Ekskluzive/ De Biazi Gabimet i paguam shtrenjte Cana 33 vjec

Ekskluzive/ De Biazi: Gabimet i paguam shtrenjtë, Cana 33 vjeç

Një ndeshje me shumë episode, ku kuqezinjtë nuk shfrytëzuan rastet në sulm dhe gabuan në prapavijë, nuk kishte se si ta nxirrte të gëzuar trajnerin De Biazi.

13410874_1194653533887311_1111496621_oNë një intervistë ekskluzive për "Panorama Sport" nga Franca, pas ndeshjes, kreu i pankinës kuqezi ka rikujtuar edhe një herë gjendjen fizike të kapitenit, ndërkohë që ka theksuar se me rastet e krijuara, rezultati mund të ishte tjetër.

Pësojmë sërish gol në pesë minutat e para...

Sepse futemi në fushë shumë të ngarkuar emocionalisht, ndërkohë që duhet të bëjmë komplet tjetër gjë. E kam thënë edhe në konferencën për shtyp përpara këtij takimi se ai që do të arrijë që ta zgjidhë më mirë tensionin, do të bëjë edhe lojën e tij. Ne vazhdojmë që ta vuajmë këtë gjë në minutat e para. Gjithashtu, ndëshkimi i Canës ndikoi për vazhdimësinë.

Sipas jush, çfarë ndodhi për këtë episod?

Nuk di çfarë të them, ama ai është 33 vjeç dhe një lojtar që ka eksperiencë. Të luante ndaj Zvicrës në kampionatin europian, ishte takim të cilin e përjetoi shumë, por duhet ta kishte përballuar më mirë. Mbase gaboi në faullin e parë që ishte krejtësisht i evitueshëm.

Ama, Shqipëria sikur luajti më mirë me dhjetë...

Atëherë do të kërkojmë që të luajmë me dhjetë në ndeshjet e tjera... Na duhet që të rikuperojmë për ndeshjen tjetër, pasi disa lojtarë janë të lodhur, ndërsa pjesa tjetër duhet të përgatitet më mirë. Ne luajtëm më mirë, pasi pësuam gol sepse ishim duke humbur dhe logjikisht duhet sulmonim për të barazuar rezultatin. Edhe kur mbetëm me 10 lojtarë arritëm të krijonim 2 raste shumë të mira për të shënuar, por nuk ia dolëm. Megjithatë kjo ishte gjëja pozitive e ndeshjes. Ndërkohë, Zvicra shënoi golin e ndeshjes në tentativën e parë.

U pa që Xhaka dhe Abrashi mbajtën peshën e mesfushës...

Xhaka ynë apo i atyre?

Yni, u pa që ishte grintoz dhe kishte dëshirë për të luajtur...

Po, kemi shumë nevojë për këta lojtarë që marrin përsipër gjëra të mëdha, gjithashtu që të dinë të japin kontribut për ekipin edhe në disa role të tjera.

Gabuam sërish në prapavijë...

Unë nuk jam mësuar të flas për reparte të veçanta, por për të gjithë skuadrën. Duhet të ngrihemi dhe të luajmë me personalitet. Isha i bindur se ndeshjen e sotme (djeshme) mund ta luanim akoma më mirë dhe mund ta vinim më shumë në vështirësi Zvicrën. Ne treguam të gjitha anët tona më të mira, por i shkërmoqëm nga mungesa e vëmendjes.

Nga i dërguari ynë në Francë,
ERMAL KUKA



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama