Vendimi i dhënë nga UEFA për Skënder beun që e përjashton për një vit nga Kupat e Europës, ka sjellë shumë pështjellime në këtë fillim qershori në futbollin shqiptar.
Ndonëse ka një vendim nga UEFA, Federata Shqiptare e Futbollit po shijon atmosferën e "EURO 2016", duke mos dhënë asnjë sqarim për çështjen, si dhe çfarë hapash do të ndjekë pas këtij ndëshkimi për korçarët.
Duke ditur se nga FSHF-ja nuk ka asnjë sqarim, gazeta "Panorama Sport" me anë të një e-maili ka kërkuar nga UEFA se çfarë do të bëhet me titullin e fundit të fituar nga Skënderbeu, si dhe cilat do të jenë skuadrat shqiptare që do të përfaqësohen në Kupat e Europës në këtë edicion, pas përjashtimit të klubit korçar.
Përgjigjja e mbërritur nga UEFA në adresën e "Panorama Sport" për çështjen e titullit e shikon si kompetencë të Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërsa lisa e skuadrave sipas kompeticioneve pritet të publikohet nga mesi i muajt qershor, por për momentin nuk ka një datë të saktë.
Ja përgjigjja e UEFA-s për dy pyetjet e drejtuara nga "Panorama Sport": "Në lidhje me pyetjen e parë (çështja e titullit), miqësisht ju këshillojmë të pyesni Federatën Shqiptare të Futbollit, pasi ajo është e lidhur me kampionatin shqiptar.
Ne nuk jemi në gjendje tani për të konfirmuar listë e klubeve pjesëmarrëse në garat e këtij sezonit të UEFA-s. Lista do të përcaktohet në mesin e muajt qershor, por data e saktë ende nuk është përcaktuar".
Heshtja e FSHF-së- Federata Shqiptare e Futbollit ende nuk e ka për të udhës që të prononcohet për dënimin që UEFA i ka dhënë Skënderbeut dhe heshtja e këtij institucioni shtron shumë pikëpyetje për të ardhmen e afërt të klubeve shqiptare për pjesëmarrjen në Europë, por edhe për masat që ata do të ndjekin.
Mbase zhvendosja e krerëve të lartë të FSHF-së në Francë për të ndjekur mbarëvajtjen e Kombëtares në Europian, bën që e përditshmja të mos ketë rëndësi.
Dënimi i Skënderbeut, duan apo s'duam krerët e lartë të federatës, është një njollë për gjithë futbollin shqiptar, si dhe për pjesëmarrjen historike të kuqezinjve në "Francë 2016".
FSHF-ja vazhdon me heshtjen duke mos dhënë qëndrimin institucional për dënimin që ka marrë klubi kampion, si dhe për të sqaruar se çfarë masash do të marrin ata, nëse e kanë në axhendë për çështjen "Skënderbeu", si dhe për të sqaruar klubet e tjera se ku u takon të përfaqësohen këtë verë në Kupat e Europës.
ILIR CARA