Ekskluzive/ Rrefimi i Joses Ja pse ika nga Skenderbeu

Ekskluzive/ Rrëfimi i Josës: Ja pse ika nga Skënderbeu

I qetë, ironik dhe thumbues. Mirel Josa nuk është më trajneri i kujdesshëm që jemi mësuar të shohim katër vitet e fundit te Skënderbeu.

josa1Vetëm pak orë pasi zhvilloi takimin final me presidentin Ardjan Takaj, tekniku më i titulluar në Shqipëri (5 tituj) rrëfehet për gazetën "Panorama Sport".

Nuk është largimi që do të donte, pasi sipas tij gjithçka duhej të ishte mbyllur që në fund të kampionatit nëse drejtuesit nuk dëshironin më të vazhdonin me të.

Takajn e konsideron ish-president që në prezantimin e parë, në një kohë që bën ironi me teknikun e ri të Skënderbeut, Andrea Agostineli. Josa zbulon gjithçka në lidhje me largimin nga korçarët, ndërsa flet në lidhje me debatet me Takajn dhe marrëdhëniet me Shkëmbin. Skënderbeut i vendos një 10, në një kohë që rendit lojtarët më të mirë.

Trajneri flet edhe për dënimin e klubit nga UEFA për shkak të trukimit të ndeshjeve. "Kjo çështje më ka goditur psikologjikisht. Ne nuk kemi fituar kampionate të trukuara", thotë Josa ndër të tjera në rrëfimin e tij.

Pse vendosët të mos jeni më në drejtim të Skënderbeut, ishte vendimi juaj apo i drejtuesve korçarë?

Kontrata ime me klubin e Skënderbeut përfundoi. Mund të them që ka qenë një marrëveshje që nuk duhej të shkonte kaq gjatë. Jo bashkëpunimi me Skënderbeun, por marrëveshja për të vazhduar sërish apo jo, nuk duhej të ishte kaq e gjatë. Duhej që gjithçka të kishte përfunduar në momentin e përfundimit të kampionatit. Ky është problemi që unë dhe Skënderbeu nuk vazhdojmë më bashkëpunimin. Kjo me një konsensus të të dy palëve. Këtu nuk mund të themi se ka një përfundim cikli, pasi ai nuk është i përcaktuar. Njeriu i ndërton, i bën dhe i mbyll vetë ciklet. Mendoj se çdo gjë duhej të ishte mbyllur më parë në lidhje me vazhdimësinë time te korçarët ose jo dhe të mos zgjaste kjo çështje kaq gjatë.

Sot (dje) keni pasur takimin e fundit me presidentin Ardjan Takaj. Çfarë diskutuat?

Po, kam zhvilluar një takim me ish-presidentin, për të cilin kam konsideratë. Kam biseduar me të dhe kështu u vendos për të mirën e klubit apo edhe timen personale.

Meraku juaj i vetëm në këtë histori është që të vendosej ndërprerja e bashkëpunimit me klubin që në fund të kampionatit, nuk ka asgjë tjetër që nuk shkon në gjithë këtë histori?

Edhe nëse kam kërkuar takime me presidentin, këtë e kam bërë jo për vazhdimësinë e punës sime, por për të mësuar nëse Takaj e donte sërish bashkëpunimin me mua apo jo. Dhe që u mbyll në këtë mënyrë, nuk ka asnjë keqardhje. Meraku i vetëm qëndron në kohën që kjo duhej të ishte mbyllur më shpejt, që me përfundimin e kampionatit. Megjithatë, ekipi ka pasur probleme të mëdha gjatë kësaj kohe me UEFA-n dhe gjyqet. Unë uroj që këto probleme të mbyllen ashtu siç duhet dhe siç i ka hije një skuadre që është ndërtuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe ka fituar trofe gjatë këtyre viteve ku edhe unë kam qenë në drejtimin e saj. Nuk kam asnjë hatërmbetje. E rëndësishme është që puna të vazhdojë normalisht, qoftë e imja personale, edhe e skuadrës.

Ju personalisht, do dëshironit të vazhdonit sërish me Skënderbeun?

Gjatë të gjithë kësaj periudhe, lodhja nuk ka qenë e pakët, jo vetëm kur isha në drejtim të Skënderbeut, por edhe gjatë kohës në ekipe të tjera. Kjo pasi të gjitha skuadrat ku kam drejtuar kanë marrë pjesë në Kupat e Europës. Sigurisht, edhe mua më duhej pushimi në njëfarë mase për t'u relaksuar. Megjithatë, përderisa prita deri në këto momente për t'u takuar me presidentin, dëshira qëndronte për të vazhduar sërish. Por, nga momenti që duket se ka njëfarë ngopjeje nga drejtuesit me mua, apo edhe e imja me ta, atëherë çdo gjë mori rrugën që sipas mendimit tim duhej të merrte. Mund të themi që ishte edhe një lloj marrëveshje jona e hapur, por në heshtje.

Ju vjen keq që përpara se Skënderbeu të lajmëronte zyrtarisht se ka mbyllur bashkëpunimin me ju, del në stërvitje me skuadrën një trajner tjetër?

Kush është ky?!

Andrea Agostineli, ish-trajneri i Partizanit gjatë sezonit të kaluar...

Aaa, nuk e di. Nuk merrem me Agostinelin. Kam respekt për zotërinë dhe çdo gjë ishte reciproke mes nesh kur unë drejtoja Skënderbeun dhe ai Partizanin. I uroj vetëm suksese. Sot (dje), Agostineli ka deklaruar se cikli i Josës te Skënderbeu përfundoi. Komenti juaj për këtë? Unë nuk besoj se Agostineli merret me ciklin tim sepse atë e përcaktoj unë. Çdo njeri i përcakton vetë ciklet e tij. Unë nuk merrem me këto. Josa mund të merrte edhe shtatë apo tetë kampionate dhe askush nuk mund ta dinte këtë. Megjithatë, dikush i ka ciklet 4-vjeçare dhe me trofe, ndërsa dikush tjetër të shkurtra.

Ju vjen keq që klubi ju zëvendëson pikërisht me trajnerin që e humbi luftën për titull përballë jush? Largohet një trajner fitues dhe vjen një humbës në rastin konkret?

Jo, nuk më vjen keq aspak. Unë nuk i konsideroj kolegët e mi humbës. Edhe unë kam pasur ndeshje, të cilat i kam humbur përballë kolegëve të mi. Por, një takim apo një ecuri nuk varet vetëm nga një trajner. Tekniku është ai që paguan kur humbet ekipi, ndërsa në rast fitoreje përfshihen të gjithë.

Si e shikoni Skënderbeun e sezonit të ardhshëm nën drejtimin e Agostinelit?

Nuk më takon më mua të flas për Skënderbeun në këto momente. Unë dua të falënderoj fillimisht bashkëpunëtorët e mi dhe njerëzit që më kanë qëndruar afër. Dua të falënderoj tifozërinë korçare dhe të gjithë qytetin e Korçës, qoftë për mikpritjen që më kanë bërë dhe për ecurinë 4-vjeçare së bashku. Falënderoj të gjithë lojtarët pa përjashtim që kanë punuar me mua gjatë kësaj periudhe, qoftë edhe ata që nuk ka luajtur asnjë minutë, apo edhe ata me më eksperiencë dhe të vjetër, të cilët kanë qenë promotorët që e kanë mbajtur ekipin në tonus dhe në nivele të larta gjatë këtyre viteve. Falënderoj gjithashtu të gjithë qytetin për respektin që kanë treguar ndaj meje dhe Bashkinë e Korçës për mbështetjen në momente të veçanta. Gjithashtu, përfitoj nga rasti për të falënderuar edhe drejtuesit administrativë të klubit që në një mënyrë apo në një tjetër më kanë qëndruar afër.

Këto katër vite, a janë suksesi më i madh i juaji në karrierë?

Sukseset e një trajneri i përcaktojnë rezultatet e tij. Unë kam dalë një herë kampion me Tiranën dhe katër herë me Skënderbeun. Plotësimi i objektivave europiane ka qenë edhe pika kryesore që Josa ka vazhduar me Skënderbeun, pasi dihet shumë mirë se ecuria europiane, kanë sjellë edhe përfitime ekonomike, qoftë për presidentin apo edhe për klubin.

Dita më e lumtur te Skënderbeu?

Te Skënderbeu kam pasur shumë ditë të lumtura. Shpallja për herë të parë kampion dhe kalimi për herë të parë i turit në Ligën e Kampioneve përballë Neftçi Bakut kanë qenë ditë shumë të lumtura. Kam ndier një gëzim të veçantë, të cilin e kam ndarë bashkë me kolegët dhe familjen time. Në fund të fundit, ndihesh i lumtur kur plotëson objektivat e klubit apo edhe të tuat personale.

Dita më e errët në Korçë?

Humbja me Tërbunin në Korçë sezonin që përfundoi, pasi atë ditë humba edhe tim atë.

Lojtari më i mirë në këto katër vite?

Nuk mund të bëj diferencime mes lojtarëve. Futbollistët varet se si i trajton. Po përmend Bledi Shkëmbin, Pero Pejiç, Sabien Lilaj, Nuredin Orelesi, Renato Arapi, Tefik Osmani apo Hamdi Salihi. Janë lojtarë, të cilët jo vetëm kanë pasur skuadrën në kontroll, por kanë funksionuar në momente të veçanta ashtu siç unë i kam udhëzuar.

Lojtari më i keq?

Për lojtar më të keq nuk mund të flas. Sigurisht, një trajner nuk mund të bëhet i mirë me të gjithë. Mund të ketë pasur në momente të veçanta edhe lojtarë që mund t'i kem ngrënë hakun. Por, për mua, të gjithë futbollistët janë të mirë.

Ekipi më i mirë i katër viteve?

A është ai i sezonit të kaluar që theu rekorde me pjesëmarrjen në grupet e Ligës së Europës? Jo, nuk mendoj kështu. Sukseset e Skënderbeut kanë ardhur të lidhura nga viti në vit. Dhe nuk ka pasur shumë ndryshime në skuadër. Tani do të duket në vazhdim, pasi janë bërë ndryshime shumë radikale në ekip. Në vazhdim do të duket se sa do të jenë në gjendje qoftë drejtuesit e klubit apo ata teknikë të harmonizojnë këtë ekip. Ndryshimet e tjera te Skënderbeun kanë qenë të pakta, por shumë efikase. E kam të vështirë të nxjerr 11-shin më të mirë të Skënderbeut për këtë periudhë. Trajner i aftë është ai që nxjerr formacionin më të mirë në momentin e duhur.

Çfarë note do t'i vendosnit skuadrës për këto katër vite?

Për mendimin tim, skuadra meriton dhjetë. Duhet të keni parasysh se kemi pasur shumë "luftë" nga ekipet e tjera që kanë pasur si synim të dilnin kampionë. Ta marrësh titullin për herë të parë mund të jetë e thjeshtë, por ta ruash atë është edhe më e vështirë. Skënderbeu është një ekip që ia ka dalë edhe në momente të vështira, ku unë kam menaxhuar lojtarët siç duhet apo ata kanë menaxhuar punën time duke i dhënë rezultate ekipit.

Cili është titulli më i vështirë?

Ka qenë titulli i vjetshëm, për faktin se kishim një Kukës shumë agresiv. Ishte një skuadër që pretendonte gjatë të gjithë kohës dhe kishte edhe diferencë karshi nesh në periudha të ndryshme të kampionatit. Megjithatë, me fitoren që arritëm në Kukës, që ishte edhe takimi kyç i kampionatit, ia dolëm që të siguronim titullin.

Marrëdhëniet me presidentin Takaj gjatë këtyre viteve si kanë qenë?

Nëse nuk ka debate, nuk ka ecuri përpara. Unë e njoh shumë mirë natyrën e këtij njeriu. Në momente të veçanta kemi pasur debate dhe këto kanë qenë për punë. Ai ka pasur momente të vështira dhe njerëz në skuadër që qëndronin vetëm me të dhe kjo ishte një gjë shumë e mirë që kanë diskutuar mes tyre. Megjithatë, tashmë presidenti Takaj duhet të shohë ndryshimin ndërmjet kohëve. Dhe ai është i zgjuar që t'i bëjë këto diferenca. Është ndryshe kur një skuadër është e fortë ekonomikisht siç ishte sivjet dhe ndryshe kur nuk është e fortë në aspektin financiar. Duhet të zgjedhësh njerëzit e duhur në momente të vështira apo të mira.

Mund ta konsideroni Takajn si presidentin më të suksesshëm të futbollit shqiptar për sa u përket klubeve?

Rezultatet thonë se po dhe çdo gjë matet me to. Uroj që skuadra të ketë vazhdimësi dhe të përmbushë objektivat e veta.

Është përfolur shumë, por si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me Bledi Shkëmbin gjatë muajve të fundit?

Kanë qenë shumë të mira. Kam respekt të veçantë për atë futbollist dhe do vazhdoj ta ruaj, qoftë me të, apo edhe me lojtarët e tjerë. Meqë është folur shumë në lidhje me aktivizimin ose jo të Shkëmbit, këto kanë qenë probleme teknike dhe në momente të veçanta janë konfirmuar se kanë funksionuar. Do vazhdoj të kem gjithmonë respekt për të.

Keni pasur presion për të mos e përfshirë Shkëmbin në formacion?

Normalisht ka pasur ide të ndryshme në këtë drejtim, pro dhe kundër. Megjithatë, unë nuk jam marrë shumë me këtë punë, pasi më interesonte më shumë se si vendosej në fushë dhe rezultatet që merrnim.

UEFA e ka pezulluar Skënderbeun me një vit që të mos marrë pjesë në Kupat e Europës, për shkak të hetimeve në lidhje me disa ndeshje që dyshohen si të trukuara. Ju keni qenë në krye të asaj skuadre, çfarë ka ndodhur?

Të them të drejtën, jam shokuar në lidhje me këtë çështje, pasi unë kam qenë pjesë e asaj skuadre. Të shohim se çfarë rruge do të marrë kjo histori më 6 korrik. Është një gjë që më ka ulur nga ana psikologjike dhe më ka mërzitur, pasi Skënderbeu nuk i ka fituar kampionatet me trukime. Kjo skuadër i ka fituar titujt në fushë. Unë nuk i di raportet e UEFA-s, pasi me këto gjëra janë marrë njerëz të tjerë të klubit dhe unë marrëdhëniet me skuadrën i kam pasur të ndërprera gjatë kësaj periudhe. Nuk kam folur, pasi nuk e di se çfarë baze ligjore do të merrnin këto probleme. Nëse UEFA mund t'i ketë këto dyshime, nuk dënohesh thjesht për një vit, por ato shkojnë edhe më shumë. Është një problem që më ka shqetësuar shumë, por do të shohim se çfarë rruge do të marrë pas vendimit që do të japë KAS-i.

Dy prej ndeshjeve të përfolura se janë hetuar nga UEFA janë ato ndaj Krusaders në Irlandën e Veriut apo Sportingut në Portugali. Keni parë diçka të dyshimtë në ato takime?

Janë dy ndeshje që unë kam qenë në drejtimin e skuadrës. Nuk ka mundësi që të ketë ndodhur një gjë e tillë kur në dy përballje ndaj Krusadersit ne kemi shënuar gjashtë gola. Janë gjëra që do të marrin rrugën e duhur në bazë të vendimit që do të japë edhe KAS-i. Ndërsa me Sportingun e Lisbonës nuk ka shanse të kenë ndodhur ngjarje të tilla. Ne kemi luajtur në atë sfidë me dhjetë lojtarë dhe përballë një ekipi shumë të fortë si Sportingu. Pse nuk ka vendosur UEFA si të trukuar edhe ndeshjen ndaj Sportingut në Elbasan ku fituam 3-0?! Kush ishte favorit për të fituar në atë sfidë, ne apo Sportingu?!

Sa mund ta dëmtojë skuadrën kjo histori nëse lihet në fuqi pezullimi?

Kjo është një gjë që i vendos pikë këtu dhe nuk mund të jap asnjë lloj përgjigje. Duhet të pyesni pjesën tjetër të klubit në lidhje me këtë histori.

BESAR BOZGO



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama