Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot ka ditëlindjen. Ky është një përvjetor i veçantë sepse mbush 50 vjeç, dhe ndodhet në këtë moshë në detyrën më të lartë, atë të kryeministrit të Shqipërisë. Njëherësh, ky 50-vjetor vjen pikërisht në momentin që pret të bëhet baba për herë të dytë nga martesa e tij me Linda Bashën.
Në rrjete sociale kanë filluar urimet e shumta për kreun e qeverisë, i cili çdo vit kremton ditëlindjen me festën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe si shenjë falënderimi kryeministri ka postuar një status në rrjetin social twitter:
“Flm me zemër për urimet e panumërta dhe pse më kujtoni papushim se s’jam më i ri. Po mbase mund të jetë edhe kështu”, ka shkruar Rama në twitter, ku ka bashkangjitur edhe një bluzë të zezë, në të cilën shkruhet “ Unë nuk jam 50 vjeç, unë jam 18 me 32 vite eksperiencë.”
Edi Rama ka lindur më 4 korrik 1964 në Tiranë dhe është djali i artistit të njohur Kristaq Rama. Ka studiuar në Akademinë e Arteve për pikturë. Në vitet 90 ka qenë ndër publicistët e rrallë dhe është përfshirë që në zanafillë me lëvizjet e para demokratike. Që nga viti 2001, për 11 vjet me radhë, në tre mandate ka drejtuar Bashkinë e Tiranës.
Edi Rama ka një karrierë të larmishme në arte, sport, mësimdhënie, publicistikë dhe politikë. Ka qenë pedagog i pikturës në Akademinë e Arteve, lojtar i ekipit kombëtar të basketbollit, autor i librave "Refleksione" në bashkëpunim me Ardian Klosin, botuar fill pas rënies së diktaturës, dhe "Kurban", botuar në vitin 2011. Po ashtu, Edi Rama ka botuar edhe dy libra arti me krijimet e tij në bashkëpunim me artistin e njohur Anri Sala, si dhe është autor e pjesëmarrës i shumë ekspozitave nëpër botë.