Pesë vite më parë, Ti rana vendoste fatet e kampionatit. Dhe si për koincidencë historia përsëritet, madje edhe datat korrespondojnë. Më 25 prill 2011, një penallti e kontestuar ashpër në "Qemal Stafa" i dha të drejtën Skënderbeut që të shkëputej me 4 pikë nga Flamurtari dhe të hidhte një dorë te titulli.
Është Blendi Nallbani që na rikthen në kohë. Ai asokohe ka qenë në stol, ndërsa gjatë intervistës së dhënë për "Panorama Sport" thotë që ka qenë një ndeshje tejet e diskutuar.
Ish-portieri e quan këtë javë decizive, por shpreson që ekipe si Tirana dhe Kukësi të qëndrojnë larg thashethemnajave që qarkullojnë në rrjetet sociale nga ana e tifozëve për hapje portash. Ai do që titullin ta fitojë Partizani, por shpreson që verdiktet të jepen në fushë.
Ashtu si 5 vite më parë, Tirana ishte faktori i kampionatit. Në 2011-ën luante me Skënderbeun, i cili mori një fitore të kontestuar që i shtoi shanse për titullin. Si e parashikoni ndeshjen e së hënës?
Po, e kujtoj, unë kam qenë në stol në atë ndeshje. Ka përfunduar 0-1 për korçarët. Kam dalë nga pankina me vrap dhe kemi kontestuar një vendim të arbitrit. Ajo ndeshje ka qenë shumë e diskutuar më vonë. Ne luftonim për Europë, ndërsa ata donin pikët për titullin.
A ka qenë me vend ky diskutim asokohe?
Nuk e di nëse diskutimi ka qenë me vend apo pa vend, pasi nuk kam luajtur, sikundër e thashë më lart. Por, mbaj mend që ka pasur shumë diskutime pas asaj ndeshjeje. Kaq kujtoj. Dhe tani, meqenëse jemi në situata të ngjashme, njësoj si 5 vite më parë, dua të kaloj te Kukësi- Partizani dhe Tirana-Skënderbeu, takime që luhen të hënën. Ka kaq ditë që dëgjoj dhe lexoj gjëra të tipit "më mirë ta marrë Korça sesa Partizani", dhe këtë nuk dua ta besoj.
U referoheni diskutimeve që janë bërë mes tifozëve në rrjetet sociale?
Po, po. Pasi tifozët thonë që e kanë të sigurt që Tirana do t'ia lërë Skënderbeut dhe Kukësi Partizanit. Ndërkohë që të dyja duan që të sigurojnë Europën nga kampionati. Për mendimin tim, nëse ka mbetur që Partizanit t'ia hapë Kukësi portën, më mirë të mos e marrë titullin.
E njëjta gjë vlen edhe për Skënderbeun. Po u bënë këto pazare, s'do më pëlqente. Tani jemi në kuadrin e fjalëve që fliten lart e poshtë, pasi ende nuk janë luajtur ndeshjet. Më kanë thënë edhe tifozë të Tiranës, që më mirë ta marrë Skënderbeu. Dhe u jam përgjigjur se korçarët i bëtë "copë", jo stolat e bulevardi. Krijohet një gjendje e turpshme dhe nëse ndodh kështu, s'do ishte normale.
Po ju cilin shihni favorit në këto dy duele përcaktuese?
Po e them me 1 miliard %, nëse Partizani fiton në Kukës dhe Skënderbeu mund Tiranën, ndeshjet do ishin të lëna. Por kjo në varësi të lojës, të kuptohemi. Pasi futbolli është i rrumbullakët. Sepse duhet thënë që Kukësi nuk është ekip i dorës së dytë.
Pastaj ajo kuptohet, sikundër ishte estrada që ndodhi në Korçë kundër Laçit. Me fjalë të tjera, tifozët nuk duhen dëgjuar. Pasi tifozi ka vetëm për detyrë që të mbështesë ekipin dhe jo që të shkojë deri në këtë pikë, me të tilla kërkesa. Të gjithë duhet të kenë të qartë vetëm një gjë, Tiranës historikisht nuk i ka lënë kush kurrë asgjë.
Të lëmë pas krahëve kërkesat e tifozëve, a ka shanse Tirana të mposhtë Skënderbeun?
Të mos harrojmë, nuk është Skënderbeu i vjetshëm. Dytre lojtarë të mungojnë, ndihet. Pastaj edhe Kukësi ka absolutisht shanse, pasi ka bërë ecuri mjaft të mirë. Ndaj shpresoj që luhet futboll dhe pa këto skenarët e internetit dhe tifozëve.
Titulli është vënë në diskutim, si e shihni garën deri në këto çaste?
Titulli do diskutohet në Korçë, do të jetë ajo ndeshja që do të përcaktojë. Dhe Partizani, nëse realisht është i fortë dhe synon, le të shkojë ta mposhtë atje Skënderbeun.
"Tata" vazhdon të jetë simpatizant i Partizanit këtë sezon?
Unë kam luajtur te Partizani. Mik kam Mirel Josën, por dëshirë kam që titulli të kthehet në kryeqytet. Kanë shumë vite që nuk kanë fituar. Shanset i kanë, pasi janë vetëm -2 pikë. Por dua që të vendoset në Korçë dhe jo të përcaktohet që këtë të hënë.
A është përcaktuese ndeshja e së hënës për të ardhmen e Tiranës?
Shpresoj që po, më vjen keq për presidentin, tifozët dhe për trajnerin. Për sportistët s'më vjen keq, pasi për të folur që të gjithë dimë, duke filluar nga unë i pari, por verdiktet jepen në fushë. Por nuk di a do t'ia dalë apo jo, duhet parë ndeshja e së hënës. Po e fitoi, ka shanse. Por nëse humbet ndaj Skënderbeut, automatikisht mbetet jashtë garës për Europë.
Dhe nëse ndodh kështu, drejtuesve do t'u shkonte një vit dëm, pasi investimet kanë qenë të mëdha.
Përfundimisht, ju besoni që Tirana mund të shkojë në Europë, kur kanë mbetur edhe 6 javë?
Nëse arrijnë që t'i fitojnë të 6- ta ndeshjet e mbetura, pse jo. Matematika i mban pa dyshim në lojë. Por Tirana nëse ia del, shpëton sezonin, ndryshe do të ishte dështim i madh. Është buxheti në lojë, investimi e të gjitha. Është gjynah.
Ndalemi pak më konkretisht tek ekipet, cilat janë pikat më të forta dhe më të dobëta të Tiranës dhe Skënderbeut?
I kemi thënë tani, por Tirana po të kishte pika të forta nuk do ishte këtu ku është. Kurse Skënderbeu ka portierin Shehi. Është portieri më i mirë në vend, bashkë me Alban Hoxhën. Ka 2-3 lojtarë të mirë, që janë pjesë e U-21 të Kombëtares sonë.
Ndërsa bardheblutë për mua po bëjnë mirë që kanë nisur që të aktivizojnë disa të rinj, pasi ata janë e ardhmja. Janë produkte të fituara.
E fundit, Kukësi apo Laçi, kush e merr Kupën e Shqipërisë?
Kukësi e meriton. Kanë luajtur më drejt të paktën. Pasi ndeshja tjetër gjysmëfinale më mërziti. Edhe për të bërë teatër nuk dinë.
Bien direkt në sy. Korça po të donte, vetëm me presion nuk e lejonte Laçin që të dilte te mesi i fushës. Kukësi duhet ta marrë, ndoshta do të jetë e treta e vërteta për ta.
ADELA MERKO