Libri i Edi Ramës “Kurban” del sot në treg, nëpër të gjitha kioskat e kryeqytetit. Botuesja “Dudaj”, si biznes i librit, e ka bërë detyrën e tij duke e servirur te lexuesit si befasi dhe libër përcëllues! Por, pjesa e ndjeshme e lexuesve ka reaguar menjëherë: Libri i Edi Ramës është plagjiaturë, titull i kopjuar, po ashtu edhe ide të vjedhura. Këtë lajmërim e gjejmë në një nga blogjet shqiptare: zekthi.blogspot.com. Autori është E. Kaceli, i cili shkruan se dikur në gjuhën shqipe është botuar një roman nga një autor indian, me të njëjtin titull “Godan”, përkthimi në shqip “Kurban”. Megjithëse na sugjerohet se libri mund të gjendet në bibliotekat shqiptare, ndodhi e kundërta. Në një librari buzë rrugës “Mine Peza”, ishin stivë libra të vjetër, shitur nga ndonjë bibliotekë personale. Rastësisht, dy ditë më parë, në këtë turrë librash syri na zuri dhe librin e Premchand në shqip. Saktësisht emri i autorit shënohej: Prem Çand, “Kurban”, roman. Nga kopertina, dhe faqet e brendshme, shoqëruar me parathënie, romani është sjellë i përkthyer në shqip nga Vedat Kokona, prej gjuhës frënge, botimet “Naim Frashëri”, 1977.
Për këtë libër nuk kishin dijeni një pjesë e mirë e shkrimtarëve në Tiranë, po ashtu dhe botues.
Fjala “Godan” shpjegohet në fund të romanit, pasi vdes protagonisti: fjalë për fjalë “godan” është “dhurata e lopës”, ceremoni indiane që kryhet me rastin e vdekjes së një indiani dhe që konsiston në kurbanin e një lope për brahmanin, lopë që, sipas besimit të indianëve, duhet ta ndihmojë shpirtin e të vdekurit për të kaluar në mbretërinë e perëndisë së vdekjes përmes lumit Vajtarini.
Hori Rami është protagonisti i romanit, një fshatar i varfër me pak tokë të trashëguar nga i ati, i zhytur në borxhe, që sa vijnë e shtohen, shihet si luftë me mjerimin derisa vdiq, duke marrë me vete, në vend të kurbanit, disa qindarka... si rit i lashtë i indian.
Hori Rami dëshiron të blejë një lopë, një simbol i pasurisë dhe prestigjit në zonat rurale në Indi. Historia që përshkruan sjell edhe besimet e rrënjosura thellë në qeniet njerëzore, dhe aftësinë e tyre për të mbijetuar dhe t'i mbështesë këto besime përkundër mjerimit të madh.
Në parathënie të botimit në shqip, nuk ka autor, për këtë arsye nuk dimë nëse është punë e përkthyesit, apo e kthyer në shqip prej tij. Stili, dhe këndvështrimi është socrealist, siç ishte kritika e kohës, pavarësisht se kemi emrin e përkthyesit Vedat Kokona.
A është aludim për një shoqëri të kalbur dhe e Ramës ashtu siç pretendonte kritika socrealiste për fundin e romanit, “Kurbanit” origjinal, të Premchandit. Gjykimi ideologjik duket se është e vërteta që lidh Ramën me librin “Kurban” të shkrimtarit indian, i cili konsiderohet sot si realist, e në kohën që shkroi si komunist, Premchandi. Mbetemi në dyshim nëse është përkthim besnik i veprës, apo përkthyesi ka ndërhyrë ideologjikisht, ndoshta jo i detyruar prej vetë atij si përkthyes por redaksia e asaj kohe “Naim Frashëri”. Megjithatë nga të dhënat e mbledhura del se ky shkrimtar ka jetuar në kohën e revanshit komunist, kur idealet e kësaj ideologjie përfshinë një masë të gjerë shkrimtarësh e intelektualësh me iluzionin e “botës se re”, me demagogjinë e botës së varfër. Idetë e këtij shkrimtari indian, me ideale të majta, nacionalist shtrihen përgjatë gjithë romanit, kur nuk mungojnë rastet që mban qëndrim politik: “Unë tani nuk kam as besimin më të vogël tek e ashtuquajtura demokraci.
Kjo është një çështje pa kurrfarë kuptimi, kurse debatet rreth saj vazhdojnë muaj me radhë! Këto debate janë mjeti më i mirë për t’i hedhur hi syve popullit! Do të kishte qenë shumë mirë sikur ne të kishim një guvernator të vetëm, le të ishte ai indian apo anglez. Atë herë do të merre fund njëherë e mirë kjo dërdëllitje e pafrytshme. As një mijë veta nuk janë të zotë të tërheqin vagonin me aq shpejtësi sa ç’e tërheq pa mundimin më të vogël vetëm një lokomotivë...Ajo që ne quajmë demokraci në fakt nuk është gjë tjetër veçse sundimi i tregtarëve dhe zamindarëve të pasur...”, kjo ndoshta na lidh edhe faktin pse ky roman sot në Francë mbahet si kryevepër, duke u ribotuar edhe pas 60 vjetësh. Konteksti politik, duket se është pika tjetër e takimit me idetë e Ramës në librin e tij “Kurban”.
Ndërsa hasim në faqet e para të romanit, disa burime ngjashmërie (ose kopjimi delirues) me vetëndjesitë e “heroit”, duke të kujtuar ky fragment ndoshta dhe festën që organizonte ish ministri në Pezë, fshatin e tij të preferuar. Në “Kurbanin” e Premchand përshkruan përgatitjet e “Dëhanush jaxhnës”, festë për nder të Ramës - hero legjendar dhe hyjni, aventurat e të cilit tregohen në poemën e lashtë indiane “Ramajana” . Përshkrimi në roman është për nder të “Ram-ngadhënjimtarit”, ku në një vend ngriheshin skela estradë, në një vend tjetër ndërtonin një lokal për miqtë, ngrinin një çadër të madhe për shfaqjet dhe aty një strehë për gostinë
Nga ana tjetër, një personazh referues është rae-sahibi, i cili përveç pasurisë së madhe, kishte trashëguar nga i ati edhe besimin për Ramën. Ceremoninë e festës së Ram-ngadhënjimtarit e tregon të veshur në formën e një drame, dhe të bërë si shfaqje teatrale të kohës. Në këtë festë mblidheshin të gjithë të pasurit, dhe autoritetet. Ditë ku shtroheshin tryeza për 150 vetë. Dikush tjetër, rrëfen Premchand në libër, besonte me afsh të madh Ramën dhe kishte përkthyer “Ramajana” në gjuhën perse, sa herë vinte kjo festë.
Zyrtarë të lartë, njerëz me influencë... të gjithë i mblidhte kjo festë në roman, ku të gjithë këta njerëz vetëm një gjë dinin të bënin: si e si të dëfrenin.
Shkrimtari i lutet “Shiva”-s, - që në mitologjinë indiane është perëndi e shkatërrimit dhe e ndërtimit, një nga perënditë më të nderuara të induizmit, - duke e konsideruar si ditë çlirimi! “Vargonjtë e pasurisë”, konsiderohen prej shkrimtarit individët e pasur duke i vënë në konflikt me qeverinë. Diku nga faqja 92, Premchand jep dhe qëndrimin e tij, duke sjellë filozofinë e tij, krejtësisht të majtë, komuniste: “Në qoftë se mendja çlirohet nga egoizmi, atëherë ne jemi gati të pranojmë pushtetin e saj pa asnjë kundërshtim. Pikërisht ky është ideali i socializmit. Ne përkulim kokën përpara njerëzve me shpirt të lartë, sepse ata kanë fuqinë e vetëmohimit dhe dëshirën për t’u shërbyer njerëzve. Pikërisht në këtë mënyrë ne jemi gati t’i japim mendjes edhe pushtetin, edhe autoritetin, edhe qeverisjen por veç kapitalin jo! Pushteti i mendjes, përulja plot admirim përpara saj shkojnë e ikin bashkë me personin, kurse kapitali mbetet dhe jo vetëm që mbetet, por bëhet edhe më i fortë, që të mbjellë rreth e rrotull helmin. Dhe ne duam t’i shkulim këtij akrepi thumbin plot helm”.
Te “Kurbani” i Premchand duket sikur shkrimtari shkrihet nga pak në të gjithë personazhet, duke pasur parasysh jetën e tij. Ky është romani i fundit i shkrimtarit indian, konsideruar edhe si vepra e tij më e mirë, me një interpretim realist të shoqërisë, fshatit indian. Është parë si një histori e njerëzve për të ndryshuar, të uritur me shpresa dhe optimistë. Sot, kjo vepër merr një këndvështrim tjetër, duke vënë theksin se shkroi mbi çështje reale të ditës, korrupsionin, taksat, borxhet, varfërinë etj. Emri i vërtetë i Premchand është Dhanpat Rai Srivastava. U martua qysh kur ishte në klasë të nëntë, kundër dëshirës së tij.
Premchand etiketohet si kryengritës, dhe një vepër e tij Soz-e-Watan u ndalua nga qeveria britanike, duke ja djegur të gjitha kopjet. Ndoshta këtu gjejmë tjetër përputhje me një gjendje skematike që ndodhi me “Kurbanin” e kopjuar të Ramës, duke kujtuar tentativën e botueses “Dudaj” për ta paraqitur në shtyp si libër të ndaluar në panair nga Shoqata e Botuesve. Kur këta të fundit e quajtën spekulim, e mashtrim dhe interesa marketingu prej botueses.
Fillimisht Premchand shkroi në urduisht nën emrin e Nawabrai. Megjithatë, kur romani i tij Soz-e-Watan u konfiskua nga britanikët, ai filloi të shkruajë nën Premchand pseudonimin.
Premchand konsiderohet si një reformator i madh social, punët e tij shihen si gjeneruese të patriotizmit dhe ndjenjave nacionaliste. Ka kontribuar për një kohë edhe si redaktor reviste, kjo gjë e kuptueshme në romanin e tij kur flet për gazetat. Shkrimet Premchand janë përkthyer jo vetëm në të gjitha gjuhët indiane, por edhe ruse, kineze, dhe shumë gjuhë tjera të huaja.
Botuar së pari në vitin 1936, me temë rreth privimit socio-ekonomik, u përkthye në anglisht në vitin 1957, më pas 1968. Madje “Godan” është bërë dhe film në Indi në vitin 1963, dhe në vitin 2004 ishte pjesë e një seriali televiziv bazuar në veprën e Premchand.
Çfarë botuesja e “Dudajt” ka thënë në shtyp është se libri i Ramës ka shumë emra njerëz të njohur, politikanë, familjarë, gazetarë, ambasadorë, personazhe historike, portrete qytetesh etj. Është kjo një marrje tjetër ideore, nga “Kurbani” i shkrimtarit indian, kur dihet jeta e tij aktive në të gjitha qarqet, duke sjellë jetën rurale por dhe atë urbane në krijimtarinë e tij.
Sot thuhet se ka dhënë kontribut në letërsinë moderne indiane, ndërsa në parathënien në shqip, e vendos në zhvillimin e letërsisë përparimtare indiane edhe në rritjen e ndërgjegjes kombëtare të popullit indian në luftë kundër kolonizatorëve anglezë.
Aludimi duke iu kundërvënë anglezëve si duket e ka bërë këtë libër të dalë nga arkivat franceze duke u ribotuar pas 60 vjetësh, në vitin 2006, në Francë, vlerësuar ndër më të shiturit, e me popullaritet, shkruar në vitin 1936, pak para se të vdiste. Ndërsa në Tiranë, “Kurban” nuk i takon një shkrimtari, qoftë ky dhe rrëfimtari me detyrë politike, kur titulli i kopjuar dhe kokat e kafshëve vënë në krye, nuk fshehin dot as idetë që rrjedhin.
Fragmente të shkëputura nga libri:
Khani (personazh): në jetë njeriu duhet të ketë medoemos pasion dhe dashuri, sepse kështu jeta bëhet më e ndritur dhe më e bukur”.
Khani: “Unë mendoj se njeriu që s’është rrahur me vaj e me uthull në jetë, nuk është në gjendje te luftojë më të gjithë vendosmërinë e duhur dhe unë nuk besoj në patriotizmin e atyre që nuk dinë të dashurojnë femrat”.
“Gjëja më e çuditshme është se shenjtori im i madh,asketizmin, veçimin nga bota, tempujt, manastiret, ceremonitë fetare i quan gënjeshtra dhe hipokrizi. Ai thotë: “Këputni lidhjet e traditave dhe zakoneve të vjetra dhe bëhuni njerëz! Hiqni dorë nga mendimi për të arritur dinjitetin hyjnor! Kur të bëheni perëndi, do të pushoni së qeni njeri”.
Mister Tankhu (personazh): Ishte një batakçi dhe dinak i madh. Atë e mbanin dhe jo pa arsye, si mjeshtër të madh për të përfunduar punë më rëndësi, për të rregulluar çështje delikate, dhe të fëlliqura. Copën e majme ai e rrëmbente për të mos ta lëshuar më dhe zhdukej brenda një grime pa lënë asnjë gjurmë prapa. Por puna kryesore e mister Tankhut ishte të nxirrte nga fajdexhinjtë shumat e huave, të themelonte shoqëri të reja dhe të përpiqej për të nxjerrë kandidatë në zgjedhjet. Ai shkëlqente sidomos në kohën e fushatave të zgjedhjeve. Mister Tankhu propozonte si kandidat një pasanik, kryente për të të gjitha detyrimet që duheshin dhe me ketë mënyrë fitonte nja dhjetë a njëzet mijë rupje.
“Kur fuqia ishte nga ana e Kongresit, Tankhu e ndihmonte kandidatin e Kongresit dhe kur pesha anonte nga ana e partisë kundërshtare, atëherë ai zhvillonte një veprimtari të vrullshme për të përkrahur partinë...Por për të përligjur metamorfoza të tilla, ai kishte gjithmonë gati aq argumente të forta sa askush nuk mund t’ia hidhte poshtë. Tankhu ishte miku më i ngushtë i të gjitha autoriteteve të vendit, i të gjithë pasanikëve dhe aristokratëve të qytetit. Dhe, ndonëse shumë veta e urrenin thellë në zemër për arsye se ishte si mësalla me dy faqe, mister Tankhu ishte njeri aq i gjindshëm, sa askush nuk kishte guximin e duhur për t’ia përplasur të vërtetën në surrat”.
Mirza Hurshedi: “Unë tani nuk kam as besimin më të vogël tek e ashtuquajtura demokraci. Kjo është një çështje pa kurrfarë kuptimi, kurse debatet rreth saj vazhdojnë muja me radhë! Këto debate janë mjeti më i mirë për t’i hedhur hi syve popullit! Do të kishte qenë shumë mirë sikur ne të kishim një guvernator të vetëm, le të ishte ai indian apo anglez. Atë herë do të merre fund njëherë e mirë kjo dërdëllitje e pafrytshme. As një mijë veta nuk janë të zotë të tërheqin vagonin me aq shpejtësi sa ç’e tërheq pa mundimin më të vogël vetëm një lokomotivë...Ajo që ne quajmë demokraci në fakt nuk është gjë tjetër veçse sundimi i tregtarëve dhe zamindarëve të pasur. Në zgjedhje fiton gjithmonë ai që e ka qesen më të rëndë...Juristët më të famshëm, shkrimtarucët, dhe avokatët-matrapazë më të shkathët, të cilët me anën e penës ose të gjuhës së tyre janë të zotë ta shpien popullin nga të duan, bien në gjunë dhe i falen vicit të artë. Jo, këtë radhë kam vendosur të mos marr pjesë në zgjidhjet, dhe kësaj demokracie të rreme që sot e tutje i kam shpallur luftë”
“Fytyra e Onkar Natëhuit nuk tregonte që ai ishte shumë i kënaqur. Rae-sahibi nuk i kishte vënë asnjë konditë, nuk i kishte ngritur asnjë pengesë në veprimtarinë e tij, por Onkar Natëhuti s’kishte si të mos e pranonte ndihmën që i propozohej. Për arsye të kësaj ndihme atij iu desh ta kthente me fund gotën e turpit dhe të poshtërimit. Gazeta i kishte punët kaq keq, sa ai nuk shihte asnjë udhë tjetër që të mund ta nxirrte nga kjo gjendje e vështirë. Personeli i gazetës kishte tre muaj që s’merrte rroga. Pronarit të gazetës ai i kishte borxh afro një mijë rupje. E si të mos nderje dorën për ndihmë në një rast të tillë?”
“...Rupa vogëlinë e kishte kaluar në varfëri të madhe, kur duhej të ruante me kujdes edhe pajsin. Sa dëshira të paplotësuara ishin grumbulluar në zemrën e saj! Tani ajo kishte filluar t’i plotësonte këto dëshira. Edhe Ram Saveku sikur ishte rinuar pas martesës.
Rupa jetonte me jetën e saj të brendshme; rinia lulëzonte për të. Ajo zbukurohej dhe stolisej për veten e saj dhe ishte e lumtur për këtë gjë. Kurse Ram Sevaku shikonte një Rupë tjetër. Në prani të tij, ajo bëhej nikoqire e mirë. Tani ajo i kishte të gjitha, të gjitha ç’mund t’i donte zemra. Hambarët ishin plot me grurë, arat shtriheshin deri në kufijtë e fshatit dhe te porta e shtëpisë ishin lidhur lopë. Të gjitha katoi siguronin asaj plotësimin e dëshirave që mund të kishte.
Dhe nga dëshirat e saj ajo më e madhja ishte që t’i shihte prindërit të lumtur, t’u vinte në ndihmë që të shpëtonin nga varfëria. Në shpirtin e Rupës ishte ende i freskët kujtimi i asaj lope, e cila, si një mysafire, kishte ardhur në shtëpinë e tyre dhe pastaj kishte ikur duke i lënë të gjithë me sy të përlotur. Dhe, ndonëse qysh atëherë kishin kaluar shumë kohë, ajo ëndrra e bukur e lopës nuk ishte zhdukur në zemrën e saj. Rupa nuk mësohej dot me shtëpinë e saj të re, ku lulëzonte pasuria, dhe, ashtu si edhe më parë, shtëpi të saj ajo quante kasollen gjysmë të rrënuar, ku kishte lindur dhe qe rritur. Banorët e asaj kasolleje ishin njerëzit e saj më të afërt dhe më të dashur. Hidhërimet e tyre ishin dhe hidhërimet e saj, gëzimet e tyre gëzimet e saj. Kur shihte te porta e shtëpisë së saj të re një kope lopësh, Rupa nuk ndiente gëzim të madh që do të ndiente sikur të shihte qoftë edhe një lopë pranë derës së kasolles së prindërve.
Ëndrra më e dashur e babait të saj nuk ishte plotësuar! Ç’lumturi të madhe kishin ndier ata atë ditë, ku u kishte ardhur lopa në shtëpi! U dukej sikur u kishte zbritur perëndesha nga qielli! Por Rupa e dinte se edhe tani Hori ëndërronte të kishte një lopë në shtëpi. Kur të shkonte te prindërit, ajo do t’u shpinte patjetër një lopë të mirë qumështore! Jo! Do t’ua dërgonte me bariun e saj!...”
“Lajmi se po vdiste Hori u përhap më të shpejtë në të gjithë fshatin. Pranë shtëpisë së tij u grumbulluan pothuaj të gjithë banorët e fshatit. Pranë shtëpisë së tij u grumbulluan pothuaj të gjithë banorët e fshatit. Hori rrinte shtrirë në shtrat dhe i dukej sikur i shihte dhe i kuptonte të gjitha, por buzët i kishte shtrënguar. Pikat e mëdha të lotit që i rridhnin nga sytë tregonin qartë sa keq i vinte të ndahej nga ëndrrat e tij, nga ato ëndrra që nuk i ishin plotësuar. Në shtratin e vdekjes njeriu, para së gjithash, sjell ndër mend se çfarë s’mundi të bënte në jetën e vet! A mund t’i vijë keq njeriut për detyrën që ka kryer, për punët që ka bërë? Dëshpërimi na pushton zemrën, atëherë kur jemi duke ikur dhe shohim se nuk e kemi kryer detyrën, se nuk i kemi realizuar planet tona. Dëhania e kuptonte se Hori po i bënte llogaritë shpresën...”