Një verë e nxehtë parashikohet në segmentin Kosovë- Shqipëri. Një ditë më parë, trajneri i përfaqësueses kosovare, Albert Bunjaki, në një intervistë për gazetën, deklaroi hapur se janë në pritje të disa futbollistëve kosovarë që janë pjesë e Kombëtares shqiptare.
Tekniku nuk përmendi emra, pasi fillimisht Kosova është në pritje të një vendimi përfundimtar nga FIFA në lidhje me këtë çështje.
Gazeta ka kontaktuar dje dy prej ish-futbollistëve kosovarë të Shqipërisë që kanë lënë gjurmë me Kombëtaren, Debatik Currin dhe Mehmet Dragushën duke i pyetur në lidhje me këtë çështje.
Të dy ish-lojtarët janë në të njëjtën linjë. Sipas tyre, asnjë prej futbollistëve kosovarë që janë pjesë aktuale e Shqipërisë nuk duhet të largohet nga përfaqësuesja kuqezi.
Reagimet - "Sigurisht që lojtarët do ta vendosin vetë pasi është një zgjedhje personale. Por, për mendimin tim, ata futbollistë kosovarë që janë pjesë e Kombëtares shqiptare duhet të vazhdojnë të luajnë për të.
Kanë një grup solid dhe përpara janë eliminatoret e Europianit. Kosova të presë për lojtarët e rinj që do të dalin. Nuk duhet të nxitohet", deklaroi Curri
. Ndërsa Dragusha ishte edhe më i ashpër: "Për mua ekziston vetëm një Kombëtare dhe ajo është përfaqësuesja kuqezi. Lojtarët aktualë kosovarë duhet të vazhdojnë të luajnë për Shqipërinë".
***
Curri: Kosovarët nuk duhet të largohen nga Shqipëria
Debatik Curri do të mbahet mend gjatë si një prej mbrojtësve më të mirë të Kombëtares gjatë dekadës së fundit. Futbollisti kosovar u bë pjesë e kuqezinjve në 2006-ën duke luajtur me Shqipërinë për tetë vite deri më 2014-ën. Ka qenë titullar i padiskutueshëm në shumicën e takimeve që ka zhvilluar duke lënë gjurmë.
Ai është aktivizuar në 44 ndeshje me Shqipërinë duke shënuar edhe një gol. Ashtu si Dragusha, edhe ish-mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare ka mendimin se lojtarët aktualë kosovarë duhet të vazhdojnë të luajnë për fanellën kuqezi.
Curri
"Sigurisht, futbollistët do të vendosin vetë nëse do të qëndrojnë apo do të largohen.
Është një vendim krejtësisht personal. Por, për të mos ndikuar negativisht në të dyja përfaqësueset, mendoj se futbollistët kosovarë, që janë aktualisht pjesë e Shqipërisë, duhet të vazhdojnë të qëndrojnë.
Është krijuar një grup cilësor dhe përpara janë edhe eliminatoret e Kampionatit Botëror ku kuqezinjtë mund të bëjnë diçka. Dhe nëse unë do të isha në vend të tyre, pa dyshim që do të zgjidhja të vazhdoja të luaja për Shqipërinë", shprehet fillimisht ish-mbrojtësi kuqezi. I pyetur në lidhje me të ardhmen e Kombëtares së Kosovës, Curri përgjigjet:
"Është përfolur se përfaqësuesja kosovare do të fuqizohet me lojtarë që do të vijnë nga Shqipëria apo Zvicra. Megjithatë, mendoj se Kosova do të vazhdojë të ketë atë kontingjent lojtarësh, përveç ndoshta 2-3 afrimeve. Nuk duhet të nxitohet, pasi është ende herët. Do të dalin breza të rinj futbollistësh në vazhdim dhe në këtë mënyrë do të krijohet një grup solid për të ardhmen. Ka ende kohë dhe nuk duhet që të ngutet", tha Curri.
I pyetur nëse ekziston mundësia që të luajë për Kombëtaren e Kosovës, ish-mbrojtësi thotë se ka mbyllur gjithçka. "E kam mbyllur gjithçka për sa u përket përfaqësueseve.
E kam deklaruar dhe nuk do të luaj më për asnjë kombëtare", e ka mbyllur Curri prononcimin e tij për gazetën "Panorama Sport". Javët në vazhdim priten me shumë interes për të parë nëse do të ketë lojtarë që do të largohen nga Kombëtarja shqiptare apo jo.
***
Dragusha: Ekziston vetëm një kombëtare kuqezi
Mehmet Dragusha është ndër të parët lojtarë kosovarë që luajti për Shqipërinë. Në fillim të viteve 2000, ai së bashku me Lorik Canën, Besnik Hasin apo ndonjë tjetër thyen tabunë duke vendosur të luajnë për fanellën kuqezi. Më shumë se një dekadë nga ajo kohë, gjërat kanë ndryshuar shumë. Por, Dragusha mbetet gjithmonë i njëjti.
Emocionet e përjetuara me fanellën kuqezi, megjithëse në jo shumë takime, kanë lënë shenjë te mesfushori i lindur në Prishtinë. Në një kohë kur debati dhe bisedimet në prapaskenë janë në kulmin e vet për sa u përket futbollistëve kosovarë që janë pjesë e Shqipërisë dhe që mund të zgjedhin Kosovën, Dragusha është radikal.
Ai e thotë hapur se njeh vetëm një përfaqësuese, atë të Shqipërisë.
Dragusha
Në lidhje me këtë çështje, në prononcimin e tij për gazetën "Panorama Sport", ish-mesfushori i Kombëtares është shprehur:
"Nëse do të më duhej të bëja sërish një zgjedhje, nuk do ta ndryshoja nga ajo kohë, do të luaja sërish për Shqipërinë. Në atë kohë nuk ishte një përfaqësuese e Kosovës, por edhe nëse do të ekzistonte, unë personalisht do të zgjidhja Shqipërinë. Për mua ekziston vetëm një Kombëtare dhe ajo është përfaqësuesja kuqezi.
Nuk është njëlloj të veshësh fanellën blu të Kosovës me atë kuqezi të Shqipërisë. Kjo e dyta të ngjall të tjera emocione", deklaroi fillimisht Dragusha. I pyetur se çfarë vendimi duhet të marrin lojtarët kosovarë që janë aktualisht pjesë e Shqipërisë, 38-vjeçari shprehet:
"Për mendimin tim, ata që janë pjesë e Kombëtares shqiptare duhet të vazhdojnë të luajnë sërish me fanellën kuqezi. Megjithatë, zgjedhja është personale dhe çdokush mund të veprojë si të dojë. Por, unë mendoj se duhet të qëndrojnë te Shqipëria.
Për sa i përket Kosovës, do t'i duhet kohë. Brezat e rinj të lojtarëve që do të dalin të luajnë për Kosovën. Sigurisht, nuk do ta ketë aspak të lehtë kjo përfaqësuese.
Nuk ka shumë lojtarë të rëndësishëm dhe do t'i duhet pak kohë", e mbyll prononcimin e tij Dragusha. Ishmesfushori ka luajtur dhjetë takime me Shqipërinë dhe ka shënuar edhe një gol gjatë viteve 2003-2005.
BESAR BOZGO