Sabotim? - “Simetria politike e këtij rasti, por edhe ajo që u quajt ‘fushata e eksplozivëve’, në të dyja rastet deklaratat politike kanë paraprirë atë që ka ndodhur”
“Divjaka” - Ngjarja e Divjakës hyn në operacionet e vogla policore. Ai ishte një operacion policor i mirëfilltë, u kap drogë, u kapën personat dhe të tjera arrestime do të ketë
Avionët - “Mund t’ju them me bindje, që mbi bazën e asaj që kemi gjetur, ma do mendja se ju dhe publiku do të keni rastin të shikoni, gjë që ka ndodhur para se ta merrnim detyrën”
Lazarati - “S’besoj se ndërhyrja do të jetë ushtarake dhe luftarake. Lazarati do shpëtuar, s’do luftuar. Shtatori që vjen, s’do e gjejë këtë fshat si ka qenë në të kaluarën”
Tahiri: Opozita e paratha atë që ndodhi. Avionët kanë ekzistuar edhe në qeverisjen e PD-së
Pse të mundoheshim ne të ulnim një avion në rërë, e ulnim në Rinas, e mbushnim në avionë dhe mirupafshim…
PËR PROTESTËN - Në rast se do të ketë dhunë, policia do të zbatojë ligjin. Mos e ngatërroni me protestën e 21 janarit, që katër demonstrues u vranë me rregullore oborri, me çadra pistoletë…
Droga e Ekuadorit - Jemi në kontakt me institucionet përkatëse. Kemi bashkëpunim me agjencitë ndërkombëtare. Trafiku as fillon dhe as mbaron në Shqipëri
Trafiqet - Trafiku i drogës kurrë nuk ndalon, është gjithmonë fenomen ndërkufitar. Organizatat kriminale kanë nevojë patjetër për një pritës, prandaj janë hetime që shtrihen nga një shtet në një shtet tjetër
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, tha dje në emisionin “Top Story” në “Top Channel”, se policia ka dyshime se avionët e drogës kanë ekzistuar edhe gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. Para gazetarit Sokol Balla, Tahiri u shpreh se rasti i “Divjakës” ka ndodhur pasi u paratha në Parlament nga opozita e sotme. “Simetria politike e këtij rasti, si edhe ajo që u quajt ‘fushata e eksplozivëve’, nuk mund të abuzoj me fjalët, por në të dyja rastet deklaratat politike kanë paraprirë atë që ka ndodhur. Unë, në cilësinë e detyrës që mbaj, që ka ngarkesë politike, po bëj konstatim fakti. Eksplozivët filluan me shtyllën e lartë të tensionit në Lezhë, me mesazhe qartësisht politike, nafta dhe taksat. Kjo ngjarje (Divjaka), lindi me akuza politike në Parlament. S’po akuzoj askënd”, deklaroi Tahiri. Më pas, ai tha se rasti i Divjakës nuk ishte një ngjarje e jashtëzakonshme, pasi policia lufton përditë me trafikun e drogës. “Ngjarja e Divjakës hyn në operacionet e vogla policore. Ai ishte një operacion policor i mirëfilltë, u mbyll me sukses, u kap drogë, u kapën personat dhe të tjera arrestime do të ketë”, tha Tahiri, ndërsa u pyet nëse deklarata e tij ishte një teori konspirative. “Ky është thjesht një supozim. Policia kishte disa kohë që kishte shtuar nivelin e alarmit në atë zonë, ku kishte patrulla të dukshme në afërsi të vendit, patrulla policore për këtë shkak. Sigurisht policia nuk priste avion. Për ne ishte e pamenduar dhe e pamendueshme, që në mes të ditës, në bregdet, me njerëz që pushonin, të ulej një avion. Ishte një mendje amatore. Punonjësi i parë që ka mbërritur në vendin e ngjarjes ka arritur për tetë minuta. Për tetë minuta avioni nuk do të ngrihej dot”, vijoi Tahiri, duke shtuar se akuzat e opozitës po i bëjnë dëmin më të madh vendit, vrasjen e nervit të njerëzve, ndërsa shtoi se “në asnjë vend nuk ndodh që politika të sulmojë Policinë e Shtetit”.
Operacion policor?
Ministri tha se policia, mbi bazën e informacioneve të veta, priste një trafik të mundshëm droge. “Nuk prisnim avion dhe në momentin e përballjes së parë të policisë me pilotin e avionit, kishte dyshim, por jo detyrimisht që avioni të kishte lidhje me trafikun e avionit. Piloti ka dhënë një deklarim jo fort të besueshëm. Kur u gjet edhe lënda narkotike, u hodh supozimi se të dyja ngjarjet kanë lidhje. Këtë kam deklaruar në konferencën për shtyp një orë pas rrëzimit të avionit. Është gjetur një avion me pilotin në Divjakë dhe pak më tutje një makinë me lëndë narkotike. S’ma lejon detyra dhe korrektesa që të them se pas një ore të kishin lidhje. Unë njoftova publikun. Shprehimisht kam thënë se ‘piloti deklaron se ka pasur avari’. Dhe, nga ana tjetër, një makinë me lëndë narkotike u kap në afërsi të vendit ku u rrëzua avioni. Operacioni përfundoi me kapjen e personit që u largua nga makina”, tha ministri. Më tej, u pyet për personin e tretë, ku tha se nuk preferon të japë detaje, pasi hetimet janë në vijim e sipër. Për të rejat nga hetimi, tha me ironi se “avioni s’kishte drogë, s’është i lidhur me Ramën, Tahirin apo policinë”. Në informacionin tonë, tha Tahiri, është hera e parë që piloti vjen që shkel në Shqipëri. Askush nga pilotët nuk regjistrohet, kjo në bazë të Konventës së Çikagos, ku kapitenët e avionëve hyjnë me leje të posaçme. Ata kontrollohen fizikisht. Ministri shtoi se është sekuestruar i gjithë dokumentacioni shtetëror që ndodhet tek aviacioni civil, për t’i pasur si prova. “Jemi përballë faktit klasik kriminal, ku puna e çdo institucioni është në vendin e vet, që fillon nga zhdukja e kullës së kontrollit, alarmi, puna e policisë, e deri në kapjen e personit që posedonte drogën. Të dëgjosh opozitën se ka trafik shtetëror, të vjen të qeshësh, ndërsa më pas, shqetësohesh për vrullin e akuzave e mendjeve opozitare. …Pse të mundoheshim ne të ulnim një avion në rërë, e ulnim në Rinas, e mbushnim me avionë dhe mirupafshim”, vijoi Tahiri. Ai tha se i vetmi rast që i gjithë zinxhiri shtetëror është kthyer në sipërmarrje, është Gërdeci. “Ushtria, policia e SHISH-i e dinin. Në atë rast kishte një vullnet politik të qartë, për sa kohë që ministrat e atij kabineti, i raportonin me shkrim djalit të Kryeministrit dhe ky i fundit s’është thirrur një herë në prokurori, qoftë si person që ka dijeni, meqë raportonte te ministrat e babait”, tha Tahiri.
Avionë edhe në të kaluarën
Ministri i Brendshëm u pyet nëse ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe në të shkuarën. “Unë mund t’ju siguroj se në dijeninë që kam, gjatë kohës që kam qenë në detyrë, fenomene të tilla nuk na kanë dalë përpara veprimtarive tona policore”, vijoi ministri, ndërsa pyetja e radhës ishte përse u betonizuan disa pista. “Nuk besoj se është shenjë e dyshimit ose e parandalimit, mbi bazën e fakteve të ndodhura që jemi në detyrë. Mund t’ju them me bindje, se mbi bazën e asaj që kemi gjetur, bazuar në fakte që duhen marrë në konsideratë, që përbëjnë të dhëna jo të vogla hetimore, ma do mendja që ju dhe publiku do të keni rastin të shikoni, gjë që ka ndodhur para se ta merrnim detyrën, për të ngritur alarmin institucional. Ne jemi në punë e sipër dhe nuk mund të flas shumë, shpresojmë nga hetimet, që të dhënat paraprake na i kanë parathënë”, ishte deklarata “bombë” e ministrit, teksa ai dha shpjegime edhe për largimin e shefit të antidrogës nga Policia e Shtetit, për të cilin shtoi se ka bërë një kërkesë para se të ndodhte ngjarja e Divjakës.
Plani për Lazaratin
“Kur kam marrë detyrën, gjeta në tavolinë një raport të italianëve, që pas një fluturimi kanë fotografuar parcelat e kanabisit në vend. Qeveria e kaluar, pa asnjë ekzagjerim, e la vendin të mbytur në parcela kanabisi. Unë nuk e di se për çfarë i ka përdorur Berisha këto fakte, mund t’i ketë përdorur edhe për gjobëvënie, se për të bërë detyrën në interes të publikut nuk e ka bërë. Kam kërkuar me insistim nga partnerët italianë që ky mision të përsëritet dhe besoj se do të përsëritet. Do të vëmë gishtin te parcelat. Po shohim mundësinë që pronarin e tokës ku mbillet hashash ta zhveshim nga e drejta e pronësisë dhe tokën ta kalojmë në favor të shtetit. Lazarati nuk na ka gjetur të papërgatitur, as mua, as Kryeministrin e vendit, 20 vjet Lazarati aty ka qenë… I gjithë fshati s’e meriton damkën kriminale, por nga një mini-Lazarat ekziston që nga Tropoja e deri në Sarandë. Nëse prisni hyrjen në Lazarat, s’është vendim i lehtë për cilindo ministër apo kryeministër që të marrë barrën e të firmosë një urdhër që të ketë pasoja fatale. Ne e dimë fort mirë që elementë kriminalë, me karrierë kriminale, janë atje. Mjaftoj të kujtoj një rast në 2013-n. Një makinë guxoi Policia e Gjirokastrës ta ndalonte dhe Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës u sulmua me armë”, tha ministri. Ai shtoi se që në muajin janar të këtij viti, janë marrë masat e para, ku është ngritur një grup i gjerë hetimor, nga policia, prokuroria e SHISH-i. “S’besoj se ndërhyrja do të jetë ushtarake dhe luftarake. S’do të ketë luftë dhe besoj se zgjidhja na takon të gjithëve. Lazarati do shpëtuar, s’do luftuar. Në këtë kuadër, unë kam shumë besim që shtatori i vitit që vjen, s’do e gjejë Shqipërinë me parcela pa hesap të kanabisit në Lazarat”, shtoi ministri.