Edi Rama Bulevardi i ri do rishikohet drejtoret pa konkurse se jemi ne emergjence

Edi Rama: Bulevardi i ri do rishikohet, drejtoret pa konkurse se jemi ne emergjence

Kryeministri tha se emërimet e drejtorëve të përgjithshëm u bënë pa konkurse, sepse vendi ndodhet në emergjencë dhe se duhej ndaluar hemorragjia që po ndodh… “Nëse s’kanë rezultate pas 3 muajsh, do të ikin”. Batuta për kritikat e Spartak Ngjelës: Është aset opozitar, i paepur kundër të gjithëve, edhe kundër vetvetes kur i lypet, dhe ka gjithë konsideratën dhe respektin tim, edhe ia fut kot”.Rikthimi i konfliktit për kryeqytetin: Tiranës nuk i duhet një bulevard i pafundmë, i ndërtuar në asgjë. Do i kërkojmë Bashkisë së Tiranës të rishikojë projektin”

Shqiptarët prisnin në qeveri skuadrën e parë…atë të fushatës, me kryetarët e qarqeve dhe që nuk doli në fushë. Përse emra shumë të njohur të PS-së si Majko, Blushi, Xhafaj apo Klosi nuk u përfshinë në listën e qeverisë?

Ne jemi një forcë që kemi marrë një mandat shumë të fortë si aleatë për Shqipërinë europiane, por edhe si PS, si partia e parë e koalicionit për të çuar përpara një proces historik, për të bërë reformat e thella për të qeverisur në një mënyrë të re. Kjo do të thotë që Parlamenti nuk është ai që vjen pas, dhe vendosja e njerëzve në qeveri nuk është një klasifikim kontributesh. Por është organizimi i dy fuqive shumë të rëndësishme, i një grupi parlamentar që ka nevojë për eksperiencë dhe që ka domosdoshmërinë që të jetë në krye të procesit të reformave legjislative dhe i një qeverie që është ndërtuar me njerëz të rinj, të talentuar, ambiciozë dhe që do të jenë në vijën e zjarrit e do të përballen me opinionin publik përmes rezultateve.

Pse zoti Majko e zoti Blushi mund të digjeshin në këtë vijë?

Kjo do të thotë që Parlamenti do të marrë një rol të ri dhe qeveria do ta luajë rolin e vet në një mënyrë të re.

Është shmangie kjo nga ajo që u keni premtuar shqiptarëve, duke i nxjerrë të parët në lista në qarqe të ndryshme?

E para, unë nuk besoj se ne kemi në parti njerëz që janë tabela dhe njerëz që janë shkopinj që mbajnë tabelat. Skuadra jonë në fushatë ishte një skuadër për të funksionuar si e tillë dhe si e tillë do funksionojë. Të gjithë mbajtën peshën e tyre specifike dhe për shkak të historisë jo të gjithë e kanë peshën e tyre të barabartë.

Kush është filozofia e përzgjedhjes së këtyre ministrave?

Besoj që vetë skuadra është mishërim i filozofisë së ndërtimit të saj. Të gjithë ata që janë përzgjedhur janë të rinj por jo të panjohur, janë njerëz me kontribute mjaftueshmërisht bindëse për të marrë përsipër rolet që kanë marrë dhe janë shprehje e një kohe dhe e një palë zgjedhjesh që kërkojnë nga PS, nga aleanca, një qasje të re në të gjitha aspektet. E dyta, kemi rënë dakord për të ndërtuar një qeveri që ka numrin më të madh të grave në historinë e gjithë vendit. Për të dyja këto kemi marrë komplimente të merituara nga të gjithë.

Të përdorësh gratë si kamuflazh për të mbuluar një qeveri që s’ka asnjë personalitet është tjetër gjë?

Unë nuk e di çfarë personaliteti i rëndësishëm keni qenë ju në moshën 21-vjeçare kur keni marrë një studio aq të rëndësishme. Nuk është çështje moshe. Ta lëmë këtë histori, nuk është çështje eksperience, por është çështje personalitetesh që në moshë relativisht të re mund të bëjnë rezultatet që ne kërkojmë. Dhe nuk ka asnjë lidhje me atë që kërkojnë të krijojnë rreth e rrotull për të krijuar një përçarje brezash.

Ishin këta më të mirët që kishit?

Unë nuk kam krijuar shumë qeveri, kjo është qeveria e parë që ndërtoj. Por besoj se funksionon edhe në këtë rast e njëjta logjikë që funksionon edhe në një skuadër. Për mua, që një skuadër të funksionojë, duhet të ndërtohet në mënyrë të atillë që secili të ketë jo vetëm rolin e vet, por edhe vetëdijen se i takon një skuadre. Ndaj unë besoj se kjo është qeveria e duhur në këtë moment të duhur.

A kanë të drejtë t’i përgjigjen shtypit ministrat tuaj, zoti Rama?

Absolutisht që çdo ministër ka të drejtën t’i përgjigjet shtypit, por ka detyrimin që përgjigjen e tij ta harmonizojë me interesin e skuadrës, sepse ministrat janë pjesë e skuadrës. Është njësoj si të thuash që një lojtar të marrë topin e të driblojë për qejf, ndërkohë që skuadra bën tjetër lojë.

Të vijmë te programi dhe premtimet tuaja. Edhe Blushi në parlament bëri një batutë për programin, duke i thënë Berishës që të mos i besojë gjithçka shkruhet në të. Ishte batutë për ju apo për Berishën?

Ishte e Ben Blushit dhe kjo mjafton. Ndërkohë që nga ana tjetër, unë u besoj atyre që janë shkruar në programin e qeverisë. Dhe besoj po ashtu që nxjerrja nga konteksti e një replike në parlament për ta sjellë këtu si skepticizëm ndaj problemit tonë është gazetari interesante por jo objektive.

Z. Rama, keni deklaruar që asnjë emërim në administratën publike nuk do të bëhet pa konkurs. Keni emëruar një numër drejtorësh të përgjithshëm. Keni emëruar 6 drejtorë apo drejtoresha që vijnë nga ish-Bashkia e Tiranës? Për cilët nga të gjashtë personat është bërë konkurs?

Ajo që po ju them sot këtu është se gjendja në vendin tonë nga pikëpamja ekonomike dhe financiare është shumë e rëndë dhe vendosja e gjithë këtyre njerëzve është e imponuar një e nga një nga emergjenca për të ndalur hemorragjinë e përditshme në dogana, në tatime, në territor, në shërbimin spitalor kombëtar që nuk pret. Na është dashur të veprojmë menjëherë.

Cili është kriteri që keni zgjedhur?

Me kriterin që në këto vende duhen vendosur njerëzit që do të marrin përsipër ndaljen e hemorragjisë…

Pse nuk bëni konkurs, se drejtoresha që keni marre atje nuk ka marre dot provimin dy herë për kontabilitet?

Se çfarë ka bërë drejtoresha për kontabilitet, këtë do ta shikojmë… Të mos sjellim këtu fabrikime dhe storie. Po ju them edhe një herë që, të gjithë këta persona janë të tillë për ta përballuar me sukses këtë fazë emergjente… Për të gjithë këta do të flasin rezultatet, as partia, as ministri përkatës dhe as unë. Nëse rezultati pas tre muajsh do të flasë në favor të tyre, ata do të vazhdojnë të qëndrojnë, nëse jo, nuk do të kalojnë…

Është aleati juaj, një koment për deklaratën e Ngjelës, sipas të cilit kjo është një qeveri halldupësh…

Është aset opozitar i këtij vendi, i paepur kundër të gjithëve edhe kundër vetvetes kur i lypet dhe ka gjithë konsideratën dhe respektin tim edhe kur realisht ia fut kot.

