Sociolinguistja Ledi Shamku-Shkreli, përgatitësja e këtij botimit anastatik pohon se sërish kemi të bëjmë me një vepër moderne. Pse?
Shqyptar vllá! ç'dobí âsht qi t'thuesh - une due giuhen t'ême - n'mos u vûfsh me e xânë e me ja thithë me shije bukuriën?
Shtjefen Gjeçov
Jetojmë në kohë mirfilli pragmatike. Dhe s'ka si të jetë ndryshe; sot, gjithkush që rron mbi faqe të dheut, është bir i shekullit t'ri (XX).
I atij shekulli që lindi i tillë, pragmatik, e filozofia e të cilit na erdhi përmes dijetarëve laikë si Peirce e James, a përmes etnish si Blondel e Le Roy, pas të cilëve pragmatizmi në vetvete nuk është as dhunti e as e metë, por thjesht tipar i qenësishëm i epokës së re.
Po t'i referohemi përkufizimit të këtij termi, do shohim se bëhet fjalë për atë mënyrë të menduari, ku një ide nuk matet për nga e vërteta e saj abstrakte, por nga aftësia që ka për t'u shndërruar në shtysë të një veprimi praktik e konkret.
Lindja e një mënyre të re mendimi dhe jetese lypet vetiu nga trualli social, politik e kulturor që gatitet ta presë, ta ushqejë e ta përhapë atë si risi.
Kështu edhe lindjen e mendimit pragmatik, qe vetë koha që e kërkoi. E kërkoi në Europë, e poashtu edhe në Shqipërinë e fillimshekullit të Njëzetë. Njerëzimi po gatitej të ndërmerrte ngarendjen e madhe të zhvillimit të gjithanshëm që do të sillte ai qindvjetësh: ngarendje në art, në shkencë, në komunikim, në kulturë e në shkollim.
Lëvizjet për Rizgjim Kombëtar të fundshekullit XIX kishin situr në një farë mase vlerat e kahmotshme, të qenësishme e të patjetërsueshme për çdo komb, sakur Lufta e Madhe kish përcaktuar edhe fizionomitë e shteteve moderne.
Dhe Shqipëria kishte më në fund shtetin e saj, i cili duhej të ish dalëzotës i edukimit të shoqërisë shqiptare me vlera të qëndrueshme kombëtare si edhe me vlera të reja që zhvillimi sillte me vete. Për t'u kryer ky edukim i dyfishtë (evolucionist) kërkohej që gjithë këto vlera t'i nënshtroheshin filozofisë dhe metodës pragmatike në përhapjen e tyre masive.
Për çfarë pra duhej mbledhur trashëgimia jonë gjuhësore, nëse nuk sendërtohej njëherësh edhe rruga e formimit të një gjuhe të përbashkët letrare, ku kjo trashëgimi të derdhej prore? Për çfarë duhej mësuar nëpër shkolla historia e gjuhës dhe e shkronjave shqipe, nëse kjo përpjekje nuk synonte formimin e vetëdijes tek çdo individ, qoftë të përkatësisë së tij gjuhësore, qoftë të bashkëjetesës mijëvjeçare të etnisë së tij me etnitë e tjera që flisnin gjuhë simotra?
Për çfarë i duhej mëshuar rolit të edukimit letrar në programet shkollore, nëse studimi i letërsisë bëhej thjesht në emër të kënaqësisë estetike, pa synuar plotnimin e edukimit gjuhësor të nxënësve, përsa dihet që gjuha amtare është mjet realitet-formues dhe mur mbajtës i ndërgjegjes kolektive?
Për çfarë u duhej zgjeruar shqiptarëve fushëpamja e mjeteve gjuhësore që ofronte lavrimi i shqipes, nëse kjo fushëpamje nuk edukonte me lirinë e zgjedhjes së fjalës, dhe nuk ndihmonte kësisoj në kohezionin mbarëkombëtar?
Dhe së fundmi, për çfarë i duhej mëshuar kaq shumë edukimit me gjuhë e letërsi shqipe, poqese ai nuk i aftësonte shqiptarët rioshë që përmes tij të kuptonin thelbin dhe shpirtin e kombit, e mandej ta përtrinin vijimisht atë, pa e tjetërsuar?
Këto pyetje nuk i bënte në fakt kurrkush. Ato qenë thjesht përgjigje a më saktë vullnete; e kjo bashkësi vullnetesh, që bori me bindje petkun e gjeratëhershëm romantik e i vuri vetes synime të qarta pragmatike, shenjoi fillimin e stadit modern të tutelës institucionale shqiptare ndaj kulturës. Në këtë vizion, mund të thuhet plot gojë se teksti shkollor i përgatitur nga Çabej, Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe, botuar më 1936-n, është pa mëdyzje një tekst mirëfilli pragmatik.
Ai qe modern për kohën, e madje, duke këqyrur filozofinë me të cilën hartohen tekstet e tanishme të edukimit gjuhësor e letrar, është mjaft modern edhe sot e gjithë ditën. Tipari thelbësor i modernìsë së këtij teksti është filozofia e re (në fakt pragmatike), me të cilën hartuesi don të përmbushë misionin e moçëm që ka edukimi me gjuhën amtare dhe me letërsinë e përftuar prej saj.
Në Hyrjen e thukët të këtij teksti, Çabej shkruan: "literatura shqipe është pjesë integrante e literaturavet të Ballkanit, dhe qëndron në gjithë atë kohë në kufi të Perëndimit me Lindjen [...] Ajo është shprehja më e vërtetë e shpirtit shqiptar, shprehje estetike dhe shprehje etnike".
Ky formulim dykrahësh që e konsideron produktin letrar të bashkësisë shqipfolëse si element që e bashkon dhe njiherit e mëvetëson kulturën tonë ndaj simotrave të saj është tipar i qenësishëm i çdo edukimi kulturor progresist.
Çabej qe njimend progresist, gjithkund e gjithëheret! Ndaj ai e trupëzoi këtë tipar në misionin edukues që zgjodhi për tekstin shkollor: në mëkambjen e vetëdijes historike të gjindjes sonë, e cila ka formësuar, po, cilësí vetjake, porse pa rrojtë aspak e ndryme në getot e historisë.
Gjithë struktura e tekstit, përzgjedhja e pjesëve letrare, renditja e tyre tok me shënimet filologjiko-gjuhësore për secilën pjesë, gjithçka, i shërben këtij misioni. Kësisoj ky tekst të mahnit jo vetëm me plotninë e lëndës letrare që ofron, por edhe me raportet e goditura që kanë mes tyre pjesët e përzgjedhura.
Në 177 faqe aktive (që mbeten si të jenë hequr shtjellimet e Parathënies dhe Hyrjes) vërejmë se letërsia popullore, për të cilën Çabej shkruan se "rëndësia e saj edhé nuk është ndjerë mirë ndër ne", zë plot 28 faqe, pra 15% të lëndës.
Dija e sotme mbi letërsinë dëshmon edhe diçka më shumë se vlefshmëria e këtij përfaqësimi: studimet bashkëkohore tregojnë se edhe masa e përfaqësimit të letërsisë popullore është ajo e duhura. E njimend, R. Barthes pasi përcakton dy llojet e kulturave sociale, kulturën e shoqërive kryesisht analfabete dhe atë të shoqërive masivisht të shkolluara, shtjellon edhe mënyrën e përcjelljes së kujtesës historike në secilën syresh.
Sipas Barthes-it, tek e para letërsia pa autor përmbush dhe misionin e edukimit historik, ndërsa tek e dyta ajo ka vetëm funksion estetik, pasi kujtesa historike tejçohet me të tjera mjete.
Por, cili ishte stadi i shkollimit të shoqërisë shqiptare kur u hartua ky tekst? Me zhdavaritjen e territ osman, shkollat shqipe kishin veçse dy dekada që funksiononin lirisht, ndaj kuptohet vetiu se edukimi letrar duhej të ndihte fort edhe edukimin e kujtesës së trandur historike. Kjo situatë arsimimi besojmë të ketë përcaktuar edhe masën kuantitative të lartpërmendur me të cilën u përfaqësua krijimtaria folklorike.
Vijojmë më tej me analizën e raporteve mes përfaqësimeve letrare dhe Çabej na mahnit sërish. Letërsia arbëreshe e ajo arvanitase zenë plot 81 faqe nga 177 që u tha më lart.
Nga buron kjo përzgjedhje? Afërmendsh nga vetëdija e qartë që ka hartuesi se arbëreshët dhanë një kontribut jetik që kultura kombëtare të mos shkrandej e të mos tjetërsohej thellë e pakthyeshmërisht. Sot rëndom thuhet se kultura jonë identitare mori hov shumë vonë, duke harruar se, gjatë shekujve të sundimit osman, një pjesë e rëndësishme e kësaj kulture mbijetoi dhe u kultivua kryesisht në diasporën arbëreshe. Fenomen ballkanik ky.
Mbijetoi gati-gati si ajo kulturë identitare e komuniteteve serbe në Hungari apo atyre greke në ishujt e mbrojtur nga Venediku. Roli i arbëreshëve është njimend i jashtëzakonshëm.
Ata jo vetëm ruajtën identitetin vetanak, por i dhanë vazhdimisht edhe limfë e oksigjen këtij vendit tonë, kryesisht përmes prurjeve nga Kolegjet Ilirike dhe Aksionit Bazilian. I dhanë poashtu përmes shkrimeve letrare, historike e gjuhësore. Kjo prurje intelektuale me lëndë identitare gjeti në Shqipëri një popull të etur, shtyrë përdhunshëm në skajin e një qëndrese natyrale dhe instiktive ndaj asimilimit. Do të qe vërtet e vorfën kultura jonë, nëse krahas Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit, Prend Doçit, Mjedjes, Gjeçovit, Kristoforidhit, Frashërit, e Çajupit, Fishtës, Nolit, Konicës e të tjerëve nuk do renditeshin edhe Matranga, Brankati, Kullurioti, Keta, Filja, Variboba, Santori, Petrota, Dara e De Rada, Serembe e Skirò, Ribeku dhe gjithë kush rroi ku flitej "gluh' e zemërës". Kombi do t'ish njimend i vorfën pa arbëreshët, porse bijtë tanë sot vijojnë me qenë të vobektë në dijen për ta, pasi tekstet shkollore, sa u takon arbëreshëvet, janë ende larg këtij teksti.
"Harresa" ndaj domethënies dhe rolit t'arbëreshëve u ushqye kryesisht gjatë viteve të socializmit, pasi tej retorikës pseudonostalgjike për "gjakun tinë të shprishur", regjimin e sikletoste kjo urë jona, e fundit urë e mbetur me Perëndimin.
Ky tekst vijon të mbetet modern edhe prej këso raportesh përfaqësie, që nuk duhen kuptuar thjesht si "punë letërsie", por si çështje e vetëdijes sonë kombëtare! Këto janë pikat tona të referimit, me të cilat edhe afrohemi me kulturat rrotull nesh, po edhe mëvetësohemi prej tyre; e këto nuk janë thjesht vlera estetike, por më së shumti janë vlerat tona shpirtnore. Pika shekullore referimi, të cilat, kur historia e lyp, janë as më shumë e as më pak, por sinoret e padukshme të kombit.
Thonë se dikur Stalini, në përpjekje për t'ua zëvendësuar polakëve pikat e kahershme të referimit, u ndje i pafuqishëm përballë peshës së vetëdijes kolektive që përcillte kjo gjindje. I dëshpëruar e krejt i turbullt, deshi atbotë të dinte sa ish në numër ushtria e Papës së Romës.
Të këtilla vlera thirri për dëshmitar edhe Fishta, kur deklamonte: "Shqipnia shprehje gjeografike?! Po zotnij, ajo asht nji shprehje, por shprehje letrare!".
Thamë pak më sipër se për ta përmbushur këtë mision të moçëm e të pandryshuar - formësimin e vetëdijes kombëtare përmes edukimit gjuhësor e letrar - Çabej zgjedh një filozofi moderne.
Ai nuk është aspak romantik, e madje, siç i takon një shkencëtari, ai as nuk komenton apo mban kurrfarë qëndrimi vetjak. Madje këtë parim e shpalon qysh në Hyrje, me qëllim që "të mundij kënduesi të formojë një gjykim të vet mbi shkrimtarët".
Kësisoj Çabej, krejt ndryshe nga ç'gjejmë në tekstet tona të sotme të edukimit letrar, nuk ndërhyn në lirinë e arsyetimit të nxënësve, por ndihmon në formimin e vetëdijes së tyre (Éscarpit). Ndihmon me larushinë e përzgjedhjen dhe renditjen e pjesëve, sikundër edhe me shtjellimet filologjike, etimologjike e gramatologjike në fund të faqeve.
Kësisoj edukimi kulturor, e veçanërisht ai letrar, bëhet shprehje e një procesi dinamik, përmes të cilit dëshmohet si kombi lufton për veten, e në këtë mënyrë projekton vetveten në kohët e reja.
Te ky proces, që vështron nga e ardhmja, Çabej zgjedh të rikrijojë me anamorfozë shpirtin e lashtë të kombit në të tashmen; ndaj nuk mjaftohet me përpilimin shterp të së shkuarës që cek data a thjesht kujton emrat e heronjve të saj. Mësojmë prej tij se nuk ka dobi ngërthimi i një populli tek e shkuara, por këndellja e tharmit etnik që mpiks bukën e ardhmënisë së kombit.
Për ta jetësuar këtë mision Çabej duket se beson fort te roli i shkollës si vend ku kujtesa historike ndërkallet në të tashmen, duke u bërë fillimisht pjesë e vetëdijes së individëve. Çabej këtu na dëfton se gjithë këtë shtegtim që nis nga individi dhe shtyhet drejt një përmase kolektive, shkolla mund ta asistojë e madje ta përmbushë kryesisht përmes selitjes gjuhësore e letrare.
Ky tekst është përftesë e dijes po edhe e pasionit të një njëzeteshtatë-vjeçari. U hartua më 1934-35 e botua në vjetin 1936. E ribotojmë sot për herë të parë, të shtymë nga dëshira e përtrimjes së misionit të Çabejt për formimin e vetëdijes breznore përmes rizgjimit të interesit ndaj gjuhës e kulturës sonë.
Ky qe misioni i tij, me të cilin, jo pa qëllim, zgjodhi të mbyllte edhe Hyrjen e këtij teksti duke shkruar: "në se libri do të mundij të kontribuojë pak në zgjimin e interesit për gjuhën dhe për literaturën t'onë artistike dhe popullore, dëshira e autorit do të jetë plotësisht e përmbushur".
Përmbledhje
Gjithë struktura e tekstit, përzgjedhja e pjesëve letrare, renditja e tyre tok me shënimet filologjiko-gjuhësore për secilën pjesë, gjithçka, i shërben këtij misioni. Kësisoj ky tekst të mahnit jo vetëm me plotninë e lëndës letrare që ofron, por edhe me raportet e goditura që kanë mes tyre pjesët e përzgjedhura.
Një libër shkolle
E quante Eqrem Çabej këtë tekst të "gjuhësisë e i literaturës s'onë" për nxënësin e shkollës së mesme dhe për mësuesin. "Elemente të gjuhësisë dhe të literaturës shqipe" i hartuar nga Dr. Çabej asokohe 27-vjeçar, pa së fundi dritën e botimit anastatik për herë të parë. Shtëpia botuese "Çabej" sapo e ka hedhur në qarkullim, si pjesë të kolanës së botimeve gjuhësore-filologjike Excipere".
Në vitin 1936, kur u botua ky "libër dore", Eqrem Çabej ishte përgjegjës për arsimin e mesëm në Ministrinë e Arsimit në Tiranë. Vetëm dy vjet më parë qe kthyer nga Austria, ku ishte arsimuar qysh në moshën 12-vjeçare, fill mbas mbarimit të shkollës fillore në Gjirokastër.
Pas diplomimit e mbrojtjes së doktoratës në Vjenë, më 1933, kthehet në atdhe më 1934 nis punë në arsim: fillimisht në gjimnazin e Shkodrës, më pas
në Elbasan, Tiranë, Gjirokastër e sërish në Tiranë. Lëndët që jep në këto shkolla të mesme janë gjuha shqipe e letërsia.
Për nevojat e mësimdhënies i duhet të hartojë tekstin e këtyre
lëndëve: shkolla shqipe është ende në fillimet e saj dhe mungesa e teksteve e ndjeshme. Hartimi dhe botimi i tekstit që keni në dorë është sa fryt i pasionit aq dhe pasqyrë e nevojës së shkollës shqiptare në vitet '30.
Ky botim është puna e parë e një sëre ndërmarrë prej Çabejt në vitet e veprimtarisë së tij arsimore në shkollat e mesme anembanë Shqipërisë në vitet '30. Veç teksteve, ai harton dhe programet e oraret e mësimeve për shkollat e mesme klasike, shkencore e normale.
Kjo punë u ndërpre në vitin 1940, kur pushtuesi fashist italian e largon nga detyra e drejtorit dhe mësuesit të gjuhës e letërsisë në gjimnazin e Tiranës, si njeri patriot që u prishte punë me rininë gjimnaziste.
Ledi Shamku-Shkreli
Nga : Gazeta Shekulli