Edward Albee fals apo i vertete

Edward Albee fals apo i vërtetë
"Kush ka frikë nga Virginia Woolf?", premiera e parë e sezonit 2009-2010 në Teatrin Kombëtar që sapo mbylli serinë e shfaqjeve, dha një kuptim të cekët të veprës së Edward Albee-it.


Rasti kur regjisori i kushton më shumë rëndësi imponimit të vizionit të tij se sa veprës vetë dhe fuqisë së saj


Ka një motiv drama "Kush ka frikë nga Virginia Woolf?", motiv të cilit i referohet titulli i këtij shënimi. Albee me personazhet e tij kanë një motiv për të treguar histori, motiv që i vjen njeriut kur ndodhet në gjendjen e dykuptimeve: e vërtetë apo iluzion, e vërtetë apo gënjeshtër.


Të zgjatur e pati nisjen premiera e parë e sezonit 2009-2010 në Teatrin Kombëtar. Tre muaj përgatitje (së paku nga ana e regjisorit) që dhanë një kuptim të cekët dhe të mangët prej origjinalit të Albee-it.


"Kush ka frikë nga Virginia Woolf?" është drama e parë e gjatë e Edward Albee-it. Autori i saj, i quajtur një enfant terrible për aq sa ishte prezantuar nga dramat e tij njëkatëshe të absurdit, të interpretuara të gjitha jashtë Borduejit: "Histori Zooparku" (e para dramë vënë në skenën e Teatrit Kombëtar nga ky autor), "Ëndrra amerikane" dhe "Vdekja e Besi Smithit". Pas kësaj kohe, 1960-1961, shkruhet "...Virginia Woolf".


Frika dhe Virginia. Cili është motivi i frikës dhe çfarë përfaqëson Virginia Woolf?
Dihet tashmë shpjegimi që ka dhënë me pak fjalë Albee vetë: Kush ka frikë nga Virginia Woolf? Do me thënë "Kush ka frikë ta jetojë jetën pa iluzione false?"


Emri i Virginia Woolf-it nuk është dhe aq i rastësishëm sa ç'duket. Shkrimtarja autentike, mbrojtësja e të drejtave të grave, ishte përpjekur të bënte një jetë pa iluzione, iluzione që për fat të keq e shtynë një dite t'i mbushte xhepat me gurë dhe të mbytej me peshën e tyre.


Në një rrëfim për profesionin e jetës së saj, Woolf kujton ndër të tjera si vrau "Engjëllin e shtëpisë" dhe si u përpoq të tregojë të vërtetën se çfarë mendonte për trupin e saj.


"Tani, menjëherë sa vura penën mbi letër, se si m'u duk. Nuk duhet të shkruani as edhe një tregim a novelë të vetme pa pasur një mendim krejt tuajin rreth asaj që do të shkruani, pa shprehur mendimin tuaj personal dhe të lirë rreth marrëdhënieve njerëzore, moralit apo seksit...


Por, sipas "Engjëllit të shtëpisë", asgjë nga këto probleme nuk mundet dhe nuk duhen trajtuar me lirshmëri e hapur me gratë. Sipas "Engjëllit", ato duhet të qëndrojnë të tërhequra, të fshehura.


Thënë troç, ato duhet të thonë gënjeshtra nëse duan të ecin përpara... Është shumë më e vështirë të vrasësh një fantazmë se dikë të vërtetë. Edhe pse e qetësoja veten për të disatën herë se e kisha vrarë "Engjëllin", nuk ishte plotësisht e vërtetë. Lufta me të ishte shumë e rëndë dhe e mundimshme."


Albee e ka fjalën për një marrëdhënie të lodhur të një çifti bashkëshortësh që jetojnë mirë, që përfaqësojnë një rang shoqëror por jeta iu duket bosh, nuk kanë asgjë, që vetёm ushtrohen, provojnё ato qё u kanё mbetur nga aftёsitё e secilit.


Tek ngritja e një fantazme, tek historia për një fëmijë që nuk e patën, ata projektojnë të shkuarën dhe të tashmen, fëmininë, rininë dhe menopauzën e tyre.


Fantazma për të cilën flet Woolf, krimi që ajo ka kryer, sado metaforik në përshkrimin e saj dhe që i atribuohet strukturave morale, sociale, ekonomike të njeriut (në këtë rast të femrës) mban gjallë armikun, kauzën e luftës.


Marta dhe Xhorxhi kanë krijuar fëmijën imagjinar, bregu i konflikteve të tyre që herë i zhyt thellë e ndonjëherë i tërheq në tokë të thatë. Njëlloj si Woolf, çifti duhet të kryejë një krim për t'u zgjuar nga një e pavërtetë, nga bota irracionale dhe pa kuptim. "As nuk të shoh, ka vite që nuk arrij të të shoh". Marta i thotë qysh në fillim të shoqit, profesorit të Historisë.


Drama në tri akte, shënon disa kulme që zbresin drejt ekzorcizmit, vrasjes, vdekjes së iluzionit dhe zgjimit. Drama ka katër karaktere: dy prej tyre Xhorxhi (Viktor Zhusti) dhe Marta (Eva Alikaj), kryejnë nëpërmjet rrëfimit imagjinar para spektatorit ciklin e plotë të jetës njerëzore që kalon nëpërmjet dashurisë dhe shkatërrimit; kurse Hani (Eftiola Laçka) dhe Niku (Helidon Fino) janë surrogatoja e të parëve, ata premtojnë të bëhen si të parët.
Çfarë kërkojnë prej aktorit këto karaktere?


Kur regjisori Alan Schnaider (ishte i pari që vuri në skenë dramën e Albee-it) takohej me aktoren Uta Hagen e cila interpretoi Martën e parë dhe e luajti në Broduej, kujtonte: "Kishte një bllok të madh shënimesh ku kishte shënuar 8 milionë pyetje të cilave u ishte përgjigjur tashmë."


Ndërsa Hagen vite me vonë, tregonte për punën individuale që kishte bërë përpara me gjërat që janë ushqimi i veprës dhe që mbajnë gjallë në skenë "çdo copë të vogël akulli, çdo tringëllimë të vogël akulli".


Nuk ishte e vështirë të kuptohej ekzagjerimi me metaforat që kishte bërë regjisori i ri Kushtrim Bekteshi me vënien në skenë për herë të parë në Teatrin Kombëtar të "Kush ka frikë nga Virginia Wool?".


Akulli dhe shishet e alkoolit përhapur gjithkund.
Në një nga shfaqjet, trupa ishte aq e çorientuar dhe në panik sa Alikaj theu një gotë. Rreziku se mund të ndodhte ndonjë aksident e shtyu Alikajn të ulej dhe t'i mblidhte një më një copat dhe ciflat, si një amvisë, dhe duke hedhur batutat nga ai pozicion, ashtu e ulur në bisht si në kuzhinë.


Eva Alikaj luan një Marta të sipërfaqshme, një koketë më shumë se një grua që po mbytet. Nëse në fund ne kuptojmë dashurinë e sëmurë për Xhorxhin, se s'ka nga ia mban pa të, loja e këtij karakteri i ngjan një tallje dhe jo një rrëfimi të pandërgjegjshëm që njeriu e bën me dhimbje dhe pa mëshirë nën gjendjen e alkoolit, kur s'ka më kufij dhe kontroll.


Alikaj nuk kërkon, nuk iu qaset dhe nuk i gjen motivet psikologjike, arsyet shkaqet e personazhit. I mungon saktësia, nuk ka kapur shpirtin e karakterit.


Përballë Zhustit ajo duket sikur po luan portretin e një gruaje që hidhet degë më degë pa shkak.
Toni i aktores është shpesh fals. Kur nervozohet ajo trash zërin, nxjerr gjuhën ose bën diçka tjetër të jashtme, krejt të jashtme.


Helidon Fino përveç artikulimit monoton të tekstit, është pasiv. Në fakt personazhi i tij që është "i bukuri", "dashnori", një provokim më shumë në mes Martës dhe Xhorxhit në të vërtetë duhet të jetë i padukshëm.


Edhe vetë Albee kështu e lë. Nikut, biolog, karrierist, "vala e së ardhmes", që do të jetë një "makinë personale seksi", askush nuk i thërret në emër. Edhe e shoqja e thërret "I dashur".


Niku është pretekst për monologët mrekullueshëm të Xhorxhit, monologë mbi traditën, martesën, gruan, historinë.


