Ekskursion ne historine e diktatures

Ekskursion në historinë e diktaturës
Opinioni i arkitektit Maks Velo lidhur me projektin e Bashkisë për të kujtuar viktimat e komunizmit: projekt serioz dhe vendi ideal. Si dhe për realizimet e dobëta të veprave të artit, shpërdorimin dhe shkatërrimin e tyre


Më 19 shkurt u prezantua projekti më i ri i Bashkisë së Tiranës, për kthimin e sheshit qendror të Kombinatit, në një zonë me vepra arti.


Ideja e këtij projekti është "Një zonë që shërben si pikë kujtese për vuajtjet e shqiptarëve gjatë diktaturës komuniste" dhe u prezantua në 19-vjetorin e përmbysjes së monumentit të diktatorit E. Hoxha nga qendra e Tiranës.


Ende nuk është vendosur se në ç'mënyrë do të prezantohen veprat dhe nëse bëhet fjalë për një memorial, një kompleks muzeal apo edhe mënyra të tjera ekspozimi. Për këtë, Bashkia e Tiranës, pritet të hapë edhe konkursin, ku artistë shqiptarë dhe të huaj ftohen të prezantojnë idetë e tyre.


Arkitekti Maks Velo jep opinionin e tij: për projektin, vendin e zgjedhur për të kujtuar viktimat e komunizmit, një ide fillestare sesi mund të realizohet ekspozimi i skulpturave, si dhe për mungesën e përkujdesjes dhe ndërhyrjet që bëhen tani në veprat e artit të vendosura në hapësira publike.


Z. Velo ç'mendoni për projektin e Bashkisë për sheshin qendror të Kombinatit?


Ideja për vendin është e saktë, dhe ofron mundësi. Është një vend ku ka lëvizje dhe e dyta nuk është në qendër. Nuk mund të vendosen të gjitha veprat e artit në qendër. Yzberishti ka një histori shumë emocionale.


Ka qenë një kënetë, dhe aty u ndërtua Kombinati i Parë. Është shenja e parë e socializmit që do të sillte mirëqenien, premtonte lumturinë dhe arriti deri në katastrofë. Njëkohësisht edhe i gjithë Kombinati, me gjithë banesat dhe pallatet, e ka shenjën e socializmit akoma.


Në mënyrë të veçantë, ato godinat që e rrethojnë, hyrja për në Kombinat, të ndërtuara me një arkitekturë sovjetike. E gjithë hapësira është sugjestionuese dhe është një vend ideal për këtë punë.


Njëkohësisht kalimi, çarja që shkon drejt Ndroqit dhe Durrësit, lugina, lumi, vendi i Arbanës ku është pushkatuar grupi i të akuzuarve për "bombën në Ambasadën Sovjetike". Së fundmi kemi Pezën me një koleksion aq të vyer veprash monumentale. Pra, bëhet një ekskursion në hapësirë dhe një ekskursion në historinë tonë të dhimbshme të diktaturës.


Është një ekskursion shumë i plotë që të jep imazhin sesi ideologjia e atëhershme, me anë të artit donte t'i edukonte patjetër njerëzit me heroizmin fals. E shoh si një gjetje shumë të mirë. Shpresoj që kryetari i Bashkisë, Edi Rama, ta çojë deri në fund problemin.


Gjetja është tek gërshetimi i dy elementëve: Nga njëra anë të ketë funksionin e një parku skulpturor të realizmit socialist dhe njëkohësisht të jetë një monument, një përmendore, një memorial për viktimat e diktaturës. Këtu duhet të jetë edhe aftësia e atij që do të fitojë.


Ju vetë do të merrnin pjesë në konkurs?


Po, unë e kam pasur gjithmonë dëshirë. Kam punuar më parë edhe në Galeri. E kam bërë një herë një vendosje (në ajër) të skulpturës së realizmit socialist. Në ambiente të mbyllura, skulpturat nuk shihen.


Kur janë të gjitha bashkë, jepet një imazh shumë më i koncentruar dhe shumëdimensional i gjithë vlerave dhe i antivlerave, i kërkesave që kishte për atë skulpturë, i ngritjeve, i zbritjeve, i kohës, i diferencave midis skulpturës sonë dhe asaj sovjetike. Të gjitha këto mund të shihen në këtë ekspozim.



Një vit më parë ka pasur një nismë tjetër për përkujtimin e viktimave të diktaturës, me të cilën ju nuk keni qenë dakord. Ku qëndron dallimi me projektin e tanishëm?


Një vit më parë, Këshilli i Ministrave vendosi që deri më 25 qershor, të bëhej një obelisk për viktimat e diktaturës. Madje u tha që të bëhej një konkurs.


