Shkëlzen Gashi kishte shansin të barazonte ndeshjen e djeshme, teksa vetëm me portierin nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë afër fundit të lojës.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare deklaroi pas ndeshjes ekskluzivisht për "Panorama Sport" se ky moment fatal nuk u kthye në gol për meritë të portierit Somer. Gashi mendon se skuadra kë bërë një paraqitje dinjitoze.
"Natyrisht që ndiej keqardhje për këtë humbje, pasi kemi luajtur shumë mirë në pjesën e dytë, edhe pse ishim me 10 lojtarë. Të gjithë djemtë kanë bërë maksimumin dhe nuk duhet të harrojmë që Zvicra ka qenë në epërsi numerike.
Kemi besuar deri në fund se mund të barazonim, por nuk ia arritëm. Rasti i humbur? Mendoj se isha i bindur në goditjen që do të bëja, por portieri i Zvicrës u tregua i shkëlqyer në atë moment. Më vjen shumë keq për tifozët që nuk mundëm t'i kënaqnim me të paktën një pikë. Natyrisht, humba një shans të artë dhe jam i ndërgjegjshëm për këtë.
Futbolli ky është dhe duhet të shikojmë përpara. Na duhet të jemi më të përqendruar për të shmangur gabimet", ka thënë fillimisht Gashi.
I pyetur nëse e vuan mungesën e golit në Kombëtare, sulmuesi që aktivizohet në kampionatin amerikan u shpreh:
"Jo, unë ndihem shumë mirë. Sigurisht duhet të shënoj dhe tani e rëndësishme është që të mos gaboj më, por të jem më efikas".
Franca - Gashi beson se kuqezinjtë mund të befasojnë skuadrën e Didier Deshampit. "Nuk kemi çfarë të humbim kundër Francës, do të bëjmë gjithçka për të marrë pikë.
Fakti që ndaj tyre kemi luajtur dy herë dhe një takim e kemi fituar, na shton edhe më tepër besimin se mund t'ia dalim sërish.
Do të jetë një ndeshje edhe më e vështirë për ne, por të jeni të bindur se do të bëjmë gjithçka për të marrë pikë. Mos u habisni edhe nëse fitojmë", ka përfunduar sulmuesi kuqezi.
Nga i dërguari ynë në Lens
ERMAL KUKA