Sulmuesi Xhevahir Sukaj është befasuar kur ka lexuar dje në mediat e Malajzisë se po testohet në klubin e Superligës vendëse, FC Perak.
Në një bisedë ekskluzive për "Panorama Sport" pak minuta më parë, shkodrani që mbylli sezonin me Partizanin ka sqaruar të vërtetën e gjithë historisë me klubin aziatik. "Tani që po flasim jam në tavolinë me trajnerin gjerman të FC Perak, Karl Heinz Veigang.
Jemi shumë miq dhe për hir të tij jam këtu në Malajzi për të shqyrtuar ofertën që më kanë bërë klubi pak javë më parë. Kam kryer testet mjekësore dhe jam duke zhvilluar stërvitje me skuadrën. Kur kam lexuar se jam në provë te kjo skuadër, jam habitur. Mesa duket është një ngatërrese e mediave vendëse, duke keqinterpretuar fjalët e trajnerit.
Ata që mendojnë se jam këtu për t'u testuar, gabohen. Nuk mund të vij unë në Malajzi për provë, është absurde.
Trajneri dhe drejtuesit e klubit po përpiqen me çdo kusht të më bindin. FC Perak ka dalë nga maksimumi i pagesave që jep për lojtarët, vetëm e vetëm që unë të firmos. Po mbaj pezull gjithçka, sepse po pres një variant më të mirë nga Europa.
Sinqerisht nuk e mendoj se mund të qëndroj këtu, por megjithatë do t'ja lëmë kohës. Dhe diçka tjetër, mos harroni se Partizanin nuk e lëshoj aq lehtë sa po flitet.
Në ditët e ardhshme besoj se do të marrë një vendim konkret. Klubi malajzez më ka bërë vërtetë një superofertë, por të shohim", - deklaroi Sukaj, duke lënë gjithçka të hapur për të ardhmen. Jo më kot, drejtuesit e Partizanit presin sulmuesin.
Jorgis Memo