Kjo që në deklarim ishte e parealizueshme sepse nuk ishte e mundur që nga shkurti deri në qershor, të bëhej edhe konkursi dhe realizimi. As si ide nuk ishte e saktë sepse obeliskët bëhen për mbretër, për fitore, për beteja, për pushtime kontinentale.


Edhe terminologjia e përcakton: "për fitues". Nuk mundej që me anë të obeliskut të përkujtoje viktimat, ishte një nonsens. Fakti është që nuk u bë. Nuk isha kundër idesë. Për mua, duhet të ishin ngritur memorialë në Maliq për grupin e të ekzekutuarve, në kampet kryesore, në Ballsh, në Spaç dhe në Burrel duheshin patjetër.


Ndryshimi me këtë projekt është tek serioziteti. Unë besoj që kryetari Rama është serioz dhe i çon gjërat deri në fund. Se si do të zhvillohet, do ta shohim. Por, në konkurset që ka bërë, ka qenë shumë serioz.


A është mirë që ideja të realizohet me konkurs ndërkombëtar?


Të gjitha konkurset bëhen ndërkombëtare. Amerikanët kanë bërë në Uashington një vepër për viktimat e Vietnamit, në Berlin është bërë një memorial për Holokaustin.


Duke patur parasysh që ky memorial mund të jetë detyrimisht skulpturë, mund të jenë volume arkitekture të kompozuara në atë mënyrë, që krijojnë një gjendje që kujton dhe respekton viktimat.

Këta lloj memorialësh, nga të cilët ne nuk kemi ndonjë eksperiencë, janë më të praktikuarit. Ku nuk ka skulpturë, mund të jenë relieve të ndryshme, por i gjithë ansambli të fut në atë botë të diktaturës, të vuajtjeve, të përkujtimit të atyre njerëzve.


Pastaj diktaturat janë njësoj. Diktaturat sjellin vdekjen, dhunën, varfërinë, tmerrin dhe besoj se përkujtimi i saj është universal.


E keni ngritur shpesh shqetësimin e mungesës së skulpturës së parkut. Si mund të kompensohet ky deficit, por edhe detyrimi që kemi ndaj kujtesës historike?


Këto ditë lexova një material të një kritikeje arti, e cila thoshte që duhen skulptura. Ajo e argumentonte që ne duhet t'i mbushim mendjen botës që kemi figura historike dhe kjo punë bëhet nëpërmjet skulpturës.


Por nuk na jepte asnjë garanci, sepse vepra e artit më mirë mos të jetë kur është e keqe. Në këtë rast, unë dua të marr shembull disa vepra të realizuara, siç është "Nënë Tereza" në Rinas, që është një katastrofë, një shëmti, një turp i vërtetë.


Një vepër që është dërguar në Kosovë, një skulpturë e derdhur në bronz, bërë nga një skulptor i njohur shqiptar për një dëshmor të UÇK-së. Ajo për Azem Hajdarin që e pashë të derdhur tek fonderia dhe që ende nuk është vendosur.


Kemi një seri veprash që nuk janë të mira dhe kritikët duhet të jenë të kujdesshëm, sepse ato i kanë aprovuar me komisione në galerinë e artit para se të bëhen, por nuk marrin përsipër që vepra të jetë e mirë. Vepra mendohet shumë para se ta bëhet dhe kur vendoset, qëndron përgjithmonë.


Skulptura e parkut - shumica janë vepra lidhen me natyrën - jo domosdoshmërisht duhet të jetë figurë historike. Por, duhet zgjedhur rasti i mirë dhe realizimi duhet të jetë perfekt. Në rastin e vendosjes së Fan Nolit në Ibrik Tepe, duhet patjetër. Ne i dhurojmë Turqisë figurën e Nolit sepse ajo është një vlerë për ne, por edhe për vendin ku ai ka lindur.


Një problem i përhershëm ngelet edhe mirëmbajtja e tyre...


Kemi shkatërruar një numër të madh skulpturash. Relievet në Korçë tek "Themistokli Gërmenji" janë vjedhur, në Rrëshen u pre copa-copa i gjithë kompleksi skulptural i çikave të Mirditës, u zhduk, u shkri, u shit. "Heronjtë e Vigut" në Shkodër u zhvendosën. Në Korçë busti i Veqilharxhit u hoq nga bazamenti.


"Vullnetarja" e Muntaz Dhramit, kur shkoje për në Lushnjë, u vodh. Janë një seri veprash që janë vjedhur dhe për këtë kritikët e artit nuk thonë asgjë. Më mirë të jenë më pak skulptura, të jenë bërë mirë dhe të mbahen mirë. Duhet të jesh në gjendje t'i mbash sepse ajo tregon nivelin kulturor të një vendi.

Jorida Pasku : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama