Shqipëria i ka të gjitha potencialet për të kryer shkatërrimin e armëve kimike siriane. Kështu është shprehur eksperti amerikan Daniel Kaszeta në një intervistë për “Ora News”, duke theksuar se vendimi për Shqipërinë nuk është marrë ende.
“Siria po mundohet të largojë 1 mijë tonë lëndë kimike dhe Shqipëria është vendi më i afërt dhe një vend me eksperiencë në këtë drejtim. Nuk është e qartë se kush e rekomandoi Shqipërinë për të kryer një proces të tillë. Afërsia që ka Shqipëria me Sirinë dhe eksperienca që ajo ka janë disa nga faktorët që ajo të jetë një kandidate potenciale për të kryer këtë detyrë. Ndërtesat e ngritura për shkatërrimin e armëve kimike janë nga më të mirat dhe më funksionalet. SHBA mund ta kishte marrë përsipër çmontimin e armëve kimike por baza që operonte për çmontimin e armëve kimike pranë ishujve Hawai nuk është më”, -ka deklaruar Kaszetsa.
Eksperti amerikan tha se nuk mendon se vendimi është marrë pasi pritet të merret në fund të muajit.
Kaszetsa sqaroi se çmontimi i armëve kimike nuk ka aq rrezikshmëri sa është paraqitur ditët e fundit dhe se Shqipëria i ka kapacitet për ta kryer këtë proces.
“Çmontimi i armëve kimike nuk paraqet një problem të jashtëzakonshëm sa është bërë e ditur gjatë ditëve të fundit. Gjatë përpunimit të lëndëve kimike ka edhe lëndë të tjera që janë më të rrezikshme. Shqipëria i ka të gjitha potencialet për ta bërë këtë, pasi ajo ndërtesë është krijuar për të shkatërruar lëndë kimike, është projektuar për të shkatërruar lëndë më të rëndësishme se sa është gazi sarin”, -deklaroi Kaszeta.