Ja një: "Ti merr mundimin tё ndёrtosh njё qytetёrim, tё ndёrtosh njё shoqёri tё mbёshtetur nё parimet e njё rregulli themelor, pёrpiqesh tё nxjerrёsh dije tё komunikueshme nga rendi natyror, rregulla morale nga çrregullimi i panatyrshёm i mendjes sё njeriut, krijon sistemin e qeverisjes dhe artin dhe e kupton se kёto janё, duhet tё jenё, qё tё dyja njёsoj... i çon gjёrat nё pikёn mё tё trishtueshme...nё atё pikё ku mund tё humbёsh diçka...pastaj papritur, mes gjithё tingujve tё melodisё, mes jehonёs sё punёs dhe orvatjeve tё njeriut, vjen Dita e Gjykimit.


Dhe çfarё ёshtё kjo? Çfarё thotё trumbeta? Kris bythёn. Ma ha mendja se ka drejtёsi pёr kёtё...pas gjithё atyre viteve... Kris bythёn."


Albee e përshkruan pikëpamjen e tij filozofike të absurdit të tillë: "Përpjekja që bën njeriu për t'i dhënë kuptim vetes përtej gjendjes së tij të pakuptimtë në një botë që nuk ka kuptim.


Sepse janë shembur strukturat morale, fetare, politike dhe sociale që i kanë krijuar atij iluzionin." Kjo mishërohet tek fjalimi i Xhorxhit.
Viktor Zhusti me këtë rol është lënë vetëm. Ai nuk ka një partnere të papërmbajtur përballë.


Të papërmbajtur e përshkruan Albee Martën 50-vjeçare, e cila në fëmini humbi nënën, më pas u bë zonjë shtëpie, ra në dashuri, por mbeti akoma "vajza e të atit".
Zhusti ka përballë një provokatore të rangut mesatar.


Xhorxhi i tij është karakteri më kompleks që kemi parë këto kohë në repertorin e teatrit. Ai është njeriu që ndjen fundin, shkatërrimin që po vjen. Me këtë vetëdije shpjegohet qetësia e tij olimpike që fsheh një vullkan.


Eftiola Laçka e ka çuar në ekstrem naivitetin e Hanit dhe drama e saj, drama e një fëmije të parritur brenda saj, që ka frikë lindë fëmijë, nuk del e qartë.


Personazhet duhet të qeshin me zor, të nervozohen, të lumturohen me zor, të pijnë, të vjellin, sikur të jenë në det të hapur, të mbrohen, të hezitojnë. Det me këto dallgë nuk e gjen tek kjo vënie në skenë e Bekteshit, megjithë Erik Satie-në e tij në sfond.


Lëvizjet e aktorëve në një skenë të sikletshme, janë të pamatura, të pastudiuara, planet klasike, hundë më hundë, të përleshjeve janë të njohura, i sheh edhe në filmin "Kush ka frikë nga Virginia Woolf" i Mike Nichols, i nominuar për Oscar më 1966 me protagonistë Liz Taylor dhe Richard Burton.


Kostumet, së paku të Hanit dhe Nikut, i shkojnë pas zgjedhjeve metaforike të regjisorit Bekteshi. Paçka se ata janë çifti që provokojnë imagjinatën e një fëmije të palindur, provokojnë botën që nuk ekziston, a mendoni dot një shkencëtar, një biolog, të veshur me meshinë, me xixa dhe farfurima, me flokët bjond me fije?


Metafora me tepri ka derdhur Bekteshi kur kjo është një vepër që rri në kufijtë e realizmit dhe absurdit, një tekst i errët në dukje, i dykuptimshëm, që përkthyesi Gjergj Peçi e ka sjellë me mjeshtëri në shqipe.


Bekteshi fut në skenë diçka prej vetes: vrasjen e Nikut dhe Hanit. Është një vrasje lojë. A thua spektatori kështu do ta ketë më të kuptueshme dramën! Po ka të ngjarë që spektatori këtë lexim regjisorial që i ka bërë Bekteshi veprës, ta ketë marrë si historinë e një jete të kotë që bën një çift fatkeqësh e pa fëmijë.


Albee nuk ka shkruar këtë që pamë nga Bekteshi. Modifikimet që i janë bërë pjesës dhe personazheve duket që vijnë nga përshtypjet që mund të kenë regjisori dhe aktorët. Nga përshtypjet ama.


Ndodh jo rrallë që një regjisori, më e rëndësishme i duket të imponojë vizionin e tij se sa të zbulojë dhe të kërkojë fuqinë dhe mundësitë e tekstit të autorit. Kështu i ka ndodhur Albee-it në Tiranë.
 

Elsa Demo : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama