Edi Hila Proteste artistike per Piramiden

Edi Hila: Proteste artistike per Piramiden
Piramida, Bashkia e vjetër e Tiranës e shembur në vitin 1980 dhe më tej Parlamenti që pritet të ngrihet. Kjo është vetëm njëra pjesë e ekspozitës së Edi Hilës “Viti ‘11”, çelur mbrëmë në galerinë “Zeta”. Kjo është një mënyrë e piktorit për të treguar të vërtetën e për të përcjellë një mesazh.

Piramida, Bashkia e vjetër e Tiranës e shembur në vitin 1980 dhe më tej Parlamenti që pritet të ngrihet. Kjo është vetëm njëra pjesë e ekspozitës së Edi Hilës “Viti ‘11”, çelur mbrëmë në galerinë “Zeta”. Këto objekte, të cilat i lidh një fill historik dhe emocional nuk janë rastësisht pranë njëra-tjetrës. Është një protestë artistike e piktorit dhe një mospajtim ndaj realitetit ku është i përfshirë. Pjesa e dytë sjell ngacmimet estetike të artistit nga periferia, ku përmes feksjes së ngjyrave Hila tenton të tregojë se edhe aty ka jetë, ka poezi, ka dasma e vdekje. Në fakt, Hila kërkon t’i mëshojë faktit se zgjedhja për të pikturuar institucione të tilla si Piramida, Bashkia apo Parlamenti nuk e përfshin atë politikisht, ndonëse debati rreth këtyre institucioneve është zhvendosur në këtë kontekst.

Për të, është një mënyrë për të thënë të vërtetën. “Unë nuk jam piktor që angazhohem politikisht, jam qytetar, mundohem të jem intelektual dhe artist i mirë dhe kjo më jep të drejtën që unë të jap mendim për këtë apo atë problem. Problemi më i madh sot është që kemi qytetarë indiferentë, po ashtu edhe studentë të tillë. Krijimtaria ime nuk punton drejt politikës, por në këtë rast kam zgjedhur këtë temë”, shprehet Hila. Sipas tij, ai mundohet të jetë realist për problemet që shqetësojnë jetën e të gjithëve dhe në këtë rast, me qëndrimin e mbajtur ndaj realitetit përpiqet ta orientojë krijimtarinë e tij drejt bashkëkohores.

Në këtë pikë, sipas tij artistët shqiptarë pas diktaturës e kanë keqpërdorur konceptin e bashkëkohores duke e reduktuar këtë në zgjedhjen e mjetit shprehës që i jep rëndësinë e parë formës. “Ideja e bashkëkohores lidhet me idenë e të vërtetës. Nëse transmeton një të vërtetë ke përcjellë edhe një të re. Të jesh bashkëkohor nuk do të thotë të jesh pjesë e realitetit, të mos e përputhesh me problematikën e tij dhe të vish me një propozim për të. Sigurisht që pjesa e ekspozitës sime që i dedikohet institucioneve kërkon të thotë të vërtetën për momentin që po kalojmë, ashtu thjesht, por me dhimbje. Kjo ka një ngarkesë emocionale më të madhe edhe për vetë situatën dhe diskutimin që bëhet.

Jo rastësisht është pikturuar Bashkia e dikurshme e Tiranës, e cila nuk është më sepse në vendin e saj u ngrit Muzeu Kombëtar. Atëkohë sigurisht në biseda, artistët e kanë vuajtur se si Tirana e humbi qendrën historike. I njëjti mentalitet dhe mendësi vazhdon me Piramidën. Arsyet i dimë të gjithë, por ky është mesazhi që unë mundohem pa zhurmë ta transmetoj këtë ide”, thotë Hila. Nga ana tjetër, piktori tregon se është kujdesur edhe për aspektin estetik të këtyre pikturave. Të zhveshura nga konteksti historik që është i njohur vetëm për shqiptarët, përballë një publiku të huaj ato mbeten vetëm vepra arti. “Jam munduar që pavarësisht kontekstit të tyre, të jetojnë e të transmetojnë mesazhin e tyre”, pohon Hila.

Nga ana tjetër, periferia vjen më pak e dhimbshme sa synohet zakonisht. Në ato pak tablo, ku janë fokusuar gjëra të përditshme, piktori ka tentuar të përcjellë një mesazh jete. “Unë përpiqem të mos përdor një ekspresivitet të egër, edhe këtu ka jetë, ka poezi, ka dasma, martesa. Periferia përgjithësisht lihet në harresë, është interesante si numër vetëm në raste fushatash”, pohon piktori. Hila ka zgjedhur ta bëjë këtë me një ndjesi specifike që të japin ngjyrat e përzgjedhura me këtë rast, në një cikël që ai pak a shumë e quan të mbyllur.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama