Edi Rama Pensionet reforma prek moshen 40 vjec e poshte

Edi Rama: Pensionet, reforma prek moshen 40 vjec e poshte

Rritja e pensioneve është një opsion jo i preferueshëm nga qeveria edhe pse është propozim i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kështu pohoi dje kryeministri Edi Rama gjatë një interviste në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut. Sipas tij, opsioni tjetër është heqja e tavanit dhe liberalizimi i kontributeve.

“Ta kenë shumë të qartë se reforma e pensioneve do të afektojë ato që janë sot 40 vjeç e poshtë. Në të dyja opsionet, reforma do të shtrihet në kohë dhe është për të shpëtuar vendin e gjeneratës tjetër”, - tha Rama.

Ai deklaroi më tej se do të mbahet premtimi për legalizime falas, ndërsa theksoi se sistemi i gjobave nga policia do të vijojë në zbatim të ligjit duke pranuar se procesi do përmirësohet në vijim. Kreu i Qeverisë komentoi më tej dhe paketën fiskale, apo prishjen e ndërtimeve pa leje.

Vendosja e gjobave nga ana e policisë, a është një fushatë e paligjshme?

E vërteta është që së pari, do flasim për ato që ju mund t’i quani mosrealizime dhe së dyti, pa asnjë dyshim që nuk mund të pretendojmë të kemi në kaq pak kohë një sistem të përsosur administrimi për shkak të asaj që trashëguam.

Por të pamësuar me pagesën e gjobave, sidomos ata të cilët janë mësuar të bëjnë të fortin në raport me policinë, me shtetin, duke pasur dhe një zë në publik, këtu kam parasysh jo veç gazetarë dhe analistë, por dhe ofiqarë, deputetë e ministra, sot ndjehen jo mirë dhe pastaj e zmadhojnë këtë problematikë. Gjobat e papaguara janë një problem që kemi marrë përsipër ta zgjidhin.

 Qytetarët të gjithë kanë mundësi të verifikojnë nëse kanë apo jo gjobë, qytetarëve të cilëve u dërgohet gjobë u jepet dhe mundësi apelimi dhe ata kanë në dorë një faturë që u lejon të qarkullojnë sa të marrin zgjidhje.

Nuk kanë marrë njoftim....

Nuk e kanë marrë për shkak të kaosit me problemin e adresave. Të gjitha kanë shkuar me postë. Por gjithsecili mund të verifikojë në faqen e Ministrisë së Brendshme.

Do ju kërkoni falje atyre që u kthyen mbrapsht në kufi për festa?

Nuk do u kërkojmë falje se për 2 javë para nisjes së këtij procesi qytetarët u lajmëruan. Nga ana tjetër, e vërteta është se mundësia e pagimit të gjobave është aty, dhe në pikat kufitare dhe ata mund të paguajnë.

Nuk është sistem i përsosur, me siguri ka dhe defekte dhe ka shkak t’u kërkohet ndjesë atyre që janë pre e defekteve, por ky proces nuk do ndalet. Nëse duam të kthehemi nga një katrahurë totale në një vend funksional, duhet të biem dakord se çdo rregull duhet të zbatohet.

Në këto 100 ditë rendi është në një situatë katastrofike, vrasje, grabitje ...

Do lexonit dyfish në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Kemi ulur kriminalitetin me 42 %, në raport me vitin e 4kaluar.

Keni rakorduar shifrat?

Nuk i referohem një partie që doli në opozitë dhe për shifrat e krimit. Ky është një krim në vetvete.

Dhe të tjerët e kanë bërë...

Flas për paraardhësit dhe mënyrën se si dy paraardhësit e fundit janë sjellë.

Borxhi, ishte 64 %, e keni çuar në 75% ndërkohë do merrni 1.4 miliardë  dollarë më shumë borxh...

 Nuk kemi rritur borxhin, kemi legalizuar një borxh që ishte aty, të shpallurin dhe të fshehurin. Atë borxh që u skanua dhe doli në dritë në bashkëpunim me FMN-në dhe një kompani auditimi prej 726 milionë dollarësh që ishte një borxh real faktik por i padeklaruar.

Ajo është garancia se në 4 vitet e ardhshme borxhi do kthehet në shifra shumë më të pranueshme nga këto që kemi sot dhe do shkojë në 64 %. Ky është objektiv i nënshkruar në marrëveshjen me FMN-në e cila nuk shkruhet sot dhe harrohet nesër, por është dokumenti bazë i monitorimit të gjithë reformave që kemi ndërmarrë.

Keni marrë borxh 1.4 miliardë dollarë dhe keni gjetur 720 milionë dollarë. Diferencën për çfarë i doni?

Unë e di nga e keni nxjerrë, por nuk dua të merrem me burimin por po shfrytëzoj hapësirën të komunikoj me publikun. Ne trashëguam Shqipërinë në buzë të greminës.

Trashëguam borxhin e fshehur që kishte bllokuar zinxhirin e ekonomisë. Kompanitë për rrugët dhe të tjerat, kanë bërë shërbime dhe madje janë shtyrë shpesh me dhunë të marrin dhe kredi në banka për të financuar punët publike.

Bankat kanë dhënë këto kredi dhe në një moment të caktuar bankat kanë bllokuar kreditë. Me këto masa do injektojmë në ekonomi investime dhe shlyerjen e borxheve, 1.1 milionë dollarë. Kjo bëhet në funksion të rifillimit të punës, kreditimit, uljes së kredive të këqija, hapjes së vendeve të punës.

Keni marrë 240 milionë dollarë borxh në tetor pse nuk shlyet borxhet?

Se ai duhej për të mbajtur në këmbë shtetin, të garantoheshin pagat e pensionet, shërbimet bazë, ilaçet. Është një borxh që qeveria e mori në buzë të greminës.

Sot (Dje) në 9 janar administrata nuk ka marrë ende rrogat?

Ka ende një pjesë të vogël të mbetur por kjo nuk ka lidhje me fluksin e parasë.

Sa është borxhi që do merrni?

Ne kemi marrë një borxh shumë të favorshëm nga FMN, BB. Nuk flas për shifra konkrete pa kaluar marrëveshja në bordin e FMN, kalon së shpejti. Borxhi do rivërë në lëvizje ekonominë.

Paketa fiskale, pse ndryshimi?

Ishte një ndryshim për të vendosur drejtësi në kontributet për shtetin dhe për të cilën jemi votuar.

Këta që paguajnë më shumë janë 0.3 % nga ata që paguajnë dhe paguajnë 23 %...

Nuk ka 23 %, është 17 %. Kemi mbajtur premtimin për 97 % të shqiptarëve. Ne nuk kemi masakruar askënd. Dhe në nivelin e lartë kemi taksa ndër më të ulëtat në Evropë dhe normale dhe për rajonin.

Pse taksa më e lartë për 11 mijë njerëz?

Nuk është e vërtetë. Është sonata e hënës me gërnetën e Dilaver Bariut, me gjithë respektin për Dilaverin. Këto nuk kanë lidhje me partiturën.

1 biznes që bën 20 milionë lekë në vit dhe një njeri që merr 1.7 milionë në muaj njëri paguan 7.5 dhe tjetri 17?

 Krahasoni të pakrahasueshmen. Ulja e tatimit për biznesin e vogël sot ka gjysmën e detyrimit që kishte. Nga ana tjetër heqja e taksës përfundimisht biznesit të vogël janë pjesë e programit tonë dhe fryma jonë e qeverisjes.

Thatë që keni ulur taksën për 97 % të atyre që paguan. Sipas llogarisë 56 % paguhen më pak se 300 mijë lekë, pra nuk tatohen si më parë...

Këtë e kam dëgjuar nga opozita në Komisionin e Ekonomisë. 300 mijëshi me tatim 0 ishte propozimi ynë në fund të vitit të kaluar, u mor dhe u adoptua nga qeveria e kaluar. Padrejtësia në atë kopjim ishte se ndërkohë që ai që kishte 300 mijë paguante zero ai që merrte 301 mijë paguante direkt 10 %.

Ata 56 % që paguhen 300 mijë lekë  do paguajnë 2.7 % më shumë për inflacionin, do paguajnë më shumë çmime. Kjo paketë i ka varfëruar shqiptarët?

Këta që kanë rrogën 300 mijë lekë nuk shfrytëzojnë rrugën me automjetet e tyre. Në çmimet që thoni ju, në rritjen e çmimit të naftës ka element abuziv dhe ne po merremi me të.

Është rritje që nuk përkon me rritjen e parashikuar që është me impakt thuajse 0. Sa i përket cigareve rritja është e vetëdijshme për të dekurajuar konsumin e cigares. Unë nuk mund ta pranoj që sot të dëgjohet një opozitë që thotë se kjo është luftë me dashamirësit e duhanit, kjo është luftë në shkallë botërore.

Integrimi, ku është përgjegjësia juaj personale?

Qeveria ka vetëm një pjesë në këtë histori, vlerësimet më të larta.

Burime të rëndësishme diplomatike në Bruksel kanë thënë se Danimarka ka marrë seriozisht çështjen ‘Meta’, dosjet i keni çuar dhe në Holandë...

Ne nuk kemi çuar dosje për këtë çështje askund. Nuk di nëse korrespondentin e keni në Bruksel apo te kulla e PD-së.

Në marrëveshjen me FMN-në parashikohet që të rritet mosha e pensionit?

Nuk ka asgjë të tillë, parashihet reforma e pensioneve. Ne kemi një situatë me pensionet që është tërësisht e papranueshme e akumuluar nga qeveria dhe qeveritarë që nuk kanë dashur t’ia dinë fare. Ne nuk kemi ardhur në qeveri dhe unë nuk jam bërë kryeministër për të përsëritur këtë zakon.

 Sot sistemi ynë i pensioneve është i papërballueshëm. Ka një deficit që nuk e mbulon sistemi prej 45 % dhe kjo mbulohet nga taksimi i përgjithshëm. Rritje e moshës së pensionit është njëri opsion, por nuk është i preferueshme nga ne.

 Opsioni tjetër është heqja e tavanit dhe liberalizimi i kontributeve. Ta kenë  shumë të qartë se reforma e pensioneve do të afektojë ato që janë sot 40 vjeç e poshtë. Në të dyja opsionet, reforma do të shtrihet në kohë dhe është për të shpëtuar vendin e gjeneratës tjetër.

Legalizimet falas, në fillim thanë procedurë tani është premtim i dështuar? (Transmetohet kronikë e ABCNews)

(qesh) Më ra ritmi i të qeshurës jo se këta më kapën po se janë shumë të kapur. Konfirmoj se brenda katër vjetëve do i japim fund kësaj drame të madhe. 300 mijë njerëz janë në një situatë ilegale.

 160 mijë prej atyre që kanë aplikuar për legalizim nuk kanë parë që tu trokasë shteti në derë. Mirë ata që nuk e dinë ku kanë kokën dhe për 100 ditë bëjnë bilancin e 4 vjetëve por nuk u takon juve që të flisni për dështime brenda 100 ditësh.

Fola për ndryshim premtimi?

Jam nganjëherë i paaftë të ndaloj të papërmbajturin gaz. Ato familje që kanë paguar lekët, 50 mijë nuk kanë marrë asgjë.

Me lekë apo pa lekë do legalizohen?

 Do e jap përgjigjen. 26 mijë prej tyre kanë marrë atë që e kam quajtur ‘Shaban tapinë’ por dhe ata kanë problem hipotekimin. Ne do ndryshojmë komplet politikën, do çojmë shtetin tek ata dhe brenda këtij muaji do shpallim platformën e legalizimeve falas, ashtu siç ne i kuptojmë dhe i shikojmë këto çështje.

Platforma është e plotë, ka alternativa për të harmonizuar dhe nevojën që prona mos jetë problem i gjeneratës tjetër, dhe trashëgimtarët e asaj prone mos jenë në gjak.

Detyra ime është që pas katër vjetëve zonave informale, atyre që kanë ndërtuar shtëpi për të pasur mbi kokë një strehë, ne do u zgjidhim këtë problem dhe platforma jonë është një platformë ku ka alternativa dhe alternativa falas është aty.

“Ndërtimet pa leje, prishja do të vazhdojë”  Rrënimi i pallatit në Vlorë, a ishte hakmarrje politike?

Nuk kam dhënë deklarata për këtë objekt. Deri në fund nuk e kam besuar që në këtë ngrehinë kishte dorë kryetari i opozitës.

Vjehrri ishte pronar...

Vjehrri nuk është figurë politike. Rasti është flagrant dhe ne presim që prokuroria të zbardhë të gjithë zinxhirin e grabitjes që i është bërë qytetit të Vlorës dhe publikut duke i marrë detin për të ndërtuar pallat.

 Në këtë Shqipëri me 59 % ndërtime pa leje duhet të prishej e vetmja godinë që ishte me leje?

E vetmja për të cilën flitet, por nuk është e vetmja. Tani do vazhdojë edhe një valë e re prishjesh për godina që kanë dokumentacion, edhe pse skandaloz, dhe ato do kalojnë në procedurë shpronësimi.

A rrezikoni që me këtë standard, gjysma e lejeve që keni dhënë ju në Tiranë do prishen?

Këto janë spekulime. Di të them se aty ku e parashikon ligji do zbatohen ligjet e shtetit.    


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama