Ekskluzive/ Kapllani De Biazi do vetem sulmues te tipit Cikalleshi

Ekskluzive/ Kapllani: De Biazi do vetëm sulmues të tipit Cikalleshi

Edmond Kapllani është rekordmeni shqiptar i golave me Kombëtaren gjatë një edicioni të vlefshëm për kampionatin europian. Në eliminatoret e EURO 2008, ai shënoi pesë herë kur Shqipëria drejtohej nga Oto Bariç.

Shqiperi-Armeni 4Sulmuesi durrsak mbylli sezonin me FSV Frankfurtin në Bundesligën 2, ndërsa dje, në një rrëfim ekskluziv për "Panorama Sport", foli gjerësisht për Kombëtaren, zgjedhjet e Xhani De Biazit dhe surprizat në listën përfundimtare. Kapllani do të jetë në Francë si tifoz.

Edmond, askush si ju me Shqipërinë nuk ka shënuar pesë gola brenda një edicioni të vlefshëm për kampionatin europian. Ju bën krenar kjo?

Krenar do të isha nëse do të grumbullohesha në Europianin e Francës. Megjithatë, ajo që kam bërë në eliminatoret e EURO 2008, natyrisht që është një kujtim i bukur për mua me Kombëtaren. Tashmë kam qenë i ndërgjegjshëm se nuk do të isha pjesë e listës së De Biazit. Isha i përgatitur për këtë situatë, pasi nuk kam kontribuar shumë në edicionin e fundit. U mblodhën shumë gjëra bashkë, madje përpara se të shënonte atë supergol Balaj në Portugali, mund të isha unë në fushë. Por, ky sezon shkoi keq për mua dhe futbolli kështu e ka.

Gjithsesi, besoj se FSHF ju ka bërë një ftesë për të qenë në Francë si një ish-lojtar i Kombëtares...

Po, kam marrë ftesë. Do të shkoj në Francë për të ndjekur ekipin.

Çfarë përshtypje ju ka lënë lista përfundimtare e trajnerit De Biazi, a mendoni se këto ishin zgjedhjet më të mira?

Në këto raste debatet janë të pashmangshme dhe që kur u bë lista, dihej që do të largoheshin katër veta. Në gjykimin tim nuk shoh ndonjë tragjedi të madhe në këto zgjedhje. Pra, nuk mund të themi se kishte një bombë me lënien jashtë të një lojtari që bën diferencën. Mendoj se De Biazi e kishte ndarë mendjen për listën përfundimtare që kur zgjodhi 27 lojtarë, duke qenë i qartë për katër të larguarit.

Nuk shikoni asnjë rast të ndonjë lojtari që meritonte më shumë në këtë përzgjedhje?

Surprizë ishte ndoshta Rashica. Duke qenë një lojtar i ri premtues, mendoja se do ta grumbullonte. Kam vënë re që ka pasur polemika për rastin e Salihit. Me të vërtetë që ia kisha uruar Hamdiut të ishte në Europian, por e kisha parandier që De Biazi ashtu do të vepronte.

Pse mendoni kështu?

Isha i bindur, sepse një trajner si De Biazi nuk e besoja se do të merrte në Francë më shumë se tre sulmues. Cikalleshi, Sadiku dhe Balaj kanë kontribuar për këtë kualifikim.

Fatkeqësia në rastin e Salihit dhe timin është se, pavarësisht kontributit të madh ndër vite me Kombëtaren, nuk patëm shansin të ishim dominantë në sezonin që e çoi Shqipërinë në Europian. Edhe unë në fillim të edicionit nuk i kisha hequr shpresat, por ama duke parë situatën isha i ndërgjegjshëm.

Sipas jush, vetëm fakti që nuk ishte protagonist në edicionin e fundit e penalizoi Salihin apo ka diçka tjetër?

Me aq sa e njoh unë De Biazin, gjithnjë ai ka qenë i bindur për lojtarë të tipit Cikalleshi. Loja jonë bazohet në mbrojtje dhe një sulmues si Cikalleshi ka bërë gjithçka mirë në të gjitha fazat, duke e bindur trajnerin. Nuk mendoj se Salihin e ka penalizuar rikthimi në Shqipëri, sepse ai e bëri detyrën, doli kryegolashënues. Gjykoj se De Biazi nuk mund të linte jashtë një mes Cikalleshit, Balajt e Sadikut. Ai ndoshta mund ta merrte Salihin në listën me 27 lojtarë, por ka menduar që më mirë nuk e marrë që nga fillimi, se sa ta largojë më pas.

U thoni ka grumbulluar vetëm tre sulmues, por keni harruar Gashin...

Jo, Gashi nuk është sulmues. Kam vënë re që shumë media e cilësojnë Shkëlzenin si sulmues. Nuk e shoh të tillë, ai është një lojtar që ka një pozicion në fushë, që duhet t'i përshtatet një skuadre. Mënyra e lojës që mund të bëjë një ekip, duhet t'i përshtatet lojës së Gashit. Unë e kam ndjekur me kujdes lojën e Gashit, por ai nuk është sulmues.

Në pritshmëritë e Europianit, kompanitë e basteve dhe mediat më prestigjioze, duke iu referuar edhe statistikave të eliminatoreve të fundit, e llogarisin Shqipërinë si ekipin me sulmin më të dobët. Ju si e parashikoni ecurinë e sulmuesve në këtë pjesëmarrje historike?

