Edhe kete vit pushimet e shqiptareve tkurren

Edhe kete vit pushimet e shqiptareve tkurren

Papunësia, zgjedhjet, pasiguria e vendit të punës, rënia e tregut, kriza ekonomike, rritja e çmimeve, shtrëngimi i të ardhurave deri në pamundësinë e përmbushjes së nevojave minimale të jetesës, i detyron një pjesë të mirë të shqiptarëve të bëjnë zgjedhje të reja kur vjen fjala tek pushimet. Nga dy javë, ato janë reduktuar në vetëm një tani, ndonjëherë edhe në një fundjavë të shkurtër, sa për të mos thënë se nuk pushuam fare

Të rrish në shtëpi, të bie gjithnjë më lirë. Jo vetëm kur bëhet fjala për pushimet e verës, në fakt... megjithatë, kjo do të ishte zgjedhja e fundit, dhe më e mjera.


Ka kohë që shqiptarët e mesëm (se ata të varfrit bëjnë direkt zgjedhjen e parë pa e diskutuar hiç) i konsiderojnë luks ca ditë pushime, në çdo kohë e vend. Megjithëse sakrifica e lodhja e një viti të tërë duhet shpërblyer, përsëri sot, askush nuk zgjedh të pushojë ca ditë, qoftë edhe në bregdetin më modest, pa e çarë disi kokën e pa bërë mirë e mirë ca llogari me laps në dorë. Kur këto të uruara qëllon që dalin aty-aty, atëherë eja se po nisemi.


Kjo nuk ndodh sot në fakt. Ka vite që është kështu. Vetëm se tkurrja ka ardhur dalëngadalë. Fillimisht, kishte nga ata që pushonin “ca ditë këtej e ca ditë andej”, d.m.th. brenda e jashtë vendit. Pastaj, sipas takatit u ndanë, ata që zgjidhnin destinacionet përtej kufirit e ata që i qëndronin besnik mëmëdheut (edhe pse jo gjithmonë bujar në çmime). Zgjedhja ishte gjithmonë Turqia, më ekonomike, me më shumë alternativa të tilla për zgjedhje midis nivelit të hoteleve, por edhe më e organizuar.


Nga vjet në sivjet, mund të duket se s’ka ndryshuar shumë rreth mundësisë për pushime, e megjithatë, përsëri nuk është më njësoj. E dëgjon nga bisedat e përditshme të atyre që ngrenë supet kur i pyet se ku e kur do shkojnë për të pushuar. E konfirmojnë edhe vetë agjencitë turistike. “Situata e sivjetshme paraqitet më e dobët përsa i përket interesit rreth paketave turistike në krahasim me një vit me parë. Ka një kërkesë në rënie që ndihet vit pas viti”, tregon Junida Fortuzi, agjente turizmi. “Nëse do të përpiqeshim të bënim një vlerësim të shpejtë të situatës, mund të thosha se ka një rënie me 10% në krahasim me vitin e kaluar. Klientët tanë, që deri para pak vitesh preferonin të shpenzonin një shumë të konsiderueshme për pushimet, këtë vit shpenzojnë shumë më pak dhe zgjedhin destinacione më ekonomike”, shton ajo.


Dhe ndryshim destinacioni do të thotë kur timoni rrotullohet drejt fqinjit tonë më të afërt, Greqisë, e cila, me gjithë krizën që e ka pushtuar, ka ditur të luaj mirë gurët e çmimeve, duke lënë pas jo vetëm Turqinë, por edhe vetë Shqipërinë e Jugut, e cila, vazhdon të jetë mbajë jo pak të kripura çmimet.
 
Korfuzi sfidon


“Në rast se deri para pak vitesh tregu ishte i orientuar drejt Turqisë, sot mund të themi se çmimet e Korfuzit dhe të Halkidikisë bëjnë një konkurrencë mjaft të fortë dhe ndaj çmimeve të Jugut tonë (natyrisht ndihmuar dhe nga liberalizimi i vizave)”, sqaron administratorja e “Just Travel”, Junida Fortuzi. Sipas tabelës së çmimeve duket qartazi se këto qëndrojnë në raportin 1:2. Pra një javë në ishujt grek mund të të kushtojë sa gjysma e një jave në Turqi. Dhe nuk është pak. Duke parë këtë tendencë, si dhe duke patur parasysh kërkesën në rënie, për të ruajtur ekuilibrat, agjencia e saj, por edhe të tjera që operojnë në këtë sezon mundohen të nxjerrin oferta sa më joshëse dhe të leverdishme në ditët e udhëtimit që fluksi i kërkesës është më i ulët.
 
Dhe pushimet tkurren...


Shqiptarët jo vetëm që zgjedhin më së shumti plazhet vendase, por kanë nisur të reduktojnë pushimet e tyre.


Ndaj me sa më pak shpenzime të kalohen ditët e nxehta, aq më mirë është. Kështu, nuk janë të pakta ato familje që i kanë reduktuar pushimet e tyre nga dy javë në vetëm një, apo...edhe më tej, në vetëm një fundjavë. Më mirë se hiç...


“Këtë vit bie në sy reduktimi i ditëve të pushimit nga 10 netë në 7 apo 5 netë, por gjithashtu  vihet re dhe zëvendësimi i pushimeve të gjata në thjesht fundjava të shkurtra. Kjo është një nga tërheqjet e para që u vu re sa i takon rënies së kërkesës, qysh në fillim të sezonit, që në prenotimet e para”, na thonë nga agjencitë turistike.
Të gjitha arsyet të çojnë te skamja


Sigurisht, shqiptarët e kamur, shumë pak, aq sa janë, kriza nuk i prek as me pupël. Ata s’i pushon njeri nga puna dhe kjo e fundit nuk u varej dhe aq nga ndryshimet politike që sollën zgjedhjet e qershorit. Ata s’ndjejnë peshën e taksave të fryra të këtyre viteve të fundit, nuk duhet të zgjedhin midis pushimeve dhe dasmës, pushimeve dhe shkollimit të fëmijëve, pushimeve dhe dentistit, qerasë së shtëpisë, një hoteli me tre-katër-pesë yje dhe një çadre kampingu. Për ta nuk “bie Kartagjena” kurrë. Por, përtej brezit të kësaj “klase”, një tjetër brez i gjerë shqiptarësh të mesëm e të varfër, që punojnë e kursejnë gjithë vitin për të bërë një palë pushime në verë, kanë filluar të heqin dorë nga këto të fundit, pasi i kanë tkurrur ato deri atje ku s’mban më.
“Janë të shumta arsyet që ndikojnë në këtë situatë, mendoj se një ndikim jo pak të rëndësishëm kanë patur zgjedhjet. Vetëkuptohet që sa herë ka zgjedhje ka një pasiguri përsa i përket vendeve të punës, kështu që pushimet mënjanohen duke qenë të pasigurt për vazhdimësinë e punësimit. Së dyti duhet të kemi parasysh që mungesa e likuiditetit ka ndikim të dukshëm në përzgjedhjet që bëjnë klientët për të kaluar pushimet e tyre”, të thonë nga agjencitë e turistike. E kishit vënë re edhe ju që nuk të zë më syri nga ato reklamat e kredive për pushime...?
Arsyeja është gjithmonë varfëria dhe papunësia. Të rinjtë notojnë në bosh, ndoshta më pak kokëçarës. Të lodhurit e të rraskapiturit brez i mesëm i kanë sytë nga shtatori që shpesh vendos shumicën e fateve për punësim (për mirë a për keq qoftë e shkruar).


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama