Sekretaret e Fakultetit Ekonomik pohojnë se Iris Belba përsëriste vitin e dytë dhe se nëna e saj kujdesej vazhdimisht në shkollë. Studentët e vitit të dytë dhe të tretë udhëtojnë drejt Fierit për t’i dhënë lamtumirën
Tiranë Vetëvrasja tragjike e Iris Belbës ka lënë gjurmë në Fakultetin Ekonomik në Tiranë. Studentë dhe pedagogë të degës së Financës udhëtuan me dhimbje dje drejt Fierit, ku zhvillohej ceremonia mortore e vajzës që u hodh nga kati i 17-të i “Sky Tower” në Tiranë. “Fakulteti i Ekonomisë dhe studentët ngushëllojnë familjen dhe të gjithë të afërmit për humbjen tragjike të studentes Iris Belba. I përjetshëm qoftë kujtimi i saj”, ishte mesazhi i ngushëllimit që qarkullonte shpesh në tabelën e njoftimeve elektronike në këtë fakultet. Stafi pedagogjik dhe studentët që nuk kishin mundur të shkonin në varrim, ia vinin fajin depresionit për ngjarjen që tronditi Tiranën mesditën e së mërkurës. Gjendja psikologjike e studentes 21-vjeçare ka qenë e rënduar prej një viti dhe tentativa fatale e saj nuk ka qenë e vetmja. Burime të policisë së kryeqytetit si dhe të Fakultetit Ekonomik në Tiranë thanë se studentja kishte tentuar edhe herë të tjera më parë të kryente vetëvrasje, pavarësisht përpjekjeve të prindërve për ta mbajtur në jetë.
“E shikoja vazhdimisht me nënën e saj që vinte shpesh në fakultet gjatë vitit të fundit për t’u interesuar për provimet, pasi ishte përsëritëse e vitit të dytë”, – tregon një nga sekretaret e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Sipas sekretares, studentja duhej të ishte në vit të tretë, por që për shkak se kishte humbur disa provime vitin e shkuar, nuk kishte arritur të kapte numrin e duhur të krediteve. “Erdhi dhe e takova një ditë me të ëmën, kur ishte periudha e sezonit të provimeve të mbartura. E ëma më pyeti se përse ajo nuk ishte futur në provimet e këtij sezoni, pasi ishte regjistruar në sekretari sipas rregullores. Mirëpo ajo nuk mund të futej, pasi ishte studente përsëritëse. I thashë që nuk mund të futej në provimet e mbartura, sepse duhej të futej në sezon të rregullt provimesh”, – tregon sekretarja. Ajo thotë se vazhdimisht e ëma vinte dhe interesohej për të dhe kujdesej që Irisi të mos kishte asnjë problem që mund ta shqetësonte. “Vinte vazhdimisht që të interesohej për të. Për sezonin e provimeve e kam parë me të, ajo vinte dhe interesohej për notat dhe për gjithçka. Na kërkonte të ishim të kujdesshëm me të.
Nuk të linte përshtypjen se mund të ishte vajzë që kishte probleme, por se vajzat apo shoqet që rrinin me të mund ta njohin më mirë”,- tregon sekretarja. Ndërkaq, një studente e kursit të dytë të degës së Financës së Fakultetit Ekonomik thotë se e njihte Irisin, por nuk kishte qenë në grup me Irisin dhe nuk dinte shumë gjëra rreth shqetësimeve të saj. “Studentët e grupit të saj kanë shkuar në varrim sot bashkë me ato të kursit të vitit të tretë”,- tregon studentja që kërkon të mos identifikohet. Ndërkaq, një nga sekretaret e degës së Financës thotë se Iris Belba, gjatë vitit të parë të fakultetit ka qenë studente shumë e mirë dhe se e kishte kaluar mjaft mirë vitin e parë. Por viti i dytë është më i vështirë dhe aty kishin filluar problemet me shkollën. “Di që kishte ardhur nga shkolla e mesme si nxënëse me mesatare shumë të mirë, në mos gaboj me notën mesatare 9, por se sigurisht fakulteti është më i vështirë”, – tregoi një nga sekretaret e Financës. Kjo e fundit tha se pavarësisht faktit se ajo kishte mbetur në disa provime, notat që kishte marrë në provimet e tjera i kishte pasur shumë të mira. “Ajo kishte mbetur në disa provime dhe kishte bërë disa të tilla, në muajin shkurt, të cilat nuk i kishte marrë, por të tjerat që kishte marrë ishin me nota të mira”, – tregon sekretarja. Për arsyet që e shtynë Irisin drejt vetëvrasjes nuk ka arritur në një përfundim të qartë edhe policia. Ata kanë marrë dëshmitë e familjarëve dhe shoqeve, të cilët kanë pohuar se vajza vuante nga depresioni prej më shumë se 1 viti. Pjesëtarë të stafit pedagogjik të drejtuar nga zëvendësdekani, Prof Dr. Fatmir Memaj, si dhe studentë të kursit të dytë dhe të tretë ku ajo kishte studiuar, i dhanë dje lamtumirën e fundit Irisi Belbës, ndërsa ngushëlluan familjen dhe të afërmit në ceremoninë e varrimit të saj.
Kancelari: U përpoqëm që ta ndihmonim
Kancelari i Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, Ermal Haxhiaj, tha dje për gazetën MAPO se ai ishte përpjekur vazhdimisht që studentja Iris Belba të mos kishte probleme në shkollë apo në lëndët e ndryshme për provimet. “Vazhdimisht kam komunikuar me të ëmën e saj dhe me prindërit, me qëllim që studentja të mos kishte ndonjë konflikt apo ndonjë problem në shkollë. Për çdo gjë kam komunikuar me ta dhe për probleme apo shqetësime të saj jemi përpjekur si staf akademik dhe në tërësi që t’i zgjidhnim”,- tha kancelari Haxhiaj. Ai konfirmon faktin se studentja Belba ishte përsëritëse dhe se kishte disa provime për të dhënë në mënyrë që të merrte kreditet për vitin e tretë, por nuk beson se kjo është arsyeja e vetëvrasjes. Ndërkaq në shkollë thonë se në një nga provimet ajo nuk ishte futur vetë, për shkak se kishte menduar se mund të mos e merrte provimin. Haxhiaj tregon se vazhdimisht e ëma ishte interesuar si për gjendjen në shkollë dhe të ecurisë, ashtu edhe të gjendjes psikologjike të vajzës, duke qenë se ajo ishte vazhdimisht e tensionuar. Ndërkaq kancelari thotë se nuk di të japë ndonjë version rreth motiveve apo shkaqeve të mundshme që mund ta kenë çuar studenten e vitit të dytë në këtë vendim ekstrem.