Ekspedite ne mbrojtje te Antarktides

Ekspedite ne mbrojtje te Antarktides
Në Antarktidë po zhvillohet një eksperiment që synon të ndërtojë mirëkuptim mes organizatave të mjedisit dhe përfaqësuesve të korporatave të mëdha ndërkombëtare. Ekspedita, e përbërë prej 80 njerëzve nga 28 vende të botës, shpreson të rrisë ndërgjegjësimin për traktatin që ndalon shpimet për naftë dhe minierat në kontinent.

Situata nuk do të jetë e thjeshtë për Antarktidën gjatë dekadave të ardhshme. Traktati me anë të të cilit administrohet kontinenti i akullt do të merret sërish në shqyrtim në vitin 2041 dhe fushatat për ta ruajtur atë nga eksplorimet për gaz dhe naftë tashmë kanë filluar.

Ekspedita shpreson të rrisë ndërgjegjësimin për Antarktidën dhe bukuritë e saj, si dhe për traktatin që ndalon shpimet e naftës dhe minierat në kontinent.

Aktivistë të mjedisit nga e gjithë bota dhe përfaqësues të korporatave të mëdha ndërkombëtare udhëtojnë së bashku për të parë personalisht bukuritë natyrore të Antarktidës.

Një nga eksploruesit polarë kryesorë të Britanisë, Robert Swan, që ishte njeriu i parë që shkeli si në Polin e Veriut ashtu dhe në atë të Jugut, po drejton në Gadishullin Antarktik grupin prej 80 njerëzish nga 28 vende të ndryshme. "Sipas traktatit që ruan Antarktidën, askush nuk e zotëron atë dhe askush nuk mund ta shfrytëzojë.

Në vitin 2041 traktati do të shqyrtohet sërish dhe unë fuqimisht besoj se ne, në të gjithë botën, duhet të jemi dakord që një vend të vetëm mbi tokë ta lemë përgjithmonë të jetë një rezervë natyrore; tokë për shkencën dhe paqen. Është një vend fantastik."

Misioni i zotit Swan është të bindë të pranishmit në ekspeditë mbi rëndësinë e ruajtjes së kornizave ligjore ndërkombëtare aktuale, që mbrojnë kontinentin e ngrirë nga minierat dhe shpimet për burime energjetike.

Ai thotë se shpreson që, pasi të shohin Antarktidën, anëtarët e ekspeditës të ndërmarrin veprime kur të kthehen në vendet e tyre.

Ekspedita – ku marrin pjesë përfaqësues të lartë të botës së industrisë, bizneseve, bankave, politikës, OJQ-ve dhe arsimit –përbëhet nga të rinj nga e gjithë Lindja e Mesme, Azia, Evropa, Afrika dhe Amerika.

Për disa prej tyre shpenzimet e udhëtimit janë paguar nga kompanitë ose organizatat përkatëse, ndërsa disa të tjerë kanë grumbulluar personalisht para nëpërmjet sponsorizimeve private për të siguruar një vend në ekspeditë. Aktivisti i mjedisit nga Omani Bader Al Latawi thotë se ata shpresojnë që të marrin nga udhëtimi informacion të mjaftueshëm për ta përcjellë tek bashkëkombësit e tyre që do të jenë aktivë në çështjen e ruajtjes së Antarktidës.

"Ne duam që njerëzit të ndihen sikur të ishin këtu, në mënyrë që në vitet e ardhshme ata të duan të vijnë vetë këtu dhe të mbrojnë këtë vend." Aktivistja nga Australia Gemma Borgo-Caratti thotë se ajo parashikon për të ardhmen një bashkëpunim të ngushtë mes ambientalistëve dhe bizneseve.

"Sa më shumë që mendoj për këtë aq më shumë bindem se lëvizja për mjedisin nuk mund të ketë sukses e vetme. Nuk kemi qenë në gjendje të bëjmë këtë gjë deri tani dhe do të duhej një mënyrë e re bashkëpunimi për të ecur përpara. Bizneset e mëdha duhet të punojnë së bashku me OJQ-të, me të rinjtë dhe me bizneset e gjelbra. Të gjitha duhet të punojnë së bashku, në të gjithë botën."

Ekspedita e zotit Swan e njohur si “2041”, një referencë kjo për vitin kur bashkësia ndërkombëtare do të duhet të rivlerësojë traktatin ndërkombëtar dhe protokollet e mjedisit të cilët aktualisht ndalojnë çdo shfrytëzim të burimeve natyrore të Antarktidë. Antarktida, e cila administrohet në bazë të një traktati ndërkombëtar dhe nuk është pronësi e asnjë shteti, njihet si vend me rezerva të konsiderueshme të mineraleve, si hekuri dhe qymyri. Shkencëtarët besojnë të ketë gjithashtu rezerva të shumta nafte dhe gazi natyror, edhe pse ato zona ende nuk janë identifikuar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama