Ekskluzive/ Cikalleshi tregon muskujt Zvicer do qash prej meje!

Ekskluzive/ Cikalleshi tregon muskujt: Zvicër, do qash prej meje!

Topi ndalet në rrjetë, ndërsa për pak minuta ndalet edhe zemra e tifozëve të Eskisehirsporit. Skuadra e tyre zbriti një kategori më poshtë në Turqi dhe shkaktar për këtë ishte sulmuesi Sokol Cikalleshi.

1087750_620x410Me të drejtë, ai bëri punën e tij dhe i dha fitoren skuadrës së Bashakshehirit. Ky gol në sekondat e fundit të ndeshjes shkaktoi një dramë të vërtetë teksa i gjithë stadiumi dhe lojtarët shpërthyen në lot.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare shpreh keqardhjen për ekipin rival, por thotë se ky është futbolli. Në një intervistë për "Panorama Sport", Cikalleshi analizon sezonin që bëri në Turqi dhe shpreson që të bëjë një Europian për t'u mbajtur mend.

Sulmuesi kavajas shënjestron Zvicrën si ekipin që duhet mundur në Europian dhe thotë se do të jepte gjithçka nëse i bënte të qanin lojtarët dhe tifozët e tyre.

Sokol, si u ndiet pasi shënuat golin që rrëzoi një kategori më poshtë ekipin e Eskisehirsporit?

Shumë e vështirë për të dhënë një përgjigje se si u ndjeva, sepse unë jam lojtar i Bashakshehirit dhe ne duhet ta fitonim ndeshjen për të siguruar vendin e katërt në renditje. Nga fusha e lojës pashë vetëm lojtarët kundërshtarë që filluan të qanin.

Më vonë, tifozët shpërthyen në revoltë dhe i vunë flakën stadiumit...

Këto i pashë pas ndeshjes dhe për të thënë të vërtetën nuk u ndjeva mirë. Më erdhi keq që shkaktova gjithë këtë, por i tillë është futbolli. Dikush qan dhe dikush feston. Unë kisha 2-3 raste për gol, por u desh të shënoja në minutën e 90-të. E gjithë kjo mendoj se ishte rastësi. E përsëris që kur pashë në video atë që kishte ndodhur nuk më erdhi aspak mirë.

Në Europian, cilin ekip do të donit të bënit për të qarë?

Jam duke e pritur me padurim Europianin. Mendoj se është gjëja më e bukur që më ka ndodhur në karrierë. Madje, mendoj se edhe për futbollistët e tjerë është diçka madhështore. Shpresoj të bëjmë figurë të mirë dhe të vazhdojmë ëndrrën tonë.

Ndeshja ndaj Zvicrës është shumë domethënëse për ne dhe sigurisht që do të më pëlqente të shënoja kundër tyre. E rëndësishme është ta fitojmë atë ndeshje, por nëse do të vinte fitorja nga goli im sigurisht që do ndihesha dyfish i lumtur. Kështu që po zgjedh Zvicrën...

Mungojnë edhe pak ditë nga fillimi i Europianit...

Emocionet sa vijnë edhe shtohen. Është diçka madhështore për ne si Kombëtare. Gjithçka do të fillojë me ndeshjet miqësore që do të luajmë përpara Europianit dhe shpresoj të përgatitemi sa më mirë. Po pres me padurim dhe jam gati. Prezenca në Francë na ka dhënë shumë forcë për të shpresuar të bëjmë një tjetër rezultat pozitiv, ashtu si në eliminatore. Shpresoj të jemi sërish surpriza e këtij Europiani.

Jeni i kënaqur me sezonin që zhvilluat në Turqi?

Jam i kënaqur sepse ishte sezoni im i parë. Kam shënuar 13 gola, por unë jam tip që nuk kënaqem me pak. Edhe në rast se do të kisha shënuar 30 gola, do të kërkoja të shënoja më shumë sezonin e ardhshëm. Unë kam bërë gjithmonë maksimumin sa herë kam qenë në fushën e lojës. Shpresoj që sezoni i ardhshëm të jetë më i mirë për mua dhe për skuadrën ku luaj.

Çfarë note i vini vetes për këtë sezon?

Kemi edhe një ndeshje për të luajtur në kampionat, por kemi siguruar pjesëmarrjen në turin eliminator të Europa Ligës. Gjithashtu, arrita edhe Europianin me Kombëtaren. Besoj se nuk është sezon i keq, por notat le t'i vënë të tjerët për mua.

Ju do të vazhdoni të qëndroni aty edhe sezonin tjetër?

Po. Tani për momentin mendoj të bëj një Europian sa më të mirë dhe pastaj të tregoj vlerat edhe për sezonin e ardhshëm me ekipin tim.

Kemi arritur një objektiv të rëndësishëm si Kupat e Europës dhe shpresoj të vazhdojmë ngjitjen në futbollin turk. Gjithçka varet edhe nga Kombëtarja, pasi duhet të bëjmë një Europian shumë të mirë dhe pastaj të mendoj për sezonin e ardhshëm.

GENTJAN ALINANI


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama