Kudret Kume (Ilia Kareli) ishte dhunuar në burgjet greke para se të kryente vrasjen e gardianit. Këtë e ka konfrimuar mjeku ligjor gjatë deponimit të tij në prokurori, ku ka thënë se disa nga plagët që shqiptari kishtë në trup ishin më të vjetra të disa ditëve më parë se ai të kishte kryer vrasjen e gardianit Jorgos Çironis. Sipas ekspertizës së bërë ne Greqi, Kareli është rrahur në burgun e Malandrinos, 9 ditë para se të vriste gardianin grek. Por, goditjet vdekjeprurëse 42-vjeçarit nga Zhupani i Fierit i janë bërë në burgun e Nigritas, ku tashmë është vërtetuar nga hetimet se është torturuar për dy orë e gjysëm.
Dhunimi në grup
Pas hetimeve intensive të porkurorisë si dhe Shërbimit të Brendshëm të Drejtorisë së Burgjeve në Greqi janë zbuluar fakte tronditëse për mënyrën barbare me të cilën është torturuar Kudred Kume. Nga deklarata e gardianëve të burgut Nigritas, si dhe nga pamjet e mbledhura nga kamerat është zbuluar se dhuna ndaj 42-vjeçarit ka ndodhur para se ta vendosnin në dhomën e mbikqyrur me kamera, prej ku vdiq më pas nga dhimbjet në kraharor. Nga hetimet prokuroria mendon se i burgosuri shqiptar është rrahur nga një grup prej 10 gardianësh në Nigritas. Në dosjen e prokurorisë, thuhet se gjatë kohës që Kareli ka qenë në burgun e Nigritas, koha prej 2 orë e gjysëm është e pambuluar dhe nuk ka asnjë pamje filmike apo dëshmi të dhënë. Sipas kamerave, në orën 16:00 gardianët e burgut e kanë nxjerrë Karelin nga qelia dhe më pas e kanë kthyer në orën 18:30 minuta të mbrëmjes së datës 27 mars 2014. Pra për 2 orë e gjysëm ai është futur në një qeli pa kamera me këmbët e tij në gjendje normale dhe ka dalë që andej i tërhequr zvarrë nga dy gardianë dhe i zhveshur nga mesi e sipër.
Vrasja
Këto fakte për “rrahjen finale” të Kudret Kumes në burgun e Nigritas janë vërtetuar edhe nga ekspertiza e mjekut ligjor. Sipas raportit të mjekut plaga e rëndë e kraharorit është shumë e afërt si orar me vdekjen e 42-vjeçarit. Në këtë mënyrë e gjithë pesha e fajit bie mbi gardianët e burgut ku edhe vdiq shqiptari. Kështu sipas një tablo përmbledhëse të hetimeve tashmë drejtësia helene e ka faktuar vrasjen e të burgosurit shqiptar në burgun Nigritas, pas torturave çnjerëzore ndaj tij.
Kundërshtimi
Pavarësisht se mediat greke kanë pasqyruar gjerësisht dhunimin barbar që i është bërë Ilia Karelit, ka pasur tek tuk ndonjë nga ato që i kanë zbutuar paksa qëndrimet, madje në një prej tyre kanë përgënjeshtruar raportin e bërë nga Shqipëria për gjendjen e kufomës së 42-vjeçarit. Në televizionin “Sky” ka dalë një prej mjekëve të ekspertizës që është bërë në Greqi, që kanë thënë se Kareli nuk i ka pasur thonjtë e hequr dhe këmbët e thyera.