Që Parisi është një qytet romantik këtë e di e gjithë bota. Por, që edhe shqiptarët dashurojnë shumë kjo shihet qartë. Nëpër rrugët e Tiranës mund të shohësh të rinj që ashtu pa asnjë lloj ndrojtjeje ecin të përqafuar me njëri-tjetrin. E nëse për një ditë të vetme do të zgjidhnim ta zbukuronim një urë njëlloj si “Ura e Dashurisë” në Paris, me siguri që do t’ia arrinim. E nëse krimet për hir të dashurisë janë të shumta, përse të mos jenë të shumtë edhe drynat e dashurinë në një urë?
Në kryeqytetin francez, në Paris, në urën që lidh bankën dhe muzeun e Luvrit u vendos që të dashuruarit të ndalnin për të kyçur dashurinë e tyre në urën më romantike dhe në qytetin më romantik të botës. Çelësat do t’i kishin vetëm ata, të dashuruarit dhe askush tjetër nuk do të mund ta hidhte drynin e dashurisë në lum, nëse partnerët e dashuruar nuk do të donin. Më të dashuruarit, kryesisht ata të sapomartuarit apo ata që pritet të lidhin jetën bashkë, pas mbylljes së drynit të dashurisë në urë, i hedhin çelësat në lum, si një shenjë e përkushtimit të tyre të përjetshëm. “Cadenas d'amour”, vendi i të dashuruarve në Paris tanimë përmban miliona zemra të kyçura, miliona premtime dhe dashuri.
Në Tiranë, kohët e fundit po përhapet një ide e tillë. Nëpër portalet sociale dhe nëpër rrugë të rinjtë kanë filluar të njoftojnë njëri-tjetrin se të dielën do të mblidhen për të inauguruar “Urën e Dashurisë” në Tiranë, ashtu si edhe në Paris, Poloni dhe Romë. “Ura e Dashurisë” në Tiranë do të jetë një nga urat e Lanës, ura përballë kishës katolike, sapo kalon Piramidën. Enisa Shevroja është vajza e cila do t’ua prezantojë këtë ide nëpërmjet intervistës me “Shekullin”. Ajo ka nisur e para lajmërimet. Dhe ajo, së bashku me “Vullnetarët e Vegjël”, kanë zgjedhur vendin, i cili shumë shpejt pritet që të kthehet në një nga vendet më romantike në Tiranë.
Si lindi kjo ide, Enisa?
Ne gjithmonë jemi përpjekur që me aktivitetet tona të zbukurojmë dhe të gjallërojmë jetën në qytet. Kishim bërë deri më tani aktivitete me shumë dashuri, por erdhi koha që të bëjmë edhe një vetëm për dashurinë.
Në fakt, është më se normale që të lindë një ide e tillë kur jeton në një qytet plot dashuri. Tirana ka pafund përqafime romantike, pafund të rinj që dashurojnë me pasion, pafund dashuri të fisshme, me thinja e të suksesshme. Në vendin tonë nuk gjen vetëm dashuri, por dashuri të mirë, dashuri të shëndetshme. Jemi të bindur që “Ura e Dashurisë” në Tiranë do të ketë drynat më të sinqertë e më të përhershëm të botës.
Organizohet të dielën, apo jo? Na thuaj diçka më tepër?
Ne 1 Shtator, të dielën, në ora 19:00. Vetë vjeshta është stinë romantike dhe jemi të sigurt që dita e parë e saj do t’i japë shumë hijeshi “Urës së Dashurisë”. Po mundohemi të organizojmë një atmosferë të këndshme me ndihmën e veçantë të artistëve të rinj Margret Radovani dhe Fatjon Xhika. Atë ditë do të ketë shumë zemra të bëra nga “Vullnetarët e Vegjël”, miqtë e mi në të tilla nisma, dhe shpresojmë se do të ketë edhe shumë dry.
Pse kjo urë dhe jo ndonjë urë tjetër në Tiranë?
Kjo është një urë pa makina, afër qendrës së qytetit dhe çuditërisht ka pasur gjithmonë një vello romanticiteti. Mbase nga pemët e mëdha që e mbulojnë apo nga rruga jo shumë e zhurmshme pranë saj. Jemi të ndërgjegjshëm që ka “Ura Dashurie” shumë të famshme, të bukura, me histori e të vjetra në botë, por mos harroni: një Urë Dashurie e zbukurojnë dashuritë që lidhin premtime në të dhe jo hekurat!
