Edi Rama Do luftojme korrupsionin dhe do reformojme drejtesine

Edi Rama: Do luftojme korrupsionin dhe do reformojme drejtesine

Kryeministri premton online luftë edhe ndaj monopoleve si Belle Air dhe ngritjen e padive ndaj ish- zyrtarëve të korruptuar. Rama tha se ligji për nëpunësin civil krijonte një vakum të rrezikshëm pasi nuk ekzistonin aktet nënligjore.

Edi Rama e ka nisur konferencën e tij të parë online si Kryeministër me vonesë.

“Jam këtu, ndjesë për vonesën, çështje interneti në djepin e Shqipërisë digjitale,” shkruan Rama.

Kryeministri i përgjigjet fillimisht pyetjes se a ka një projekt të Serbisë së Madhe, ku është përfshirë qeveria e Berishës.

“Qeveria e mëparshme ka plot faje, por jo këtë,” shkruan Rama.

I pyetur nëse do të kallëzohen penalisht ish- pushtetarët që janë përfshirë në afera korruptive, Rama thotë: “Padyshim që po”.

Më pas Rama angazhohet: “Do të reformojë strukturat shtetërore dhe do të godasim të korruptuarit”.

Një vlerësim shkon edhe për Policinë e Shtetit dhe punën e saj këto ditë.

“10 ditët e para në detyrë të Ministrit të brendshëm premtojnë shumë, jam i bindur se ne do ta kthejmë Policinë e Shtetit në detyrë”.

Rama angazhohet edhe për reformimin e Maturës Shtetërore, në funksion të konkurrencës dhe të meritës.

Rama tha se qeveria e ka bërë gati bazën ligjore për një ndërhyrje të fortë ndaj ndërtimeve pa leje.

Kryeministri thekson se do të vazhdojë të zhbëjë vendimet e marra nga qeveria e Berishës gjatë kohës që ajo kishte humbur pushtetin.

“Kemi nisur shfuqizimet sikundër jemi zotuar publikisht dhe do të vazhdojmë,” thotë Rama.

I pyetur nëse do të ketë favorizime ndaj bosave shqiptarë, Rama thotë se nuk do ketë asnjë favorizim.

I pyetur në lidhje me bulevardin e ri të Tiranës, Rama tha se po e ndjekin nga afër çështjen e shpronësimeve që po bën Bashkia.

Rama tha se situata ekonomike në vend është e rëndë.

“Kriza e ekonomisë dhe financave të vendit është e thellë. Po përgatitemi për një ndërhyrje radikale. Do ta kapërcejmë së bashku”.

I pyetur në lidhje me çështjen e drejtësisë së korruptuar, Rama tha: “Shumë shpejt nis punën një grup ekspertësh për të çuar më tej reformën në drejtësi”.

Në lidhje me pyetjen për sportin dhe premtimin e qeverisë së kaluar për një stadium modern, Rama është përgjigjur:

“Do ta nisim nga sporti për të gjithë. Të premtosh stadiume në kohë krize ekonomike, është një sport i të shkuarës:-)”.

Duke u ndalur tek diskutimet për ligjin e nëpunësit civil, Rama ka thënë se “i rrezikshëm është vakumi që krijon ligji në fjalë si i pazbatueshëm për mungesë aktesh nënligjore”.

Pyetjes së një prej bashkëbiseduesve për bashkëkryetarë të qeverisë, së bashku me Metën, Rama i është përgjigjur: “Me siguri do keni parë programin e PD dhe keni parasysh PD në shumëbashkëkryetarësi:-)”.

Rama është ndalur edhe tek kompanitë ajrore, veçanërisht tek favorizimi i Bell Air, pas pyetjes së një bashkëbiseduesi.

“Goditja e monopoleve është pjesë e programit tonë. Belle Air ka një pozicion të privilegjuar dhe problematik në treg”, tha Rama.

Ndërsa në lidhje me shkrirjen e Gardës së Republikës, kryeministri Rama është përgjigjur se, “Garda e Republikës është strukturë që s’e ka shoqen në botën bashkëkohore. Shkrirja e saj, nevojë strukturore e shtetit”.

Pyetjes se përse Taulant Balla nuk është zgjedhur ministër, edhe pse në Librazhd PS arriti një rezultat spektakolar, Rama i është përgjigjur kështu: “Taulant Balla është nënkryetar i grupit tonë parlamentar dhe drejtues i delegacionit tonë në Parlamentin Europian”.

Në lidhje me punësimin e të rinjve, por edhe të shtresave të papuna të tjera, Rama ka thënë se, “do të krijojmë hapësira të reja punësimi për të rinjtë përmes arsimit profesional, investimeve prodhuese, konkurseve reale”.

“Qeveria s’ka mbushur ende pesëmbëdhjetë ditëshin dhe nuk ka asnjë shkop magjik për t’i ndryshuar gjërat sa hap e mbyll sytë!”

Rama përsëriti se ata nuk do e pastrojnë administratën nga njerëzit, por shtetin nga korrupsioni.

Rama u angazhua se ata si qeveri do jenë më pranë emigrantëve e qeveritë paraardhëse.

Kryeministri tha se nuk do ushtrohet më aktivitet tregtar në ambientet e shkollave.

Rama tha se siguria në vend do të vijë më shpejt se punësimi, por tha se pas katër vitesh ata do ballafaqohen me çdo zotim.

“Ne do të bëjmë për fshatin shumëçka fshatit i është mohuar këto vite,” tha Rama.

Rama po ashtu përsëriti se qeveria shqiptare është e shqetësuar për për zbatimin e marrëveshjeve në Maqedoni.

“Jemi në mbështetje të plotë të vëllezërve tanë në Maqedoni,” tha Rama.

Më pas Kryeministri u largua nga biseda, duke theksuar se kur ishte në opozitë kishte më shumë kohu për të folur.

“Me lejen tuaj po kthehem në punë. Bashkë do ia dalim,” e mbylli bisedën Rama.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama