Vaji i trëndafilit të egër
Jo vetëm frytet e bimës, por edhe vaji që nxirret prej gjetheve të saj ndihmon në kurimin e sëmundjeve. Rezultate të shkëlqyera vaji i trëndafilit të egër jep në shqetësimet e tëmthit dhe rrit sasinë e lëngut në të. Gjashtë deri në shtatë pika të vajit hidhen në gjysmë gote me ujë dhe pihet çdo mëngjes. Vaji këshillohet të përdoret edhe në qetësimin e dhimbjeve te femrat. Shumë i rëndësishëm është vaji i bimës në shërimin e plagëve kur shoqërohen me hemorragji. Në përbërje të vajit ekziston një substancë që mundëson mpiksjen e gjakut dhe ndalon hemorragjinë. Në këto raste lyerja e plagës tri herë në ditë është shumë e rëndësishme. Trëndafili i egër ose Rosa canina, siç quhet në latinisht, është një bimë që mund të gjendet kudo ku ka shkurre dhe ka një përhapje të gjerë në të gjithë vendin. Kjo bimë mund të lulëzojë vetëm një herë në vit në muajin qershor. Frytet e saj janë të vetmet pjesë të bimës që shërbejnë për kurimin e sëmundjeve.
Vaji i lajthisë
Frutat e lajthisë përmbajnë rreth 60 për qind vaj, albuminë dhe pak sheqerna. Thelbi i saj është i pasur në kripëra minerale si dhe vitamina A, B1, B5, C, PP etj. Nga druri i lajthisë nxirret një vaj eterik, që përdoret kundër dhimbjeve të dhëmbëve; për këtë do të mjaftonin disa pika mbi dhëmbin e sëmurë. Gjithashtu, ky vaj ka dhënë rezultate të mira për luftimin e krimbave askaride. Me përdorim të jashtëm jep efekt kundër thumbimeve të insekteve. Lajthitë përdoren me rezultate të mira dhe rekomandohen për organizma të dobësuar dhe anemikë, si dhe për gratë me barrë. Nuk këshillohet përdorimi i lajthive për ata që vuajnë nga stomaku dhe nga dispepsia (tretje me vështirësi e ushqimit dhe me dhimbje të aparatit tretës.) Lëvorja e rrënjës ka veti antipiretike. Pjalmi i luleve është përdorur kundër epilepsisë (sëmundjes së tokës). Gjethet e lajthisë kanë veprim qetësues në dhimbjet dhe infeksionet e zorrëve dhe përdoren kundër diarresë, meqenëse ato përmbajnë lëndë tanike.
Vaji i ullirit
Në mjekësinë popullore vaji i ullirit përdoret gjerësisht për vlerat e larta dietike dhe mjekësore. Vaji i ullirit me ngjyrë, aromë dhe erë specifike, në të cilën janë të ruajtur vitaminat me rëndësi, acidet yndyrore esenciale dhe antioksidantët, posedon një rol të madh. Për çdo pikë të vajit të ullirit i marrim mbi 30 përbërës, të cilët na mbrojnë nga sëmundjet e zemrës, mplakja e hershme dhe shumë sëmundje tjera. Ai përmban acide yndyrore të pangopura, më së tepërmi acidit oleinik, i cili përmban 55-83 për qind të acideve yndyrore të përgjithshme, të cilët në mënyrë pozitive veprojnë në metabolizmin e yndyrave në mëlçi, rregullojnë kolesterolin, e mbrojnë zemrën, gjë që pakëson mundësinë e prekjes nga sëmundjet e ngurtësimit të enëve të gjakut, infarkt, tromboza dhe rregullojnë tensionin e gjakut. Për këtë vaji i ullirit nuk duhet t’i mungojë dietës suaj ditore. Vaji i ullirit tretet mirë dhe rekomandohet për sëmundjet e mëlçisë, është qetësues dhe pakëson dhimbjet. Ndihmon në nxjerrjen e gurëve të fshikëzës së tëmthit. Edhe në krizat e veshkave, vaji i ullirit qetëson dhimbjet dhe lehtëson rënien e gurëve nga veshkat. Në mjaft raste ka dhënë rezultate të mira kundër ulcerës së stomakut.
Vaji i arrave të kokosit
Vaji i arrave të kokosit është një shpresë e re për të gjithë ata persona që vuajnë në ditët e sotme nga hipotiroidja, pra funksioni i ulët i tiroides. Nuk mund të kuptohen lehtë problemet që shfaq hipotiroidja, por në momentin kur një person që vuan nga kjo sëmundje fillon të trajtohet më vajin e arrës së kokosit, e vë re shumë lehtë ndryshimin që ndodh në gjendjen e tij shëndetësore. Përdorimi i vajit të arrave të kokosit në këmbim të atyre ushqimeve që përmbajnë sasi të larta yndyrash dhe karbohidratesh, si sheqeri, patatet, apo ushqime të tjera me indeks të lartë glicemie, shfaq një diferencë të dallueshme në balancimin hormonal, stabilizimin e trupit dhe energjinë e përgjithshme trupore. Problematike është gjendja kur tiroidja ka shfaqur probleme të hershme dhe nuk është bërë asnjë përpjekje për të rregulluar funksionin e saj. Pasi edhe pse është e shërueshme dhe e trajtueshme, mbetet një sëmundje që duhet trajtuar për një kohë më të gjatë, sesa në rastet kur trajtimi bëhet në një fazë të hershme. Por trajtimi me vajin e arrave të kokosit dhe duke zbatuar një dietë të shëndetshme këto simptoma mund të reduktohen.
Vaji i hudhrës
Thelpinjtë e hudhrës përmbajnë fitoncide që përbëhen nga vajrat eterikë dhe derivatet e sulfuruara (si alicinë, alininë etj.), të cilat kanë veti të vrasin mikrobet ose të ndalojnë zhvillimin e tyre; në sasi të vogla, hudhra përmban edhe acid nikotinik, vitaminë A, B, C, biotinë, sheqerna, mucilagje, pektina, proteina, yndyra, enzime të ndryshme, si dhe lëndë radioaktive dhe jod. Hudhra gjen një përdorim të gjerë në sëmundjet e aparatit tretës (stomak-zorrë); ajo qetëson spazmat (ngërçet) e zorrëve, dezinfekton aparatin tretës dhe vret ose ndalon zhvillimin e mikrobeve patologjike që sjellin çrregullime në veprimtarinë e aparatit tretës. Ndihmon në normalizimin e prodhimit të lëngjeve tretëse dhe shton prodhimin e tëmthit. Përdoret kundër parazitëve të zorrëve (kundër oksiureve); ndihmon në zhdukjen e gazeve. Në sajë të jodit që përmban, hudhra përdoret për uljen e tensionit (të ngritur të gjakut), kundër sklerozës (dëmtim të artereve të mëdha e mesatare që karakterizohet nga grumbullimi i kolesterolit dhe materialit lipoid në shtresën e brendshme të tyre); përdoret edhe kundër shtrëngimeve të zemrës. Hudhra përdoret edhe në sëmundje të aparatit të frymëmarrjes. Vajrat eterikë, duke u eliminuar nëpërmjet frymëmarrjes, nga njëra anë vrasin mikroorganizmat që ndodhen në rrugët përkatëse dhe, nga ana tjetër, ndihmojnë në nxjerrjen e gëlbazës. Në sajë të antibiotikëve që përmban, hudhra përdoret edhe për parandalimin e infeksionit dhe për mjekimin e plagëve të infektuara.
Vaji i sherbelës
Sherbela rritet kryesisht në shpate gëlqerore, në kullota, nga zona e ulët e deri në atë sub-alpine. Gjethet e saj përmbajnë vaj esencial 2 për qind, saponinë, alkaloide, lëndë regjëse, rrëshirë. Vaji esencial përbëhet nga 40-47 për qind tujon, borneol, cimol, kamfor, pinen, dipenten, linalool. Në gjethe janë gjetur edhe acid fumarik, glukozë dhe pentozë, vitamina B1 e C, lënda e hidhur e quajtur pikrosalvinë, fitoncide me veti baktericide, enzimë. Në mjekësi ekstrakti i fituar nga gjethet, përdoret si mjet për pakësimin e djersës. Ai merret në formë ekstrakti të lëngët një deri tre gram në ditë, në formë infuzi katër lugë kafeje. Ndërsa çaji i përftuar nga zierja e bimës përdoret për pastrimin e gjakut, kundër djersitjes gjatë natës. Përqindje më e lartë vaji esencial nga gjethet e sherbelës mjekësore mund të përfitohet para lulëzimit të saj.
Vaji i farës së zezë
Fara e zezë përmban vaj acidik të pangopur, vaj me eter, vitamina dhe një sërë substancash të tjera të domosdoshme për organizmin. Tashmë është vërtetuar se vaji acidik i pangopur që përmban fara e zezë ndikon pozitivisht mbi metabolizmin e trupit, rrit imunitetin dhe ndalon alergjinë. Veçoritë e vajrave acidikë të pangopur: Ndihmojnë metabolizmin e trupit; nevojiten në rritjen, zhvillimin dhe rinovimin e qelizave; ndihmojnë në zhvillimin e hormoneve dhe në formimin e një sistemi nervor dhe hormonal-mbrojtës të shëndetshëm; pengojnë shtimin e substancave që dërgojnë sinjale alergjike; ndalojnë qelizat mbrojtëse (imunitare) të punojnë më shumë se ç’duhet; kolesterolin në gjak e kthejnë në nivelet normale; pengojnë bllokimin e damarëve duke rregulluar strukturën e tyre dhe njëkohësisht shpejtësinë e qarkullimit të gjakut; ulin tensionin dhe reduktojnë rrezikun e ashpërsimit të damarëve dhe infarktit në zemër; ndihmojnë në përmirësimin e shpejt të plagëve. Trupi i njeriut nuk i prodhon këto vajra dhe është i detyruar t’i marrë nga jashtë, 1 gram vaj i farës së zezë është i mjaftueshëm për nevojat ditore.
Vajrat me eter si nigellon dhe alfa-pinen zgjerojnë rrugët e frymëmarrjes, lehtësojnë kollitjen, pengojnë qelbëzimin dhe ndalojnë dhimbjen. Nëse përdoren rregullisht ulin sheqerin në gjak.