Nga ferri në parajsë. Kjo është karriera e sulmuesit shqiptar Armando Sadiku, i cili me atë gol të mrekullueshëm ndaj Rumanisë u kthye në yll dhe hero i të gjithë shqiptarëve në mbarë botën.
Gjashtë vite më parë, Sadiku kreu një gjest antisportiv kundrejt anësorit Eduard Miho në përballjen Elbasani- Laçi, të cilin e pështyu dhe e kapi prej fyti dhe e ofendoi. Sadiku u largua menjëherë nga loja me kartonin e kuq, ndërsa Komisioni i Disiplinës e pezulloi për dy vite nga aktiviteti sportiv.
Megjithëse shihej si talent, asokohe shumica e sportdashësve menduan se karriera e Sadikut kishte marrë fund, por pas gjashtë vitesh ai u shndërrua në heroin e të gjithë shqiptarëve, madje edhe për vetë protagonistin e atij episodi të errët, që përfshiu djaloshin nga Elbasani në datën 19 dhjetor të vitit 2010, anësorin Eduard Miho. Ky i fundit rrëfen gjithçka në një intervistë ekskluzive për "Panorama Sport".
Miho, si e kujtoni momentin e përballjes me Sadikun?
Më kujtohet si tani momenti kur Sadiku më kapi prej fyti duke bërë një gjest antisportiv. Në mos gaboj, luhej Elbasani- Laçi. Sadiku mori një pasim në pozicion jo të rregullt dhe, pavarësisht se kisha ngritur flamurin, duke akorduar pozicion jashtë loje, ai vazhdoi drejt portës dhe shënoi gol. Nga entuziazmi i golit, por edhe nga papjekuria në atë kohë, Sadiku u sul drejt meje dhe më kapi prej fyti duke më ofenduar. Ishte një gjest antisportiv, prej të cilit Sadiku fatmirësisht ka mësuar shumë.
Për atë gjest, Sadiku u pezullua nga Disiplina me dy vite. E meritonte Sadiku atë dënim?
Gjyqtarët kanë një mision shumë të vështirë në fushën e lojës, presion edhe më të madh se vetë futbollistët dhe duke qenë qenie njerëzore edhe mund të gabojnë. Po flas në përgjithësi. Ndërsa sa i përket rastit konkret, i cili u analizua me video, Sadiku ishte në pozicion të parregullt dhe unë kisha ngritur flamurin përpara se ai të godiste portën. Nga dëshira për të shënuar, emocionet, presioni i ndeshjes, apo edhe faktorë të tjerë, bënë që ai të dilte nga kontrolli dhe të reagonte në mënyrë "harbute".
Tani pas rreth gjashtë vitesh nga përplasja, e keni falur Sadikun për atë gjest të pakëndshëm që kreu kundër jush?
Nuk mund ta mohoj se Sadiku gjashtë vite më parë kreu një gjest të ulët, por kjo ndodh në futboll, nuk është as rasti i parë dhe as i fundit ku lojtarët dhe arbitrat përfshihen në incidente të tilla. Njerëzit gabojnë. Nëse gjashtë vite më parë Sadiku kreu një gjest të ulët, sot ai është hero për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen, mes tyre edhe unë. Pas atij goli të mrekullueshëm që ngriti në peshë të gjithë shqiptarët, e kam falur plotësisht Sadikun. Kur u dënua, shumëkush mendonte se karriera e tij mund të merrte fund, por gjashtë vite më vonë ai u kthye në hero dhe yll për të gjithë shqiptarët. Ai vuri mend nga ai incident dhe u bë një lojtar shembullor.
Çfarë menduat kur Sadiku shënoi golin e vetëm dhe të fitores? Si e përjetuat atë?
Emocion i papërshkrueshëm! Ishte hera e parë në jetën time, pavarësisht se ajo lidhet ngushtë me futbollin, që kam bërtitur për një gol. Sadiku na bëri krenarë të gjithëve. Tani më duket sikur jemi përqafuar gjashtë vite më parë, në atë incident të pakëndshëm. Prandaj them se e kam larguar nga memoria atë episod dhe e kam falur plotësisht Sadikun, të cilit i uroj suksese të mëtejshme.
E keni ndjekur kampionatin europian, apo vetëm ndeshjet e përfaqësueses?
Ndeshjet e përfaqësueses i kam ndjekur të tria me shumë kureshtje, kurse përballjet e tjera sipas mundësive. Unë mendoj se Shqipëria ka bërë një performancë të shkëlqyer në të tria përballjet, pavarësisht se në dy të parat i mungoi fati dhe e dënoi eksperienca. Uroj me gjithë shpirt që të kualifikohemi për më tej.
LEONIDHA MUSAJ