Mbi ç’kriter zgjidhet drejtoresha e re e Tatimeve 28 vjeç?

Pse? Sa duhet të jetë, 58? Është një njeri që ka studiuar në këtë fushë dhe punon në sektorin bankar. Është marrë drejtpërdrejt me botën e sipërmarrjes… Kjo është gazetë e PD-së, kjo është “RD”, gazeta që lindi kundër partisë që e quante daljen në plazh… Se duhet të nxirrnim atje një njeri me ferexhe! Duhet të ishte me ferexhe? Çfarë do të thotë kjo? Që nxjerr një njeri në plazh në gazetë? Çfarë është kjo?

Ky është një nivel i atillë i gazetarisë që ju nuk duhet ta pranoni…

 

A do të përfundojë rruga e Arbrit?

Rruga e Kombit nuk ka mbaruar, nga ana e Shqipërisë. Rruga e Kombit sot kërkon edhe një shumë të madhe tjetër parash.

Po pyes për rrugën e Arbrit…

Ne, rrugën e Arbrit e kemi premtim strategjik dhe këtë prioritet do e ndjekim me gjithë vëmendjen që meriton dhe do vazhdojmë ta financojmë. Përsa i përket pjesës tjetër, kjo është pjesë që lidhet me krizën për të cilën po flasim. Kriza lidhet me një ngërç të madh të ekonomisë si pasojë e një borxhi të akumuluar që e ka bllokuar ekonominë. Jemi në kushtet kur janë të përllogaritura deri më sot rreth 17 miliardë ose 170 milionë dollarë borxhe në fushën e transportit, pra në rrugë, ndaj kompanive që kanë bërë punën dhe s’kanë marrë lekët. Janë rreth 20 milionë dollarë në sistemin e ujërave, 30 milionë dollarë në sistemin e shëndetësisë. Kemi 18 miliardë, pra 180 milionë dollarë si TVSH e parimbursuar. Kemi rreth 10 miliardë, pra 100 milionë dollarë si mosnjohje e tatimit të fitimit të kompanive të korporatave. Kemi dhe një shumë tjetër që i takon arsimit rreth 20 milionë dollarë. Këto janë shifrat e ekonomisë reale.

Si do t’i mbyllni?

Duhet të dimë përmasën e gjësë një herë. Ndaj s’mund të diskutojmë sot për rrugët ndërkohë që na është mbyllur rruga e ekonomisë. Po asfiksohen sipërmarrjet.  Publiku duhet të kuptojë gjendjen në të cilën jemi, se deri dje i është thënë që jemi të dytët pas Gjermanisë. Ne nuk jemi të dytët pas Gjermanisë, ne jemi në një vend në krizë. Të gjitha këto bashkë janë në rendin e 570 milionë dollarëve borxhe. Në një kohë që shteti e ka arkën bosh, e kanë zbrazur, e kanë lënë trok. Nuk ka para për të furnizuar me naftë ushtrinë, nuk ka para për të furnizuar me naftë policinë. Plus që janë dhe 60 milionë dollarë detyrime të papaguara nga vendimet e gjyqësorit. Kjo që ka ndodhur ka bërë që bankat në këto kushte, si pjesë e problemit, para kanë, por nuk japin kredi. Dhe niveli i kredive të këqija ka shkuar në 25 për qind.

Ata që kanë ndërtuar në zona informale dhe kanë aplikuar duke paguar lekët e aplikimit, do t’u kthehen lekët mbrapsht?

Jo. Ti thua që atij që ka legalizuar t’i kthejmë dhe lekët tani.

Çfarë qëndrimi do të mbani me Bulevardin e ri të Tiranës?

Projekti i Bulevardit të Tiranës do të rishikohet, do ta bëjë KRRTRSH-ja. Tiranës nuk i duhet një bulevard i pafundmë, i ndërtuar në asgjë. Do i kërkojmë Bashkisë ë Tiranës të rishikojnë projektin.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama