Edvin Murati e di si ndalet Franca Ju kujtohet Portugalia?

Edvin Murati e di si ndalet Franca: Ju kujtohet Portugalia?

Prej vitesh jeton në Francë, pasi aty ka kaluar edhe pjesën më të madhe të karrierës. Ish-mesfushori i Kombëtares, Edvin Murati, edhe gjatë këtyre ditëve është pranë skuadrës kuqezi, duke ndihmuar FSHF-në falë njohjeve të shumta që ka. "Panorama Sport" kontaktoi dje me ish-lojtarin e PSG-së, i cili në një intervistë ekskluzive foli për debutimin e Kombëtares në Europian, sfidën me "gjelat", por jo vetëm.

Murati-A-fond-pour-l-Albanie-!

Edvin, çfarë përshtypjeje ju la ndeshja debutuese në Europian kundër Zvicrës?

Së pari, duhet të jemi me këmbë në tokë, sepse Shqipëria është në Europian për herë të parë dhe synimin madhor që kishte për kualifikimin e bëri realitet. Të vjen keq që ndaj Zvicrës pësuam një gol të evitueshëm, pas një goditjeje nga këndi, por ja që diferenca këtu bëhet. Detajet e vogla në të tilla kompeticione vendosin shumë dhe në fund fitoi eksperienca më e madhe që kanë lojtarët e Zvicrës.

Ju e prisnit këtë humbje?

Unë mendoj se Kombëtarja ka dhënë maksimumin në atë takim. Djemtë u djersitën dhe nuk kishe çfarë t'u thoshe. Ne si shqiptarë duhet të jemi krenarë për këtë skuadër. Gjithmonë mund të bësh më shumë, madje edhe kur fiton 5-0, mendon se ke pasur shanse të shënosh më tepër. Por, siç e theksova edhe më lart, diferencën e bëri eksperienca e lojtarëve zviceranë, që janë kualifikuar më parë edhe në Kupën e Botës. Zvicra bëri një ndeshje perfekte, duke e menaxhuar mirë lojën. Natyrisht, ne mund t'i ndëshkonim me kundërsulm, por nuk ia arritëm. Këto janë detaje që rregullohen gradualisht, por më e rëndësishmja në këtë moment është që tifozët u kënaqën nga skuadra. Në Lens pashë një stadium të tejmbushur me tifozë kuqezi dhe kjo ishte emocionuese.

Maksimumi ynë është vetëm pjesëmarrja në Europian?

Fakti që jemi pjesë e Europianit, mendoj se është luks për ne. Duhet të jemi realistë, pasi jemi një ekip i vogël. Megjithatë, gjërat i kemi bërë siç duhet, duke nisur nga organizimi, lojtarët apo imazhi i Kombëtares. Unë jetoj në Francë dhe në periudhën e fundit kam vënë re që të gjitha mediat këtu flasin pozitivisht për Shqipërinë. Ndaj skuadrës sonë është krijuar një respekt dhe kjo nuk është pak.

Prej ditësh po i qëndroni pranë Kombëtares në Francë, ku konsiston ndihma juaj?

Kam qenë gjithmonë pranë ekipit kombëtar dhe tashmë që Shqipërisë i erdhi shansi të jetë në Europianin e Francës, jam munduar t'i vendos në dispozicion gjithçka i nevojitet. Ka shumë gjëra që nuk i kemi menduar, pasi është një situatë e re dhe ka të tjera standarde organizimi. Të them të drejtën, kemi pasur edhe mbështetjen e Federatës së Futbollit të Francës. Na kanë ndihmuar për gjithçka kemi kërkuar, pasi jemi miq edhe me drejtuesit e saj. Nga ana tjetër, më duhet të theksoj se kryetari i bashkisë së Perros- Guerrec, ku është i akomoduar ekipi, na ka pritur në një mënyrë perfekte.

Të mërkurën luajmë ndaj vendit organizator, Francës. Si e mendoni?

Franca është favorite për të fituar Europianin, jo thjesht se është vendi organizator, por ka një superskuadër. Ata kanë probleme luksi (qesh), jo ato që mund t'i ketë Shqipëria apo ndonjë skuadër tjetër.

Domethënë, Shqipëria nuk ka asnjë shans ndaj ekipit të Deshamp?

Është shumë vështirë që t'i bëjmë një surprizë Francës. Vështirë të mbajmë presionin, edhe pse, në fund të fundit, në këtë takim nuk kemi çfarë të humbim. Ajo që mua më pëlqen te Kombëtarja është fakti se djemtë nuk kanë asnjë kompleks inferioriteti. Kjo është shumë e rëndësishme dhe më kryesorja mbetet që të jemi dinjitozë. Po bëjmë një futboll të mirë dhe duhet të jemi krenarë për skuadrën.

murati-albanie

Fakti që në dy ndeshjet e fundit ndaj Francës kemi fituar dhe kemi barazuar, e shton besimin për të bërë surprizën...

Ndaj Francës kemi luajtur dy ndeshje miqësore dhe tashmë është një tjetër histori. Franca ka lojtarë të nivelit shumë të lartë, që dinë si të sillen në ndeshje miqësore dhe eliminatore. Dinë ku të vrapojnë më pak dhe dinë ku të jenë më të angazhuar. Ata luajnë të gjithë në kompeticione si Liga e Kampioneve dhe në të tilla takime angazhohen maksimalisht. Unë mendoj se nuk do të thotë asgjë që kemi fituar në miqësore, por futbollit nuk i dihet asnjëherë.

Duke qenë se e njihni mirë Francën, a ka një "recetë" si mund ta ndalim këtë Francë të frikshme?

Trajner nuk jam, por po përpiqem të bëj si i tillë (qesh). Francën mund ta ndalësh nëse skuadra jonë është kompakte dhe nuk lë hapësira. Me një vendosje të mirë në fushë, duke tentuar ndonjë kundërsulm, mund të bëjmë një surprizë. Shembulli më i mirë për këtë takim është loja që kemi bërë në Portugali, ku fituam 0-1. Shfrytëzuam një rast dhe u mbrojtëm mirë, kështu duhet të bëjmë edhe ndaj Francës. Nëse marrim edhe një barazim ndaj Francës, është rezultat shumë i mirë për ne. Me rregulloren e re të UEFA-s, një pikë të mërkurën të mban në lojë për një kualifikim të mundshëm.

Çfarë i druheni më tepër në këtë takim?

Franca i ka të gjithë të frikshëm, por për mua më i rrezikshmi është Pajet. Bën goditje shumë të bukura dhe mund të na shënojë nga çdo pozicion. Ka lojtarë që menaxhojnë mirë çdo situatë dhe nuk ke kujt t'i vendosësh gishtin. Kur ke në stol emra si Koman apo Martial, çfarë pret nga të tjerët. Nuk di kë të mbash më parë, Zhirunë që është në formë, Pajen apo Grizmanin. Për të mos folur për Pogbanë. Pra, na pret një takim shumë i vështirë ndaj lojtarëve që janë yje të Europës.

Miqtë tuaj në Francë, a ju kanë ngacmuar në prag të kësaj ndeshjeje?

Jo, ka tre muaj që nuk dua të flas me asnjë prej miqve të mi për këtë ndeshje. Jam përpjekur t'i evitoj këto situata, rëndësi ka që mediat franceze po e komentojnë me shumë pozitivitet Shqipërinë.

Në pozicionin që ju keni luajtur në Kombëtare, tashmë është Ermir Lenjani.

Çfarë këshille do t'i jepnit? Së pari, duhet ta mbaj fort atë krah (qesh). Lenjani ka një goditje super dhe kjo është ajo që duhet të shfrytëzoj në këtë takim. Është nga ata lojtarë që mund të shënojë. Ka kualitet dhe nëse bashkëpunon mirë me Agollin, jam i bindur se do të bëjnë një ndeshje të shkëlqyer ndaj Francës. Me një kundërshtar si Sanja, që luan në krahun e djathtë, Lenjani dhe Agolli mund të ndihmojnë shumë skuadrën.

"Cana mezi e priste këtë takim"

Prej vitesh janë miq dhe i pyetur dje nga gazeta për kartonin e kuq që Lorik Cana mori në ndeshjen ndaj Zvicrës, Edvin Murati dha këtë përgjigje: "Loriku ka mentalitet fituesi dhe ka dhënë shumë për Kombëtaren. Nuk ke çfarë t'i thuash për atë karton të kuq. Këto gjëra ndodhin në futboll, por më vjen shumë keq, sepse ndeshjen në Marsejë ai mezi e priste. Ka luajtur për një kohë të gjatë në Velodrom dhe natyrisht do të ishte shumë e rëndësishme për të kjo përballje". Si Cana dhe Murati janë dy shqiptarët më të njohur në Francë, pasi kanë luajtur për skuadra të famshme të këtij vendi, si PSG dhe Marsejë.

Jorgis Memo



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama