Aksion i policisë në Vlorë për shtetasit që lejojnë dhe ndihmojnë në kalimin në mënyrë të paligjshëm të kufirit. Uniformat blu të qytetit bregdetar kanë vënë në pranga në orët e para të mëngjesit të sotëm shtetasin Agim Muçaj. 55-vjeçari nga Fieri, është pronar i agjencisë “Agimi Travel”, klientët e të cilës u bllokuan dje në portin e Vlorës gati për t’u nisur drejt Gjermanisë për të siguruar azil ekonomik. Policia ka bërë me dije se Muçaj është arrestuar me akuzën e ndihmës në kalimin e paligjshëm të kufirit dhe për falsifikim dokumentesh. Përveç tij, në pranga kanë përfunduar edhe pesë shtetas të tjerë si bashkëpunëtorë, ndërsa katër persona janë dërguar për procedim penal.
Policia ka bërë të ditur dhe identitetet e disa prej të arrestuarve: Sh.Aliaj, pronar i një pike të transferimit të parave, D.Mitro, E.Mazreku, Kastriot Hoxha, me këtë të fundit banues në Novoselë. Të gjithë këta shtetas akuzohen për moskallëzim krimi. Sipas policisë, 50 nga 245 personat e kthyer do të kërkonin azil ekonomik, ndërsa nga porti i Vlorës në ditët në vijim do të niseshin drejt vendeve të Bashkimit Evropian edhe 320 persona të tjerë përmes kësaj agjencie.