Biznesi po gjeneron gjithmonë e më pak vende të reja pune, duke dëshmuar kështu për situatën e vështirë në të cilën ndodhet. Instituti i Statistikave ka publikuar të dhënat mbi tregun e punës për tremujorin e dytë 2013, nga ku rezulton se shkalla e papunësisë ka mbetur e pandryshuar, në 12.8%, në krahasim me tremujorin e parë të vitit, duke shënuar tremujorin e katërt radhazi me këtë nivel. Por shifrat për punësimin në sektorin privat jobujqësor tregojnë për një rritje të lehtë në tremujorin e dytë të vitit. Sipas INSTAT-it, numri i të punësuarve në sektorin privat jobujqësor, në fund të tremujorit të dytë ishte 282 034 persona, duke u rritur me vetëm 1066 persona në raport me tre muajt e parë të vitit. Ritmi i hapjes së vendeve të punës nga sektori privat mbetet shumë i ulët në raport me vitet e mëparshme, duke reflektuar frenimet e investimeve gjatë dy viteve të fundit.
Një shqetësim ky i ngritur vazhdimisht edhe nga Banka e Shqipërisë, e cila tkurrjen e investimeve private në ekonomi e ka shpjeguar me pasigurinë e biznesit për të ardhmen. Përsa i përket sektorit shtetëror, Instituti i Statistikave konstaton se në tremujorin e dytë të këtij viti në të ishin të punësuar 163 800 persona, gjithsej 200 vetë më pak se tremujori i mëparshëm. Biznesi është burimi kryesor i gjenerimit të vendeve të punës në Shqipëri. Por sipërmarrja private po kalon ditë të vështira, duke u përballur me efektet e krizës në vendet fqinje, me rënien e kreditimit, por edhe me mosshlyerjen e borxheve nga qeveria. Për këtë arsye, komuniteti i biznesit i ka dorëzuar qeverisë së re një listë me kërkesa se ku duhet ndërhyrë për të përmirësuar gjendjen.