Ajo është një ndër figurat që nuk ka mundur asnjëherë të kontestohet, apo të jenë në qendër të kritikave, siç ndodh zakonisht në skenën e artit. Me stilin e saj të veçantë, ajo diti të ishte gjithnjë ndryshe. E thjeshtë dhe e bukur para publikut, duke e kujtuar gjithnjë si "vajzën që rrëmbente trofetë e festivaleve" dhe me këngët që këndonte ua bënte më të bukur jetën. Vaçe Zela lindi më 7 prill 1939 në qytetin e Lushnjës. Që e vogël ajo do të ishte pjesë e evenimenteve të ndryshme artistike që zhvilloheshin në qytetin e lindjes, ku do të binte në sy për ekspresivitetin e zërit të saj. Pothuajse e gjithë karriera e kësaj këngëtareje ka qenë në festivalet e Radiotelevizionit Shqiptar. Këto festivale si arena e vetme e skenës muzikore e atyre viteve dominoheshin nga perfomanca e Zelës. Që prej vitit 1962, kur ajo u ngjit për herë të parë në skenën e këtij festivali e deri më 1981-in kur u largua nga kjo skenë si fituese e çmimit të parë, ajo ka qenë një ndër këngëtaret më të dashura. Pakkush mund të arrinte famën e saj, me aq thjeshtësi siç e arriti Vaçe Zela.
Por kontributi i Zelës nuk është vetëm nëpër festivale. Zëri i saj ka shoqëruar dhe dhjetëra filma. Ndër këngët e saj më të njohura mund të përmendim "Çelu si mimoza", "Djaloshi dhe shiu", "E dua vendin tim", "Ëndrra ime", "Lemza", "Nënave shqiptare", "O diell i ri", "Sot mbusha 20 vjet", "Të lumtur të dua" etj. Vaçe Zela mund të jetë një ndër këngëtaret e vetme e vlerësuar me aq shumë çmime. Në vitin 1973, ajo nderohet me çmimin "Artiste e Merituar", ndërsa katër vjet më vonë me çmimin "Artiste e Popullit". Ajo mban çmimin "Mjeshtre e madhe e punës", "Nderi i Kombit" dhe "Qytetare nderi e Lushnjës", "Qytetare Nderi e Qarkut të Fierit", si dhe një sërë çmimesh të tjera ndërkombëtare. Ajo ka marrë Diskun e Artë nga Amerika, për kontribut në shoqëri në vitin ‘97, është zgjedhur gruaja e vitit ‘97-‘98 në Kembrixh të Anglisë, "Mikrofoni i Artë", nga Ministria e Kulturës e Kosovës, "Çmimi i karrierës" e shumë të tjera. Ndërsa Instituti Biografik Amerikan, e rreshton në botimin e tij ndër 500 njerëzit më me influencë.
Qyteti ku këngëtarja lindi e ka përjetësuar emrin e saj dhe në qendrën e vetme të artit. Kinoteatri mban emrin e "Vaçe Zelës" ku ndodhet dhe një bust i saj. Dalja e saj e fundit në skenë është në vitin 1991 në Zvicër në një koncert për shqiptarët që jetojnë atje. Shtypi e ka krahasuar imazhin e saj me atë të këngëtares së madhe franceze, Edit Piaf, apo me të madhen italiane, Mina. Në ato pak intervista që këngëtarja ka dhënë nga Bazeli ku prej vitesh jeton bashkë me bashkëshortin dhe të bijën, Irma, thotë se ndihet mirë, megjithëse nuk mohon se malli për Shqipërinë dhe jetën që ka pasur këtu e mungon. Fatkeqësisht fiziku jo i mirë e ka bërë të qëndrojë larg skenës, që ajo shpreson ta shkelë sërish. Janë të pafundme urimet që do t‘i çonim kësaj zonje të muzikës shqiptare, kësaj gruaje që të frymëzon me këmbënguljen e saj në këtë përvjetor të 69-të. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë një bisede telefonike i uroi dje ditëlindjen dhe i shprehu urimet më të mira e të përzemërta me rastin e 69-vjetorit të lindjes.
Ai e quajti një ikonë të shenjtë të muzikës shqiptare - interpretueses së jashtëzakonshme të këngëve të muzikës së lehtë e popullore shqiptare dhe i uroi njëkohësisht edhe shëndet të mbarë dhe jetë të gjatë.
Nga Gazeta Shqip