Ligji për Bankën e Shqipërisë sanksionon që guvernatori mund të shkarkohet vetëm në rast se dënohet me burg nga gjykata. Arrestimi dhe vendosja në ndjekje penale nuk mjaftojnë për shkarkim.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, por edhe Inspektorja e Përgjithshme Elivar Golemi, të arrestuar natën e të premtes nën akuzën për abuzim me detyrën në lidhje me skandalin e vjedhjes në kasafortat e Bankws sw Shqipwrisw, të zbuluar më 21 korrikun e kaluar, do të vijojnë të mbajnë formalisht postet që kanë aktualisht ndërsa hapësirat ligjore për shkarkimin e tyre mungojnë.
Ligji për Bankën e Shqipërisë sanksionon se Guvernatori dhe Inspektori i Përgjithshëm mund të shkarkohen vetëm në disa kushte ligjore të caktuara, ku asnjëri prej këtyre kushteve nuk është plotësuar.
Rruga e parë e shkarkimit e sanksionuar në ligj, është që Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë të propozojë dhe miratojë shkarkimin e tyre me shumicën e votave. Aktualisht Këshilli ka shtatë anëtarë, ku i shtati, vetë Guvernatori është në burg dhe nuk merr dot pjesë. Dy anëtarë mungojnë pasi nuk janë zgjedhur nga parlamenti. Këshilli aktual e rrëzoi propozimin e anëtares Ermelinda Meksi për shkarkimin e Fullanit më 14 gusht dhe nuk dihet nëse do të mblidhet sërish për të vendosur për të njëjtën temë.
Rruga e dytë është e thjeshtë, Fullani dhe Golemi mund të japin dorëheqjen.
Rruga e tretë është pezullimi nga Këshilli i Ministrave dhe shkarkimi nga parlamenti. Por kushtet ligjore për këtë rrugë duket se nuk janë plotësuar. Mbi Fullanin dhe Golemin nuk ka vendim gjykate për t’i dënuar dhe rrjedhimisht qeveria dhe parlamenti nuk mund të veprojnë.