Sa është përhapur ideja dhe sa pritet të përqafohet në Shqipëri?
Jemi përpjekur të lajmërojmë sa më shumë miq e të njohur, madje edhe njerëz të famshëm.
Oh, po, patjetër që do ta përqafojmë fort edhe “Urën e Dashurisë”, ashtu siç kemi bërë me shumë tradita të tjera po kaq të bukura.
Ju vetë do ta kyçni dashurinë tuaj?
Një ditë, patjetër që po!
Një vullnetare si Enisa
Enisa është studente në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë. Ende nuk është diplomuar, por me siguri do të jetë një mjeke shumë e mirë. Prej vitesh, ajo merret me vullnetarizëm. E nëse gjatë rrugës të gjithë janë dorëzuar dhe kanë ndjekur ëndrrat e tyre Enisa ka menduar edhe për të tjerët, për më të varfrit dhe për një jetë më të bukur. Kur e pyesim se pse si ndihet një vullnetare si ajo, Enisa përgjigjet: “Vullnetarizmi është ndonjëherë mënyra sesi njerëzit realizojnë ëndrrat , dëshirat dhe synimet e tyre. Vullnetarët janë zakonisht njerëzit më të thjeshtë dhe njëkohësisht njerëzit më të pasur. Unë ndihem sot si një njeri i pasur, sepse kam miq që dinë të kontribuojnë për një jetë më të mirë. Njerëzit janë të jashtëzakonshëm! Janë të kulturuar e të sjellshëm sa herë që duan. Përkrahjen e kemi gjetur gjithmonë nëpër rrugë gjatë “Qoshkave” që kemi ngritur. Kam takuar njerëz të cilët zgjidhnin të blinin ëmbëlsirat tona e jo të pastiçerisë ngjitur me qoshkun tonë, njerëz që na përqafonin kur e merrnin vesh pse po e ndërmerrnim këtë apo atë akt, njerëz që çuditeshin, që na falënderonin dhe na përgëzonin. Është mirë të jesh vullnetare. Unë ndihem mirë”.
Dashuritë me hekurishte
Ura Dashurie ndoshta ka në shumë vende të botës, por ato më të famshmet janë: ajo në Poloni, një në Francë, në kryeqytetin Paris dhe tjetra në Romë, Itali. Disa vite më parë, në Paris u hodh ideja e të kyçurit të dashurisë në një urë. Mjaftonte një dry, një premtim, një përqafim dhe ca lot gëzimi. Dhe dashuria do të ishte aty përgjithmonë, në një dry, çelësat e të cilit do t’i kishin vetëm të dashuruarit, askush tjetër.
Po të ecësh pak në këmbë nga Kulla Eifel në Paris, e pastaj të ngjitesh lart në majën Montmartre, apo të shëtisësh në pazarin e famshëm të Champs Elysees... të gjitha këto duken kaq romantike, sepse ai është Paris. E nëse nuk e keni dashurinë e jetës suaj pranë, atëherë me siguri do të mendoni që qoftë edhe një herë të vetme do të riktheni në Paris. Aty mund të gjesh edhe urën e të dashuruarve. Thuajse të gjithë ata që shkojnë të vizitojnë muzeun e Luvrit, ndalojnë tek “Ura e Dashurisë” në Paris. Dhe kushdo që shkon në Paris shkon në muze, dhe kushdo që shkon në muze kalon tek Ura ku dashuria mbyllet me dry. Dhe të gjithë me siguri do të jenë zbukuruar përpara se të lidhen, thuajse përjetësisht aty.
Kjo ndodh edhe në Romë. Pranë lumit Tiber. Kryeqyteti italian, ashtu si ai francez, vendosi që: qoftë edhe një kënd në kryeqytet t’i dedikohet dashurisë. Ndryshe nga të dashuruarit në Francë, të cilët herë i mbajnë çelësat e drynave e herë i flakin në lum, italianët i flakin të gjithë, thuaj se të gjithë betohen për përkushtim të përjetshëm. Në Urën e Romës nuk ka aq shumë dry sa në Paris, thua se italianët mendohen mirë përpara se ta hedhin çelësin në lum.
Një urë e tillë shumë e famshme është edhe ajo në Poloni. Kjo madje dallohet për detajet më të bukura që kanë shkruar të dashuruarit në drynin e tyre. Kështu që, mund të themi se polakët, të gjithë të dashuruarit në Poloni e zbukurojnë dashurinë e tyre, përpara se ta paraqesin. A thua se vetë dashuria nuk është e bukur.