Efektet e paparashikuara anesore te pagjumesise

Efektet e paparashikuara anesore te pagjumesise
Sipas studimeve të fundit, mungesa e një nate të shëndetshme me gjumë lidhet ngushtë me shqetësimet e tipit urinar, madje edhe me disfunksionin eretil Dihet që pas një nate me gjumë të qetë, të gjithë ndihemi më të çlodhur, më të kthjellët, më optimistë. Po ashtu dihet se mungesa e gjumit dhe mosçlodhja si duhet na sjell njëmijë e një pasoja negative për shëndetin.

Një natë pa mbyllur sytë, përveç lodhjes dhe nervozizmit, mund të ketë edhe pasoja të tjera të pamenduara më parë. Në fakt, duket se çlodhja gjatë natës jo në nivelin e duhur lidhet ngushtë me shqetësimet e tipit urinar, madje edhe me disfunksionin eretil, të paktën sipas asaj që raportohet në Uashington, në takimin e fundit të “American Urological Association”.
Studimet

Në një kërkim të bërë nga “New England Research Institute” në Massachusetts, rreth 1600 burra dhe 2500 gra rreth moshës 48 vjeç u monitoruan për pesë vjet me radhë për cilësinë e gjumit dhe praninë e shqetësimeve urinare, si për shembull mospërmbajtja dhe nevoja për t’u ngritur shumë herë gjatë natës për të bërë urinën. Pikërisht këto shqetësime, sipas studimit, mundojnë pjesën më të madhe të grave që nuk flenë më shumë se pesë orë në ditë. Por edhe për meshkujt që kanë probleme me gjumin ekzistojnë disa efekte anësore: në krahasim me ata që flenë pa asnjë problem ka shumë mundësi që të kenë simptoma në rrugët urinare. Një shqetësim krejtësisht mashkullor, i lidhur në njëfarë mënyre me cilësinë e gjumit, duket se është disfunksioni eretil.

Sipas kërkuesve të “Mount Sinai Medical Center”, në Nju Jork, të cilët kanë studiuar më shumë se 900 meshkuj mbipeshë me një moshë mesatare rreth 47 vjeç, ata që vuanin nga impotenca kishin probabilitet më të madh se dyfishi, në krahasim me ata që kishin një aktivitet seksual normal, të kishin shqetësime në gjumë. Ata rrezikoheshin të prekeshin nga apnetë e natës, një shqetësim pothuajse gjithnjë i pranishëm tek obezët.
Shqetësime të lidhura

Nuk është e vështirë të besosh se kush vuan, për shembull, nga urinimi i shpeshtë, ka vështirësi për të fjetur mirë, por këto studime duket se pohojnë se mund të vlejë edhe e kundërta.

“Ne mendojmë vetëm për pacientët me simptoma urologjike, si persona që kanë edhe shqetësime në gjumë”, tregon Raymond Rosen, kërkues i “New England Research Institute”. “Por këto të dhëna sugjerojnë se mund të ketë një lidhje të drejtpërdrejtë mes vështirësive kronike në të pushuar dhe patologjive urinare dhe ky aspekt duhet thelluar edhe më shumë”. E gjithë kjo duket se vlen edhe për lidhjen mes pagjumësisë dhe disfunksionit eretil, që ishte vënë re në një studim në vitin 2008, ku minjtë e laboratorit që i nënshtroheshin seancave të mungesës së oksigjenit, tipike për apnetë e natës, kishin rreth 55 për qind më shumë probleme me impotencën.

Apnetë

“Është e domosdoshme të mendosh se ata që vuajnë nga disfunksioni eretil t’i nënshtrohen ekzaminimeve për të verifikuar prezencën ose jo të apneve të natës, që mund të kenë efekte negative në aktivitetet e tij të përditshme”. Ky shqetësim në gjumë prek rreth 4 për qind të burrave dhe 2 për qind të grave me moshë nga 30 deri në 65 vjeç. Këto përqindje rriten me rritjen e moshës dhe peshës. Këto shifra janë inferiore në krahasim me të vërtetën, duke parë vështirësitë e pacientit për të njohur simptomat e një patologjie që duke penguar çlodhjen e duhur, për shkak të pagjumësisë gjatë ditës, mund të ndeshemi me shumë situata të rrezikshme. Për më tepër, pagjumësia dhe apnetë e natës, me kalimin e kohës, mund të rrisin rrezikun e hipertensionit, iktusit dhe patologjive të tjera kardiake. Sasia dhe cilësia e gjumit, duke parë të dhënat e studimeve, influencojnë edhe funksionin eretil dhe atë urinar. Një lidhje që, sipas studiuesve, meriton të studiohet në detaje për të përmirësuar shëndetin dhe cilësinë e jetës së pacientëve.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama