Ekspertiza ikonat e Gjergji Thimios jane te vjedhura

Ekspertiza, ikonat e Gjergji Thimios jane te vjedhura

Ikonat e zbuluara në banesën e Gjergji Thimos janë vjedhur në 4 kisha shqiptare dhe janë pjesë e trashëgimisë kombëtare.  Fakti tronditës ka dalë në dritë nga akt-ekspertimi i 11  ekspertëve shqiptarë që shqyrtuan të gjitha veprat e artit të sekuestruara disa kohë më parë.

Raporti voluminoz vërteton se shumica prej objekteve me vlera të rralla janë grabitur në kishën e Shën Thanasit në Voskopojë, Kishën e Shën Thanasit të Karavastasë në Lushnjë, Kishën e Shën Marisë po në Lushnjë dhe Kishën e Manastirit në Spille. Akt ekspertiza e cila jep detaje e veçori për çdo ikonë apo objekt tjetër tregon se 21 prej këtyre objekteve të trashëgimisë kulturore janë grabitur në Kishat e Maqedonisë, nga ku pritet ardhja e kërkesës zyrtare për kthimin e tyre.

Raporti tregon se vetëm 22 objekte të zbuluara në banesën e Gjergji Thimo dhe mikut të tij, Arben Spaho nuk janë pjesë e trashëgimisë kulturore edhe pse disa prej tyre kanë një moshë deri në 100 vjeçare dhe rezultojnë të çertifikuar nga Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurisë Kulturore.

Pra sipas raportit të 11 ekspertëve, përfaqësues të disa institucioneve, 454 objekte janë pjesë e trashëgimisë kulturore, në pronësi të shtetit shqiptar.

Raporti gjithashtu zbulon edhe fakte të tjera tronditëse mbi dëmtimin e këtyre pasurive të pazëvendësueshme të trashëgimisë tonë kombëtare. Ekspertët kanë vërtetuar se disa baldakinë të ikonostasëve të shekullit 16 dhe 17, prej druri unikal janë sharruar dhe gjymtuar.

Koleksionisti Gjergji Thimo dhe miku i tij Arben Spaho, u arrestuan në tetor të vitit 2013, ndërsa kontrolli në banesat e tyre çoi në zbulimin e 476 veprave të artit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama