Sipas vëzhguesve, Këshilli i Europës do të ndjekë rekomandimin nga Komisioni Europian, në të cilin thuhet se Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Më herët, Komisioni Europian publikoi një raport, sipas të cilit Shqipëria ka bërë përparime, por duhet të vazhdojë me reformat që ka nisur, të përmirësojë përpjekjet kundër krimit të organizuar dhe të ushqejë kompromisin politik.
“Shqipëria është në rrugën e drejtë”, tha komisioneri për Zgjerim në Bashkimin Europian, Stefan Fyle. “Ne konfirmojmë pa kushte ose rezerva rekomandimet që vendet anëtare kanë dhënë për Shqipërinë, si kandidate për statusin”.
Dhjetorin e shkuar, Këshilli i Europës nuk ia dha Shqipërisë statusin e vendit kandidat.
“Këtë herë, shtetet anëtare kanë deklaruar pa dyshime se Shqipëria do t’i nënshtrohet një vlerësimi bazuar në progres-raportin që u bë publik së fundmi”, tha ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, për “SETimes”. “Shpresoj se vendet anëtare do ta mbajnë premtimin e tyre, siç kanë deklaruar në takimet dypalëshe”.
Gjosha u shpreh optimiste se rezultatet e zgjedhjeve për PE-në, muajin e shkuar, ku u përfshinë një numër kandidadësh euroskeptikë, nuk do të ndikojnë në vendimin e Këshillit të Europës për Shqipërinë.
“Seanca e parë parlamentare do të mbahet në korrik, pas vendimit për statusin kandidat për Shqipërinë”, tha Gjosha.
Vendimi pritet të merret, por BE-ja është e vetëdijshme se tabloja nuk mund të jetë e plotë, nëse projekti për integrim mbetet i papërfunduar, sipas Majlinda Bregut, kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrimin.
“Ky projekt do të thotë demokraci, siguri, e drejtë civile, konkurrencë dhe sfidë. Por dhënia e statusit kandidat Shqipërisë është një vendim i vonuar”, tha Bregu për “SETimes”.
Rreth 85% e shqiptarëve e mbështesin integrimin e vendit në BE, sipas një sondazhi të fundit nga Insituti Shqiptar për Studimet Ndërkombëtare në Tiranë.
“Përsa i përket aspektit të lidhjeve politike me BE-në, statusi i vendit kandidat do të krijojë një efekt psikologjik pozitiv te Shqipëria, pasi do ta afrojë vendin me Unionin, duke bërë të mundur marrjen e datës për fillimin e negociatave të fazës tjetër”, tha Geron Kamberi, kërkues në këtë Institut, për “SETimes”.
Mirëpo Kamberi përmendi edhe kushtet specifike të vendit, mungesën e kohezionit të brendshëm politik dhe kapacitetin e varfër administrativ, të cilat mund ta ngadalësojnë procesin e integrimit.
“Nëse gjithë spektri politik angazhohet për të mbështetur reformat kyçe, pengesat mund të kapërcehen me lehtësi”, tha ai.
Statusi i pritshëm i vendit kandidat do t’i forcojë marrëdhëniet me Brukselin dhe do të reflektojë një përmirësim të imazhit dhe qëndrimit të Shqipërisë, sipas Gledis Gjipalit, drejtor ekzekutiv i “Lëvizja Europiane e Shqipërisë”. Gjipali tha se Shqipëria do të përfitojë në veçanti, në sajë të përdorimit të fondeve nga “Instrumenti Para-Hyrjes” deri në vitin 2020, derisa të krijojë dhe të akreditojë institucionet për menaxhimin e fondeve.
“Qeveria duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë këtyre institucioneve, në mënyrë që mos të humbasë kohë dhe t’u krijojë avantazhe bizneseve, profesionistëve të rinj, fermerëve e kështu me radhë, sa më shpejt të jetë e mundur. Nga aspekti ekonomik, statusi i vendit anëtar do të rrisë besimin e organizatave ndërkombëtare dhe kompanive të huaja në Shqipëri, të cilat mund të sjellin investimet e tyre, për të cilat vendi ka shumë nevojë”, tha Gjipali.