Shefi i rojeve të burgut Nigratas: Ilir Kareli kishte shenja goditjesh në trup
Pas daljes së rezultateve të autopsisë, të cilat treguan se 40-vjeçari shqiptar Ilia Kareli ka vdekur si pasojë e rrahjeve, dhe jo nga shkaqe natyrale, një fakt të tillë pohon edhe shefi i rojeve të burgut Nogratas, Harris Konsolidis. Ky i fundit ka deklaruar se Ilia Kareli, kishte shenja goditjesh në trup, në momentin e transferimit në burgun Nigratas. Mediat greke bëjnë me dije, se Konsolidis ka thënë se 40-vjeçari shqiptar, i cili vrau gardianin e burgut tre ditë më parë, kishte refuzuar mjekimin, por edhe ushqimin. “Kareli ka qenë në monitorim gjatë gjithë kohës që ka qenë në burg dhe nuk ka pasur asnjë kontakt me të burgosurit e tjerë”, -sqaron më tej Konsolidids.
14:15-Autopsia: Vdekja e Karelit erdhi si pasojë e rrahjeve
Rezultatet e autopsisë të të dënuarit Ilia Kareli, tregojnë se vdekja e tij ka ardhur si pasojë e rrahjeve, dhe jo nga shkaqe natyrore. Sipas medieve greke, autopsia ka treguar se 40-vjeçari shqiptar kishte thyerje të kafazit të kraharorit dhe shenja në trup, të cilat kanë ardhur si pasojë e goditjeve që janë ushtruar mbi të. Sipas ekipit mjeko-ligjor goditjen janë bërë para 24 orëve. Më tej ata sqarojnë se Kareli nuk është rrahur me dorë, por me mjete të forta, për të cilat ende nuk është dhënë një konkluzion se çfarë lloji i përkasin. Ndërkohë mjekët janë duke bërë edhe analiza e ekzaminime të tjera të trupit të 40-vjeçarit.
13:50-Dëshmitë e zyrtarëve të burgut: Kareli u ankua për dhembje trupi
Edhe zyrtarë të burgut, kanë deklaruar se në momentin kur Kareli ka mbërritur në burg, kishte shenja goditjesh në trup, gërvishtje dhe hematoma. Mediat greke raportojnë se Ilia Kareli ka mbërritur dje, rreth orës 16:00 në burg, dhe se kur ishte futur në burg ishte ankuar për dhembje të trupit. Madje edhe kur i kanë kërkuar që ta dërgojnë me ambulancë ai nuk ka pranuar, por ka bërtitur se fajin për të gjitha e kishte prokurori. “Më sillni një litar”, -kështu mësohet të ketë thënë 40-vjeçari sapo ka mbërritur në burg.
Po sipas shefit të rojeve të burgut, Kareli që nga momenti i mbërritjes në burgun e Nigritas deri në momentin kur ndërroi jetë, nuk pati kontakt me asnjë të dënuar apo zyrtar në burg.
09:26-Gjendet i vdekur në qeli shqiptari që vrau gardianin e burgut
I burgosur shqiptar, i cili vrau me thikë rojën e burgut në Malandrino është gjetur i vdekur sot në mëngjes në qelinë e tij në burgun e Nigritas. Mediat greke bëjnë të ditur se, vdekja e shqiptarit, Ilia Kareli, ka ardhur për shkaqe natyrale.
Kareli vrau me thikë më 25 mars 2014, gardianin 46-vjeçar, Jorgos Cironis, me pretendimin se i kishte mohuar lejen për të takuar nënën.
Ai ishte burgosur së pari më 21 tetor 1997, i akuzuar për grabitje dhe ishte dënuar me 16 vjet e 5 muaj heqje lirie. Por në 27 maj 2006, pasi kishte vuajtur 3/5 e dënimit ishte liruar.
Më 4 mars 2007 ishte çuar sërish në paraburgim, i akuzuar për tentativë për vrasje me paramendim në vazhdimësi dhe për grabitje. Akuza për tentativë vrasjeje lidhej me një çift në Neo Iraklio të Athinës, ku Kareli kishte hyrë për të grabitur bizhuteri. Fillimisht u dënua me 21 vjet e 6 muaj, por në shkallë të dytë dënimi iu ul në 12 vjet e 9 muaj. Por, ndaj Karelit ishte shqiptuar edhe një dënim shtesë prej 8 vjetësh, për trafik droge.
Vrasja e gardianit
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën 25 marsit të viti 2014, në burgun e Malandrinos, ku i burgosuri shqiptar Ilir Kareli, pas refuzimit të autoriteteve të burgut për t’i dhënë leje për të vizituar nënën e tij, ka kërcënuar me vdekje gardianët. “Nuk më lini të shoh nënën time do i marr jetën njërit prej jush”, mësohet të ketë thënë shqiptari.
Por, nuk është mjaftuar me kaq, ku kërcënimin e ka kthyer në vepër, duke sulmuar me thikë gardianin Jorgos Cironis, i cili ka mbetur i plagosur rëndë. Sipas mediave greke shqiptari e ka qëlluar gardianin me një thikë të improvizuar.
Mësohet se gardiani 46-vjeçar, babai i dy fëmijëve, është transportuar me urgjencë në spital, por s’ka mundur t’i mbijetojë plagëve dhe ka gjetur vdekjen. Autoritetet greke kanë shtuar masat e sigurisë nëpër burgje, për shkak të trazirave të ndodhura kohët e fundit.