Që kur anija e mbytur u lokalizua në vitin 1985, miliarderë të ndryshëm së bashku me shkencëtarë u futën në bordin e anijeve zhytëse dhe filluan të vizitonin gjithnjë e më shpesh vendin e fundosjes së Titanikut. Me ridaljen e tij në dritë, regjisori James Cameron nuk nguroi të prodhonte në vitin 1997 edhe filmin me të njëjtin titull “Titanic”, ku protagonistë ishin Leonardo Di Caprio dhe Kate Winslet. Pas filmit, sërish Cameron i hipnotizuar nga magjia e këtij mauzoleumi prej çeliku në fund të oqeanit, realizoi “Ghosts of the Abyss” (fantazmat e thellësive), një dokumentar i mrekullueshëm 3D, fryt i 25 ekspeditave rreth anijes së mbytur.
Tani është kaluar nga ekspeditat shkencore ose dokumentaristike te turizmi i organizuar. E mbytur nga kërkesat, “Deep Ocean Expeditions”, e specializuar në eksplorimet nënujore që operon me dy zhytëse ruse, ka vendosur të organizojë udhëtime të vërteta për të vizituar transatlantikun e mbytur në prill të vitit 1912, pasi u përplas me një ajsberg. Në tragjedi humbën jetën 1523 persona, përfshi këtu edhe miliarderë si Jacob Astor dhe Benjamin Guggenheim.
Kostoja e ekspeditës, dy javë lundrim dhe zhytje në thellësinë e oqeanit për dhjetë orë, është 60 mijë dollarë. Një shifër relativisht e ulët, në krahasim me 200 mijë kërkesat që ka marrë Richard Branson, miliarderi vizionar i “Virgin Galactic” për një fluturim prej pak minutash jashtë atmosferës së tokës. Në fakt organizatorët, që kanë pasur më shumë 80 prenotime, sapo kanë marrë një anije të madhe për katër prenotimet e para. “Klientët tanë nuk janë vetëm vizitorë pasanikë”, shpjegon për “New York Times”, Rob McCallum, udhëheqësi i ekspeditave. “Ka edhe nga ata persona që kanë punuar shumë për t’i fituar ato para, ndaj nuk e kanë të lehtë t’i shpenzojnë”. Megjithatë për aventurën e jetës çdo njeri do të ishte i gatshëm të hiqte dorë nga një makinë e re ose rindërtimi i shtëpisë.
Përveç anës ekonomike, aspirantët eksplorues të zhytjes duhet të kapërcejnë edhe dy vështirësi të tjera: e para është frika, duke qenë se misioni nuk është pa rreziqe (vite më parë ekuipazhi i një zhytësi të ngjashëm me atë “Deep Ocean” humbi në një aksident në detin e hapur të Floridas), ndërsa e dyta është klaustrofobia.
Hapësira është shumë e kufizuar prandaj dy nëndetëset “Mir” mund të mbajnë vetëm dy turistë, përveç pilotit. Kabina është dy metra e gjerë dhe nuk ka tualet. Një problem jo i vogël duke kujtuar misionin dhjetë orësh.
Para dhe pas zhytjes, anija do të ofrojë seminare dhe konferenca në bord, transmetim dokumentarësh, kuzhinë me pesë yje, sigurisht nëse edhe kushtet klimatike do të jenë të mira. Edhe pse ideja të intrigon, ekspedita do të jetë një torturë e vërtetë: në thellësinë e oqeanit do të jetë shumë ftohtë, do të jetë errësirë, nuk do të ketë as banjë dhe as ushqim. Lejohet vetëm pirja e ujit.
Për ata që nuk mund të heqin dorë nga shpirti i aventurës dhe që i karakterizon diçka e tillë, mund të provojnë sfida të reja. Ata që nuk kanë zemër për këto ekskursione ekstreme mund të shohin dokumentin e mrekullueshëm tredimensional për Titanikun realizuar në vitin 2003. Ai që është i gatshëm të zhytet në thellësi dhe të shpenzojë para, por mendon se 60 mijë dollarë janë shumë, me 47 mijë dollarë mund të provojë një mision tjetër në thellësinë e oqeanit: 12 ditë për të parë anijen luftarake gjermane “Bismarck” të mbytur gjatë Luftës së Dytë Botërore përgjatë brigjeve irlandeze. Ky është një “turne” i njëjtë.