindur se është perëndia dhe Krishti. Sipas programit të tij, ai do të kryejë gjykimin e fundit si Krishti, por mënyra për ta bërë këtë është brenda sistemit të tanishëm politik dhe ligjshmërisë. Hapi i parë si shpëtimtar është të zgjidhet Kryeministri i Japonisë. Pastaj do të reformojë shoqërinë japoneze dhe më pas Kombet e Bashkuara duhet t‘i ofrojnë nderin të bëhet Sekretar i Përgjithshëm. Pastaj Jezusi Matayoshi do të sundojë në të gjithë botën me dy autoritete legjislative, fetare dhe politike.
Bawden: Papa i vetzgjedhur Michael I, nga Kansas
David allen Bawden (lindur më 1959) është një qytetar amerikan, i cili është zgjedhur Papa Michael I, nga një grup prej gjashtë konklavistësh apo katolikësh post-sedevakantiste. Ai argumenton se zgjedhjet e fundit të gjashtë papëve kanë qenë të pavlefshme për shkak se ata janë të gjithë modernistë. Sedevakantistët argumentojnë se nëse kolegji i kardinalëve nuk mund të zgjedhë një papë të vlefshëm, atëherë katolikët e zakonshëm mund ta bëjnë, nën një parim të quajtur "epikeia", barazi.
Bihari? 18 vjet i vdekur për shtetin
Lal Bihari, i lindur në vitin 1961, është një fermer nga Uttar Pradesh, Indi, i cili ka qënë zyrtarisht i vdekur nga viti 1976 deri më 1994-ën. Ai themeloi "Mritak Sangh" ose "shoqërinë e të vdekurve" në Urtar Pradesh, Indi. Ai luftoi me burokracinë e qeverisë indiane për 18 vjet, për të provuar se është ende gjallë. Kur Lala Bihari kërkoi të aplikonte për një hua në bankë në vitin 1976 , ai zbuloi se ishte zyrtarisht i vdekur. Xhaxhai i tij i kishte dhënë ryshfete një zyrtari në qeveri që ta deklaronte atë të vdekur, me synimin për të marrë pronësinë e tokës së Biharit. Ai zbuloi edhe 100 njerëz të tjerë në situatën e tij, të cilët ishin deklaruar zyrtarisht të vdekur. Sot ajo shoqëri ka 20 mijë anëtarë në të gjithë Indinë. Deri në vitin 2004, ata arritën të deklaronin 4 prej katër anëtarëve të tyre të gjallë. Në vitin 2004 ai kandidoi për një vend në Parlament në Lla Ganj.
Icke: Shpëtimi vjen nga humanoidët
David Icke është një ish-lojtar profesionist futbolli, prezantues i emisioneve sportive në BBC dhe zëdhënës i Partisë së Gjelbër britanike kombëtare. Që në vitin 1990, ai ka qenë një "hetues me kohë të plotë i asaj dhe atyre që kontrollojnë botën, zvarranikët". Ai vishet vetëm me ngjyrë të bruztë dhe pohon se bota është drejtuar nga një grup sekret i quajtur "Elita", një racë humanoidësh zvarranikë, të njohur në kohët e lashta si "Vëllazëria babilonase" dhe shumë prej njerëzve më të rëndësishëm e kanë prejardhjen prej tyre, përfshirë edhe George W. Bush, mbretëresha Elizabeta II dhe Kris Kristofferson. Ai është autor i 15 librave, ku shpjegon pikëpamjet e tij. Pas një leksioni prej 5 orësh, ai mori mjaft brohoritje në Universitetin e Torontos, në vitin 1999.
Nakamatsu: Fotografon çdo vakt 34 vjet
Yoshiro Nakamatsu (lindur më 26 qershor 1928) ose doktor Nakamats, është shpikësi japonez që pohon se mban rekordin për numrin më të madh të shpikjeve, përfshirë disketën e kompjuterit dhe këpucët elastike "Pyon Pyon". Ai ka fotografuar duke analizuar çdo vakt që ka konsumuar vetë gjatë një periudhe prej 34 vitesh. Synimi i Nakamatsut është të jetojë gjatë dhe t‘i kalojë 140 vitet e jetëgjatësisë në tokë.
Lotito: Zoti që i ha të gjithë
Michel Lotito (lindur më 15 qershor 1950) është një prezantues francez. Lotito, i cili ka lindur në Grenoble, është i famshëm pasi ha çfarë t‘i dalë përpara. Njihet si "zoti që i ha të gjitha". Gjatë shfaqjeve të tij, ai ha metal, xham, gomë dhe artikuj të tjerë si biçikleta, televizor dhe gjithçka tjetër. Nga viti 1978 deri më 1980 ka ngrënë një aeroplan të tërë. Filloi të hante materiale të pazakonta kur ishte fëmijë dhe që nga viti 1966 ka programet e tij televizive. Lotit, nuk vuan shpesh për shkak të dietës së tij, madje as kur konsumon materiale helmuese. Muret e stomakut janë dyfish më të trasha dhe acidet tretëse shumë herë më të fuqishme.
Marre nga : Gazeta Shqip