Të dhënat statistikore të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e parë të 2016-s tregojnë se një nga të dhënat që ngjall frikë për sistemin bankar dhe ekonominë në përgjithësi, volumi i kredive të këqija, ka filluar të rritet.
Në gjysmën e dytë të 2015-s, Banka e Shqipërisë (BSH) autorizoi bankat e nivelit të dytë të fshijnë nga bilancet e tyre kreditë e këqija, të cilat ishin krejtësisht të pambledhshme ose kishin vonesë në pagesë për më shumë se tre vjet.
Ky vendim i Bankës u shit nga qeveria në mënyrë mashtruese si përmirësim i gjendjes ekonomike të vendit. Në një artikull të mëparshëm tonin ne sqaruam se "përmirësimi" i pretenduar i ecurisë së kredive të këqija ishte prodhuar në mënyrë artificiale nga një ndryshim i rregullave kontabile dhe nuk ishte tregues i përmirësimit të ekonomisë.
Statistikat e tanishme të BSH-së tregojnë se vëzhgimet tona të mëparshme ishin të drejta. Kriza ekonomike, e dëshmuar më së miri nga ecuria e volumit të kredive të këqija, ka vazhduar të shënojë viktima të tjera. Vetëm në tre mujorin e parë të vitit 2016, kreditë e këqija u rritën me 1,2 pikë përqindje duke arritur përsëri nivelin 19 përqind të volumit totale të huave të dhëna.
Për më tepër, rritja e kredive të këqija ka ndodhur në mënyrë të barabartë proporcionalisht në të gjitha grupet e huamarrësve me vonesa në pagesat e huasë, gjë që çon në hamendësimin se kjo prirje negative mund të vazhdojë të paktën në pak vitet e ardhshme. Nëse ajo vazhdon e pandryshuar, në fund të vitit 2016 volumi i kredive të këqija mund të kalojë nivelin e 22 përqind.
Artikuj të lidhur:
Rriten kreditë e këqija, situata mund të përkeqësohet në të ardhmen