Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, mendon se titullin kampion e meriton Partizani. Në një intervistë ekskluzive për "Panorama Sport", kreu i klubit durrsak akuzon Skënderbeun se ka toleruar në ndeshjen ndaj Laçit dy sezone më parë, duke i shkaktuar një dëm të madh Teutës.
"Marrëdhëniet me klubin korçar janë të ngrira", ka thënë ndër të tjera Hasanbelliu, i cili e cilëson të shkëlqyer sezonin e Teutës, edhe në rast se skuadra durrsake nuk merr pjesë në Ligën e Europës.
Zoti Hasanbelliu, po krijohet një opinion sikur çdo gjë do të vendoset në Vlorë. Ju, si e prisni ndeshjen ndaj Partizanit?
Ne jemi ende në garë për një vend në Ligën e Europës dhe do të luftojmë deri në fund. Na pret një ndeshje shumë e vështirë, por me këtë kampionat që po bëhet, ku surprizat nuk mungojnë nga java në javë, shpresojmë që të arrijmë edhe këtë objektiv që kemi.
Te Partizani janë përgatitur për festë...
Shiko, ne shohim punën tonë dhe unë pres që skuadra të bëjë lojën e zakonshme, ashtu siç ka bërë deri më tani. Megjithatë, për të qenë i sinqertë, ne varemi shumë nga ndeshja mes Kukësit dhe Tiranës. Çdo fitore e Kukësit na nxjerr nga gara, kështu që jo çdo gjë është në këmbët tona. Megjithatë, edhe nëse nuk ia dalim, skuadra duhet të luajë për kënaqësi, pasi në një stadium që pritet të jetë i tejmbushur, natyrisht që ka një lloj sadisfaksioni për lojtarët.
Në vitin 1996, Partizani ju ka hequr një titull nga duart, duke iu mposhtur në "Selman Stërmasi". A mund të flitet tashmë për një hakmarrje?
Jo, jo absolutisht. Kjo nuk ka lidhje me ne. Teuta do shkojë në Tiranë për të luajtur futboll, por duhet të dimë diçka, që çdo klub ka hallet e veta dhe pak na intereson se çfarë bëjnë të tjerët. Di të them që kemi një mungesë shumë të rëndësishme si Lukiç ndaj Partizanit.
Duke qenë se jeni të varur nga ndeshja e Kukësit për vendin e tretë, besoni se Tirana që ka dalë nga objektivat mund ta ndalë rivalin tuaj?
Nuk kemi pse surprizohemi nëse Tirana merr pikë në Kukës. Vetëm nëse klubi u thotë vetë lojtarëve të tolerojnë, atëherë nuk ka mundësi të mos marrë pikë. Ashtu si ne, edhe Tirana do respektojë kampionatin.
Fakti që kampionati është i hapur deri në javën e fundit tregon për një garë të ndershme apo në dijeninë tuaj ka pasur ndeshje që janë luajtur në tavolinë?
Struktura me 10 skuadra, përveç anës financiare, ndikoi për mirë edhe në kampionat. Sa më pak ekipe, aq më pak tolerime do të ketë. Tani dihet që në gjithë botën ndodhin tolerimet, madje edhe në kampionatin spanjoll pashë një ndeshje të tillë dy ditë më parë.
Ky kampionat u bë i fortë, edhe pse Tërbuni doli shpejt nga gara. Mirëpo, disa skuadra dhanë premio për të motivuar kundërshtarët dhe ekipi nga Puka u josh nga kjo histori. Kur ka pak skuadra në garë, sponsorizohen nga klube të tjera për të fituar, gjë që është krejt normale. Të jem i sinqertë, e prisja këtë garë që do të shkonte e hapur deri në fund. Mendoj se ky kampionat është më i bukuri nga të gjitha vitet që unë drejtoj Teutën.
A keni një ndeshje që ju ka mbetur peng nga ky kampionat?
Po, është ndeshja e fazës së katërt që luajtëm ndaj Skënderbeut dhe barazuam. Më ka mbetur peng, sepse e meritonim ta fitonim, pasi djemtë luajtën mirë. Pastaj me Skënderbeun kemi pasur edhe inate personale.
Për çfarë bëhet fjalë?
Para dy sezonesh, skuadra korçare na ka lënë jashtë Ligës së Europës, pasi toleroi në ndeshjen ndaj Laçit. Ky fakt na dogji më shumë se viti kur luftonim për titullin dhe e fitoi Skënderbeu. Ia lanë ndeshjen Laçit 1-2 dhe nga ai moment marrëdhëniet tona me klubin e Skënderbeut janë të ngrira, pavarësisht se qyteti i Korçës është i dashur për mua.
Me këtë paraqitje që ka bërë Teuta deri më tani, ju vetë jeni i surprizuar nga skuadra dhe pozicioni që ka në tabelë?
Unë jam shumë i kënaqur nga skuadra. Janë djem të rinj dhe trajneri Magani ka meritën kryesore. Ne tashmë kemi arritur në një pikë që është fatkeqësi që të mos kapim Europën. Pamë që skuadrat e tjera ishin të lodhura dhe pse të mos pretendonim. Skuadra ka qenë e shkëlqyer dhe unë jam i kënaqur nga lojtarët edhe nëse nuk arrijmë të jemi pjesë e Kupave të Europës.
Do të vazhdoni bashkëpunimin me trajnerin Magani edhe për sezonin e ri?
Aktualisht që flasim nuk kemi ndarë gjë. Nëse do të kapim Europën, atëherë synimi im është që të bëjmë një skuadër më kompetitive. Këtë grup lojtarësh që kemi do ta ruajmë, por varet pastaj se kush do të ketë oferta nga klubet jashtë. Duam të bëjmë një skuadër të fortë, në mënyrë që sezonin e ardhshëm të jemi pretendentë për titullin.
Së fundmi, cili mendoni se e fiton titullin: Skënderbeu apo Partizani?
Titullin e meriton Partizani. Sa i përket Skënderbeut, më duket i ngopur dhe i lodhur me tituj. Natyrisht që korçarët kanë ekip shumë të mirë, por personalisht kam dëshirë që këtë vit ta fitojë Partizani.
JORGIS MEMO