Që të jemi realistë, ne nuk jemi një skuadër që shquhemi për të shënuar. Përveç ndeshjes me Armeninë, gjithnjë ose kemi fituar 1-0 ose kemi barazuar pa gola. Rëndësi ka që ne me këtë pragmatizëm kemi arritur të marrim pikët dhe kjo është baza për De Biazin. Pra, ne të luajmë mirë në mbrojtje, të mos pësojmë dhe brenda mundësive të shënojmë një gol dhe ta ruajmë me fanatizëm portën deri në fund. Kjo është taktika e italianëve dhe natyrisht e De Biazit. Jemi një ekip i vogël dhe mos prisni që ne t'i dominojmë ndeshjet.

Na konsiderojnë me sulmin më të dobët, edhe për mënyrën e lojës që kemi bërë. De Biazi e ka bërë skuadrën të ketë stabilitet në aspektin defensiv dhe këtë e tregojnë eliminatoret, pasi edhe mesfushorët kanë qenë më tepër me tipare mbrojtëse. Praktikisht kemi qenë me 7 mbrojtës, por nuk mund të themi se duhet të ndryshojmë, pasi kjo na solli suksesin.

Ju keni luajtur edhe në kohën e Bogdanit, Tares dhe Bushit. Cili është krahasimi me sulmuesit aktualë, çfarë ndryshon?

Futbolli ka ndryshuar dhe sulmuesit aktual, në krahasim me ata që kanë luajtur shumë vite më parë, dallojnë për faktin se janë më shumë të lëvizshëm, më të fortë dhe mundohen ta ndihmojnë skuadrën në fazën mbrojtëse. Sulmuesit e Kombëtares kanë qenë edhe më cilësorë, por me kohën e sotme, këta që janë aktualisht nisin të bëjnë mbrojtësin e parë. Janë më mirë taktikisht dhe ky është ndryshimi. Kualitetet nga ana ofensive natyrisht që kanë qenë shumë më të mira vite më parë. Në kohën kur kam luajtur me Bogdanin, Bushin etj., prodhonim më shumë dhe shënonim më tepër, por ndryshimi ishte se pësonim shumë. Tashmë Kombëtarja jonë pëson pak dhe është racionale.

Dikur kemi pasur një lojtar si Skela, ndërsa tani Kombëtarja ka gjithnjë e më pak fantazi në mesfushë...

Këtë mënyrë loje që bën Kombëtarja, duke mos pasur një fantazist, është e mërzitshme ta shohësh dhe ta luash. Megjithatë, futbolli ka ndryshuar dhe shumë trajnerë në Europë veprojnë si De Biazi. Gjithnjë e më shumë po luhet një futboll taktik. Ka ikur ajo kohë që të bësh presing të vazhdueshëm, tashmë gjithnjë e më tepër po luhet me mesfushor me tipare defensive dhe jo fantazist të mirëfilltë. Shumë ekipe në botë dominojnë lojën për 90 minuta. Futbolli modern është që të jesh efektiv, të shënosh dhe mos pësosh. Kjo është filozofia e shumicës, përjashto ekipe si Barcelona dhe Bajerni që dominojnë.

Nga trajnerët e Kombëtares, kush ju ka lënë më shumë mbresa?

Momentet më të mira i kam pasur kur ka qenë trajner Oto Bariç. Në fillim kisha probleme, sepse në sulm ka pasur rivalitet të madh. Megjithatë, arrita të shënoja rregullisht dhe e binda Bariçin. Fati im i keq dhe momenti më delikat ka qenë kur iku Oto pas humbjes me Rumaninë. Që nga ai moment nisi luhatja ime. Erdhën trajnerë shumë të ndryshëm, ndërsa i fundit, De Biazi, ishte tipik italian. Kishte më shumë disiplinë dhe taktikë. Prandaj dhe arriti te suksesi.

Deri dy vite më parë kishit Roshin në skuadër. Si e keni parë ecurinë e mesfushorit. Mos ndoshta gaboi me transferimin në Kroaci?

Më vjen pak inat për faktin se nuk po arrin të jetë ai që të gjithë presim. Kampionati kroat s'mund të krahasohet me më të fortët në Europë dhe pres që Odisea të jetë një lider te Rijeka. Ai duhet të jetë po kaq i rëndësishëm sa në Kombëtare. Unë mendoj se Roshi është lojtar kryesor në përfaqësuese dhe skuadra ka nevojë për të. Në ndeshjen e fundit ndaj Katarit më pëlqeu për faktin se bëri dy mbyllje të bukura në aspektin defensiv. Uroj të shkëlqejë në Europian.

Një sezon për t'u harruar me FSV Frankfurtin...?

Natyrisht, pasi zbritëm nga Bundesligën 2, por më shumë për faj të klubit, që bëri disa gabime, duke filluar nga trajneri apo menaxheri. Gjithsesi, kur vjen fundi dhe dështon, faji u mbetet të gjithëve. Ishte një sezon për t'u harruar, pasi nuk u aktivizova shumë.

Cila do të jetë e ardhmja juaj, e keni menduar lënien e futbollit?

Nuk bëhet fjalë të tërhiqem. Do të ishte fatkeqësi, sepse jam mirë fizikisht. Tashmë dua një skuadër, që përveçse të luajë, të mendojë edhe të ardhmen në atë klub pas tërheqjes së mundshme nga futbolli. Synimi im është të mbetem në Bundesligën 2 dhe jo të vazhdoj te Frankfurti.

JORGIS MEMO


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama