'31 intervista thjeshtësisht mbresëlënëse. Secila shumë e ndryshme nga tjetra, por të ndërlidhura shqip',- shkruan mes të tjerash në parathënien e librit “Shkrimtarët e shekullit” të autores Rudina Xhunga, kryeministri Edi Rama, një pjesë e së cilës botohet sot në suplementin e Mapos.
Është ky perceptimi i një lexuesi, që jo aq rastësisht është dhe Kryeministri i vendit, që fton në lexim një tjetër lexues, më i madh në numër, aq sa dhe numri i kopjeve që botuesja Arlinda Dudaj do të nxjerrë javën e ardhshme në treg.
Libri ka ngjallur interes për shumë e shumë arsye. Dy emra që i paraprijnë leximit; Edi Rama dhe Rudina Xhunga garantojnë suksesin e një libri, vlera më e madhe e të cilit janë padyshim 31 intervista me shkrimtarët më të njohur të shekullit, disa prej tyre nobelistë, e shumë që e kanë pretenduar çmimin më të rëndësishëm të letrave në botë.
Botuesja Dudaj, paraprakisht na zbulon edhe disa sekrete të vogla në bisedën me të. Edi Rama jo vetëm ka shkruar parathënien, por ai është kujdesur edhe për realizimin e kopertinës së librit, në këtë rast ka ngritur krye shpirti i artistit.
Për të zbuluar kopertinën dhe shijen e leximit të një libri të mirë, duhet të presim derisa “Shkrimtarët e shekullit” të Rudina Xhungës të jetë në vitrinat e librarive të Tiranës.
Rama si lexuesi i 31 shkrimtarëve të shekullit
Libri i Rudina Xhungës “Shkrimtarët e shekullit”, botimi i të cilit po “vononte” për shkak të Edi Ramës, do të dalë në fund të javës së ardhshme në treg. Libri ka ngjallur interes ende pa shkuar në duart e lexuesve, jo vetëm sepse në të janë përmbledhur intervistat e 31 shkrimtarëve më të spikatur të shekullit, por edhe sepse leximit të tyre i paraprin parathënia e shkruar nga kryeministri Edi Rama.
“Shfaqje e rrallë, për të mos u humbur”, – shkruan mes të tjerash në parathënien e librit kryeministri Rama.
“31 intervista thjeshtësisht mbresëlënëse. Secila shumë e ndryshme nga tjetra, por të ndërlidhura shqip; falë një shqiptareje, e cila endet prej kohësh në bibliotekën e botës duke ëndërruar ta kapërcejë edhe kufirin e fundit, ku në fund ndalet për t’u kthyer me alibinë e diçkaje të bukur; zëra, që vijnë nga larg përmes një si harte shenjash e kodesh nga ato të thesarkërkimeve ku papritur, sheh vende që i njeh pa i pasur shkelur kurrë, fytyra që i ke dashur dikur, edhe pse i sheh për herën më të parë; apo që i ke njohur e dashur përherë, por papritur i gjen krejt ndryshe, si përtej dritares së hapur drejt botës shqipfolëse nga Robert Elsie, në një intervistë që sjell veçanërisht kënaqësinë e një takimi ku tingulli e tronditja shfaqen bashkë si gur i rënë vrik mbi pasqyrën e ujit për t’u bërë rrathë që përhapen rrotull teje, dhe vështrimi tretet pa ngut duke kapërcyer një e nga një kufijtë që shtyjnë njëri-tjetrin; në rrjedhën e kohës që prej dritares së Salman Rushdie vjen si hapësirë vetjake ku zënë vend me radhë, të gjitha kuptimet e mbledhura bashkë prej kohësh dhe vendesh të ndryshme, dhe kujtesa njehsohet me eksperiencën e fëmijërisë, ndërsa shqetësimi vjen nga kufiri i fundit, ai që refuzon së brendshmi të pushojë së qeni para raportit të paracaktuar në lidhje me dikë, disa a të gjithë….”, – ky fragment i shkëputur nga parathënia e librit është perceptimi i kryeministri Rama si lexues, si një lexues që shijet e tij të leximit ua përcjell edhe të tjerëve, duke i ftuar që si dhe ai ta marrin dhe ta lexojnë këtë libër. Jo vetëm kaq. Kryeministri Edi Rama është dhe njeriu që është kujdesur dhe për ideimin e kopertinës së librit, e për të zbuluar këtë duhet të presim derisa libri të jetë në libraritë e Tiranës.
“Jo kryeministri Edi Rama, por Edi Rama”… Rudina Xhunga gjithmonë kërkon ta ndajë postin nga emri jo vetëm për vitet e njohjes me atë që sot është Kryeministri i vendit, por edhe për faktin se Edi Rama është njeriu që ka nxitur intervistat e gazetares së emisionit “Shqip” në Top Channel me personalitete bashkëkohore, përfshi dhe 31 shkrimtarët, intervistat e të cilëve Rudina Xhunga i ka mbledhur në një libër. Ndaj është e kuptueshme ky interesim i lexuesit për librin, që përveç shijes së mirë të leximit të intervistave me shkrimtarë të njohur si Amos Oz, Orhan Pamuk, Doris Lessing, Atiq Rahimi etj., etj, i paraprijnë dhe dy emra të pushtetshëm në fushën e tyre profesionale; Rudina Xhunga si gazetare dhe Edi Rama si Kryeministër. Kjo pritje së shpejti do të marrë fund. Këtë e pohon dhe botuesja e Shtëpisë botuese “Dudaj”, Arlinda Dudaj: “Libri del në treg të premten e javës që vjen. Siç dhe është bërë e njohur tashmë, libri përmbledh 31 intervista të shkrimtarëve më të njohur të shekullit dhe është kurorëzimi i një pune shumëvjeçare të gazetares Rudina Xhunga në emisionin “Shqip”, një punë që vazhdon”.
Sipas Dudajt, ky libër i drejtohet tërësisht lexuesit shqiptar sepse i ofron lexuesit intervistat e 31 shkrimtarëve, të cilët ata i njohin përmes librave, por përmes rrëfimit të tyre për gazetaren Rudina Xhunga ata do të mund të njohin edhe anën e tyre njerëzore. “Në intervistat e tyre, ata tregojnë për veten dhe sesi e njohin Shqipërinë, sepse autorja e librit është kujdesur që në çdo intervistë t’i pyesë jo për Shqipërinë, por i shikon ata edhe në jetën e tyre familjare, në ëndrrat, ankthet, dëshirat dhe shqetësimet e jetës së tyre të përditshme. Ata shkrimtarët e shekullit, shkrimtarë që kanë marrë “Nobeli”-n apo që kanë qenë pretendentë për çmimin më të rëndësishëm të letërsisë u flasin ekskluzivisht shqiptarëve. Ndaj për këtë arsye është një libër shumë personal për çdo lexues që do ta marrë në dorë”, – thotë Dudaj, e cila na rrëfen edhe disa “sekrete” të vogla të bashkëpunimit me Ramën për botimin e këtij librit.
Edhe Dudajt i vjen po natyrshëm që kryeministrit t’i drejtohet me emër. “Edi Rama është një njeri që e do librin dhe vazhdon të jetë pranë librit, edhe pse tani është një njeri me angazhime politike. Atij iu kërkua që kur libri ishte dorëshkrim, (akoma pa u bërë kryeministër), që ta lexonte dhe nëse do t’i pëlqente, të bënte dhe parathënien. Sigurisht që kjo kërkesë erdhi dhe si pasojë e njohjes që autorja vetë ka prej vitesh me Edi Ramën. Dhe ndodhi që ai që është sot Kryeministri i vendit, pranoi ta shkruante parathënien si një njeri që e do librin, dhe jo si politikan. Ndaj parathënia flet pikërisht për perceptimin e tij si lexues. Ai është një lexues që fton në lexim një tjetër lexues”, -thotë Dudaj, e cila shton se dhe për ideimin e kopertinës nuk ka munguar bashkëpunimi i kryeministrit Rama, që me sa duket nuk i ka shpëtuar dot ngacmimit të artistit.