Ekspertet e Europa Nostra vizitojne Amfiteatrin e Durresit. Ne fokus gjendja dhe mundesite per investim

Ekspertet e 'Europa Nostra' vizitojne Amfiteatrin e Durresit. Ne fokus, gjendja dhe mundesite per investim

Në datat 8 dhe 9 tetor një grup ekspertësh të trashëgimisë kulturore nga ‘Europa Nostra’ dhe përfaqësues të Bankës së Këshillit të Europës për Zhvillim, do të vizitojnë Amfiteatrin e Durrësit, i cili bën pjesë në programin “7 Më të Rrezikuarit” e trashëgimisë kulturore europiane.

Përveç takimeve me ministren e Kulturës, kryetarin e bashkisë së Durrësit dhe drejtuesit e institucioneve përgjegjëse, në axhendë janë parashikuar diskutime me grupe ekspertësh për të parë gjendjen dhe mundësitë reale për investim në Amfiteatrin e Durrësit.

Raporti i grupit të ekspertëve europianë është mjaft i rëndësishëm për të ardhmen e këtij monumenti, ndërsa vendimi përfundimtar për të mbështetur financiarisht ndërhyrjet në Amfiteatrin e Durrësit do të merret në 5 dhjetor të këtij viti në Konferencën Europiane për Politikën e Trashëgimisë, që do të mbahet në Bruksel.

Aplikimi për ta përfshirë Amfiteatrin e Durrësit në listën e monumenteve të rrezikuara të Europës u krye nga Shoqata për Zhvillimin e Turizmit Kulturor në muajin mars të këtij viti dhe u mbështet nga Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve.

Përzgjedhja e këtij monumenti u bë duke marrë në konsideratë nevojën emergjente për konservim, ruajtje dhe gërmime të mëtejshme për zbulimin e plotë të këtij objekti me vlera unikale historike, arkitekturore dhe kulturore, si dhe rolin e tij në zhvillimin e turizmit kulturor në qytetin e Durrësit, por dhe të turizmit shqiptar.

Programi “7 Më të Rrezikuarit” u lançua në janar 2013 si një formë  ndërgjegjësimi publik, duke inkurajuar anëtarët e Europa Nostra të aplikojnë për objekte/monumente përfaqësuese të trashëgimisë kulturore nga vendet përkatëse, që kanë nevojë për më shumë vëmendje, konservim, ndërhyrje restauruese, si dhe mundësi rijetësimi në funksion të zhvillimit të turizmit kulturor.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama