Premiera me regji të Kushtrim Bekteshit u shfaq pas një pritje të gjatë në mesin e dhjetorit. Ishte shtyrë disa herë për shkak të disa aksidenteve me aktorët. Interpretojnë Eva Alikaj, Viktor Zhusti, Eftiola Laçka dhe Helidon Fino.
Dy marrëdhënie në çift ndodhen në krizë, dhe problemet e njërit çift shërbejnë si mjete për të operuar plagët e çiftit tjetër. Drama është shkruar në vitet gjashtëdhjetë dhe u shfaq për herë të parë në Broduej në vitin 1962. "Kush ka frikë nga Virxhinia Woolf", do të thotë "kush ka frikë ta jetojë jetën pa iluzione falsë" thotë Albee.
Çajkovski në TOB
Në datat 16 dhe 17 janar në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, kthehet pas premierës absolute që pati në prag Krishtlindjesh, baleti "Arrëthyesi" i Çajkovskit. Shfaqja fillon në orën 19:00. Baleti me dy akte me libret sipas Ernest Theodor Amadeus Hoffmann dhe muzikë të Çajkovskit është vënë në skenë nga koreografi Ilir Kerni me skenografi të Zorz Drausnik.
Kostumet janë realizuar nga Elva Bella. Dirigjent është Petrika Afezolli. Interpretojnë trupa e baletit e TKOB, si dhe nxënësit e Shkollës së Mesme Koreografike Kombëtare.
Në rolet kryesore luajnë Ledia Sulaj, Ilir Kerni, Elton Merja, Evis Nallbani, Dion Gjinika, Enada Hoxha, Gerd Vaso, Fatjon Lito, Jonida Onuzi, Rovena Shqevi, Elona Dervishi, Adela Muçollari dhe Greta Hushi. Muzika e baletit është ndër kompozimet më popullore të traditës romantike ruse. Ekzekutohet nga orkestra e TOB-it.
Nga : Gazeta Shekulli