Azdren Llullaku është një ndër emrat e harruar të Xhani De Biazit. Ai u grumbullua nga tekniku kuqezi pak vite më parë, por nga ai moment është zhdukur pa lënë shumë gjurmë në Kombëtare.
Pavarësisht kësaj, Llullaku nuk i ka harruar kuqezinjtë dhe ruan raport miqësor me trajnerin italian. 28-vjeçari e njeh mjaft mirë kombëtaren rumune sepse prej katër vitesh aktivizohet në kampionatin e këtij vendi.
Ai ka kaluar 4 vite në skuadrën e Gaz Metanit. Në një bisedë për "Panorama Sport", Llullaku tregon pikat e dobëta të kombëtares së Jordaneskut dhe strategjinë se si kuqezinjtë mund të marrin një fitore në këtë ndeshje për të shpresuar kualifikimin.
Azdren, si i keni parë dy ndeshjet e para të Shqipërisë në Europian?
I kam parë të dyja ndeshjet e para dhe më ka pëlqyer shumë skuadra. Sigurisht që me Zvicrën patën shumë emocione sepse ishte sfida e parë në një Europian dhe mund të ndodhin gjëra të tilla. Ndërsa ndaj Francës pashë një ekip shumë të organizuar dhe me dëshirë të madhe për të bërë krenarë të gjithë shqiptarët. Na bënë krenarë pavarësisht humbjes në minutat e fundit.
Keni folur gjatë këtyre ditëve me ndonjë lojtar të Kombëtares?
Ruaj ende kontakte me disa nga lojtarët e Kombëtares shqiptare. Kam miq aty. Unë kam qenë edhe në miqësoren që Shqipëria luajti me Ukrainën në Itali dhe fola me trajnerin De Biazi.
Kemi një ndeshje "finale" me Rumaninë. Çfarë ekipi janë ata?
Janë një skuadër shumë e organizuar, por kanë probleme në repartin e sulmit dhe nuk shënojnë shumë. Pak a shumë si Shqipëria. Do të jetë një lojë e fortë në mesfushë dhe aty duhet të jemi më të mirët për të fituar duelet.
Ju sigurisht që i njihni lojtarët e tyre. Cili është më i rrezikshmi?
Njoh disa lojtarë të ekipit rumun. Nëse do të luajë Sanmartin, mendoj se do të kemi vështirësi sepse ka shumë kualitet. Edhe Stançu dhe Keseru janë të fortë. Rumania është si Shqipëria sepse nuk ka shumë yje në skuadër, por bëjnë një grup të fortë.
Sa shanse ka Shqipëria për ta fituar këtë sfidë?
Shpresoj se do të fitojmë. Është një ndeshje shumë e vështirë, por jo e pamundur. Skuadrat kanë kualitet të njëjtë dhe do të triumfojë ekipi që ka më shumë dëshirë dhe besim për të arritur triumfin. Nëse bëjnë paraqitje si ajo me Francën, jam i bindur se do ta fitojnë ndeshjen.
Kush do ta shënojë golin e parë për Shqipërinë në Europian?
Shpresoj të shënojë Cikalleshi ose Roshi.
GENTJAN ALINANI